Tërmeti i fuqishëm në Shqipëri dhe lëkundjet pas tij në Durrës, Tiranë, Thumanë e rrethinat e tyre, ka nxjerrë një mësim që po përpiqen ta përdorin në Kosovë. Shemsi Mustafa, nga Rrjeti Sizmologjik i Kosovës, ka thënë se “Kosova është në një zonë me aktivitet sizmik relativisht të lartë, por nuk e ka atë rrezikun e vendeve përreth. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, e kanë aktivitetin sizmik më të lartë”.
Por ai ka thënë se nuk mund të përjashtohet mundësia që Kosova të goditet nga tërmetet. Arkitekti Ernest Ferizi, sipas “Express”, tha se pas tragjedisë në Shqipëri, duhet të merren masa për përmirësimin e objekteve të ndërtuara pa standarde sizmike.
“Është e rëndësishme, sidomos pas tërmetit që ndodhi në Shqipëri, që të merren të gjitha masat për përmirësimin e objekteve të ndërtuara pa standarde sizmike për të mbrojtur njerëzit nga katastrofat sizmike”. Ai shtoi se objektet që paraqesin rrezik permanent nga tërmetet janë objektet e ndërtuara pa leje.
Duke iu referuar situatës në Shqipëri, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Arben Gashi, tha të dielën se të gjitha komunat e Kosovës, veçanërisht ajo e Prishtinës, duhet të bëjnë vlerësimin e rrezikut sizmologjik.
Ai ka shkruar në llogarinë e tij në “Facebook”, se për ndërtesat e vjetra duhet të bëhet vlerësimi i rrezikut nga ndërhyrjet në strukturë, në katet e para si dhe mbindërtimet. “Komunat e Kosovës, veçanërisht Komuna e Prishtinës, duhet urgjentisht të bëjnë vlerësimin e rrezikut sizmologjik.
Për ndërtesat e vjetra, duhet të vlerësohet rreziku nga ndërhyrjet në strukturë, në katet e para (hapja e lokaleve), si dhe mbindërtimet. Ndërsa në objektet e ndërtuara pas luftës, duhet të bëhen vlerësime për rrezikun sizmologjik, si dhe kriteret e ndërtimit dhe projektimit duke përfshirë tejkalimet e lejeve ndërtimore”, ka shkruar Gashi.
Ai sugjeroi se qeveria e re dhe Kuvendi duhet të nxjerrin një ligj të veçantë për mbrojtjen nga tërmetet, duke përfshirë këtu vlerësimin e sigurisë së ndërtesave.