Në këtë fund-fillim viti 2019-2020 sic edhe është bërë zakon ekranet, mikrofonët dhe gazetat dhanë urime për një vit të ri më të mbarë për të gjithë Shqiptarët! Ekrani I vogel si mjeti me komunikativ dhe si rrjedhojë më i pushtetshëm shoqëroi festat me spektakle të kushtueshëm dhe plot hare.
Por duke lënë festat me një anë dhe ju kthyer asaj që lamë pas dhe kemi përpara në lidhje me Ekranin e Vogël, sipas opinionit tim modest besoj se duhet uruar që të kemi sa më pak programe “alla italiance” të kopjuara pa shumë krijim të cilat nuk korrespondojnë me larminë problematike të individit të varfër Shqiptar.
Kjo panoramë padyshim, në më të mirin e rasteve është e pasinqertë dhe jo profesionale! Personalisht më rezulton që po kopjohen në masë programet e lojit që mbledhim tipa të caktuar të shoqërisë dhe i bashkojnë në shtëpi kolektive televizive, pra “Vëllai i madh” apo “Kafazi i Artë”, “Take me out” “Telebingo”…!
Një gjë e tillë ka rezultuar në spektakle të sukseshme dhe ka nxjerr në pah modele të cilët arrijnë të përfaqësojnë nivelin kulturor të shumicës, por kurrësesi problematikën socio-kulturore dhe ekonomike të tyre…
Ok, por edhe kjo skemë për fat të keq funksionon me sa duket në një shtëpi të madhe televizive e cila kurrësesi nuk mund të bëj nje pasqyrim të drejtë dhe realist të shtëpisë së madhe të shoqërisë sonë shumë problematike!
Personalisht besoj se pushteti i katërt i Mass-medias nuk mund të funksionojë si i njëjtë me Pushtetin Legjislativ, dmth në formën e përfaqësimit të dhjetëra-mijra qytetarëve në një deputet!
Kështu përvec modeleve të “Vëllait të madh” që unë nuk u a dëshiroj fëmijëve të mi, do të kemi edhe modele të tjera që apriori besoj që nuk do të jenë larg tyre, përderisa zëri dhe problematika e qytetarëve duhen parimisht dëgjuar dhe sjellë në ekran nga terreni! Ose në më të mundshmen që duhet bërë është të sjellësh qytetarët në studiot televizive sipas grupeve të interesave, jo vullnetit të pakontrolluar të cdo individi.
Kështu sigurisht që do të kishim spektakle më të bukur, vital, aspak sipërfaqësor dhe padyshim domethënës duke vënë përballë të gjitha intrumentat e pushteteve sipas një ballafaqimi të të zgjedhurve me zgjedhësit të cilët në këto studio duhet të ishin vetëm me cilësinë e qytetarit.
Një eksperiencë e harruar e Gjeli Vizion…
Tek shoh individë që kërkojnë të jenë Pippo Baudot ose Bruno Vespat shqiptarë, mendoj njerzit e varfër të cilët ndjekin këto programe vetëm nga dhomat e ftohta duke nënqeshur me hidhërim me fjalët deklamative të njerzve të ekranit të vogël të cilët pothuajse i injorojnë interesat e tyre!
Askush nuk mund të thotë se në emisionet pafund ku nuk mungojnë të gjithë protagonistët politikë dhe që shoqërohen nga duratrokitje vetëm figurantësh apo militantësh të paguar, mesazhi i tyre përcillet deri tek problematika e shumicës!
Shëmbulli modest por domethënës i “GjeliVizion” më rezulton i harruar në ekranet tona! Kjo padyshim nuk do të thotë se vetë njerëzit i kanë harruar emisionet e shumta ku nuk mungonin kurrë grupet interesit! Këtë të vërtetë ma konfirmojnë gjithashtu qytetarët të cilët më ndalojnë sot e kësaj dite në rrugë duke më pyetur se kur do I kthehem ekranit te vogël me ato emisione.
Në fakt atë kohë, nëse nuk mundeshim ti sillnim grupet e interesit në studio, e bënim emisionin atje ku ishte problematika: për urbanistikën në rrugët e kryeqytetit, për shëndetësinë në spitale, për artin në Teatrin Kombëtar, për antikitetin në Amfiteatërin e Durrësit, për besimtarët në Kishë ose Xhami!
Sot studiot e televizioneve të shumtë janë të mbushura me figurantë dhe këto lloj emisionesh të cilët sapo i përmenda, ndonëse janë më pak të kushtueshëm mungojnë pothuajse fare! Grupet e interesit përfaqësohen vetëm nga të zgjedhur ndoshta në mënyrë selektive dhe me kujdes!
Po nga eksperienca televizive e “GjeliVizion” është marrë steriotipi i sondazheve, por ndryshe nga ato emisione ku qytetari përvec votës për temën e caktuar nga redaksia jepte edhe opinionin e tij të drejtëpërdrejtë dhe pa filtra! Sot ndodh që të gjitha emisionet televizive ofrojnë sondazhin “Me Po dhe Jo” të realizuar për herë të parë vetëm tek ai stacion, por sot ato ofrohen pa mundësi komenti për të kuptuar edhe problematikën e qytetarit dhe interesin e publikut.
Konkretisht në më të paktën e nevojshme do t’u sugjeroja drejtuesve të këtyre ekraneve që duke qendruar tek modeli Italian i programeve televizive të realizonin edhe më shumë emisione të tipit “La vita indiretta!” sepse me këtë model do të munden të sjellin problematikat dhe zërin e qytetarëve në mënyrë të drejtëpërdrejtë në vëmëndjen publike…