Zinedin Zidan e ka në skuadrën e tij “Pogbanë” e ri. Quhet Federiko Valverde dhe në ndeshjen e fundit ndaj Granadës i befasoi të gjithë me performancën e tij.
Tani Reali i Madridit ka një alternativë më shumë në repartin e mesfushës dhe Zidan për këtë është i lumtur. Ai thotë se në fillim kishte turp nga lojtarët e tjerë, por tani ndihet pjesë e kësaj familjeje të madhe. Valverde tregon edhe bisedat që bën me trajnerin Zidan për t’u përmirësuar dhe çfarë i kërkon gjatë stërvitjeve.
ELOZHET- “Duhet t’i mbaj këmbët në tokë, të gjej motivimin e duhur për të punuar dhe për t’u përmirësuar. Duhet të mësoj nga shokët e skuadrës. Përpiqem që të mos lexoj asgjë nga ato që thuhen në media dhe të jem i qetë”.
ZIDAN- “Është mirë që një trajner si ai të flasë mirë për mua. Por duhet ta mbaj profilin e ulët. Më kërkon që të përfitoj nga gjendja fizike e mirë dhe të bëj presion larg, por të rikthehem sërish në vendin tim. Më kërkon gjithashtu që të godas shpesh portën kundërshtare, sepse në stërvitje jam shumë i saktë”. Pak nga pak do të përmirësohem”.
POZICIONI- “Unë ndihem komod në çdo pozicion në mesfushë. Zidan më aktivizon si shkatërrues ose pak më të avancuar. Ndihem komod dhe kam dëshirë që të luftoj dhe mbi të gjitha të luaj.
Kërkon më të mirën nga unë jo vetëm në ndeshje, por edhe në stërvitje. Kur një trajner të jep besim, sigurisht që kjo të ndihmon”. Dhoma e zhveshjes- “Duhet të vazhdoj të ndihem i rëndësishëm si shokët e skuadrës dhe të ndihem pjesë e tyre. Në fillim kisha shumë turp dhe nuk flisja shpesh me ta. Tani ndihem si në familje”.