Në këtë klimë të përhapur apatie, e pse jo antipatie ndaj politikës, e imponuar përmes dhunës brutale të pushtetit të Rilindjes, a është akoma e mundur të ringjallet politika? Rënia e politik(e)s është e lidhur me metamorfozën e konceptit popull – si subjekt qendror i politik(e)s – që ka sendërtuar Rilindja përgjatë qeverisjes së saj.
Populli ka karakteristikat e një entiteti homogjen, anëtarët e të cilit përgjithësisht kanë interesa e aspirata të ngjashme. Përmes votës demokratike, me një kryq të thjeshtë mbi fletën e votimit, ata i shprehin këto aspirata dhe zgjedhin përfaqësuesit e tyre.
Fatkeqësisht, për shkak të makinacioneve të krijuara nga figura të njohura e të panjohura, ky zenit “demokratik” nuk u përhap nën qeverisjen e Rilindjes. Përkundrazi, ne po qeverisemi, ose më saktë po shtypemi, nga uzurpatorë të imponuar prej pushtetit politik e atij financiar.
Që nga rrjetet sociale e deri te talkshow-t populistë, përpjekja konstante e Rilindjes është ndërtimi i makinacioneve të atilla, që pengojnë paraprakisht aftësinë epistemike të popullit, për të mos e ushtruar sovranitetin e tij. Si rezultat i kësaj praktike, është e natyrshme që akëcili syresh, që nuk është në përputhje me Idetë dhe Vullnetin e Popullit Rilindas është ipso fakto armik dhe duhet të trajtohet si i tillë.
Kjo mënyrë qeverisje, do të ishte mëse e mjaftueshme për të zgjuar ndërgjegjet për një aktivizim mbarë shoqëror dhe për një rritje të pjesëmarrjes politike. Sepse, gjykoj se, thjeshtë dhe vetëm me rritjen e aktivizimit politik mund të riparohen dëmet e shkaktuara nga qeverisja e Rilindjes.
Në këto kushte, duhet theksuar me zë të lartë se demokracia liberale ka një funksion saktësisht të kundërt me atë të përhapur nga forma populiste e qeverisjes së Rilindjes. Demokracia liberale është një metodë që synon të kufizojë ushtrimin e pushtetit, jo imponimin e vullneti imagjinar të popullit rilindas. Të popullit të reduktuar thjesht në elektorat partiak, duke e zhbërë deri në absurd domethënien e konceptit popull. Demokracia liberale, siguron që të pushtetshmit të mos qëndrojnë gjatë në pushtet dhe ndërkohë mbron të drejtat e pakicave, të cilat nuk janë në pushtet dhe që kurrë nuk do mund të jenë. Pra, qëllimi kryesor i demokracisë liberale është të ndërtojë mekanizma sa më të qëndrueshëm, për të garantuar popullin nga abuzimi me pushtetin e të zgjedhurve prej tij.
Në përditshmëri, të gjithë ndjekin qëllimet e tyre, shpesh në kontrast me ato komunitare. Kur votohet, përgjithësisht shpresohet të zgjidhen ata përfaqësues që në vija të përgjithshme premtojnë se do punojnë për plotësimin e një vizioni të posaçëm mbi shoqërinë, jo se po zgjidhet “Mbinjeriu”. Por, duke qenë se vizioni ynë i posaçëm jo gjithmonë mbizotëron, atëherë duhet punuar për ndërtimin e një sistemi kushtetues liberal i cili duhet të kufizojë mundësinë që ata që fitojnë, ta kthejnë këtë fitore në avantazhin e tyre. Kjo është arsyeja pse sistemi i demokracisë liberale krijon një sistem ekuilibrash e garancish të siguruar nga ndarja e pushteteve.
Gjegjësisht, kushdo që bën shfaqje duke proklamuar “bashkëqeverisje”, në të vërtetë është duke ndjekur interesat e veta dhe ato të bashkëpunëtorëve duke përdorur retorikën e sulmit. Nuk është rastësi që ata që veshin kostumin e idealistëve e reformatorëve të mëdhenj shpesh janë më të tërbuarit në çështje korrupsioni dhe në uzurpimin e politikës.
Si përfundim, demokracia liberale është sovraniteti i popullit i garantuar nëpërmjet parimeve kushtetuese. Ky sistem është efektiv në varësi të faktit nëse njerëzit do të jenë të aftë të kenë dhe formulojnë vullnetin e tyre të lirë dhe të vetëdijshëm. Për të garantuar përmbushjen e tij, gjithçka varet nga kushtet politike të popullit dhe shkalla e lirisë që ky i fundit gëzon.
Tashmë është e qartë se demokracia ideale nuk ka ekzistuar ndonjëherë, sepse në përdorimin e teknikave të ndryshme të formimit dhe zbatimit të vullnetit të popullit, nuk mund të shmangen përqendrimet e tepërta të pushtetit tejendanë institucioneve. Sipas Aristotelit, funksionimi ideal i demokracisë, përmbushet atëherë kur çdo qytetar është në të njëjtën kohë dhe në masë të barabartë, qeverisës dhe i qeverisur. Domethënë, pjesëmarrja e tij në pushtet është e barabartë me çdo qytetar tjetër dhe po në mënyrë të barabartë i kërkohet bindje ndaj pushtetit sovran.
Por e gjithë kjo është bërë e pamundur pikërisht nga propaganda e vazhdueshme e Rilindjes – në duart e së cilës u përqendrua përsëri pushteti absolut e irracional – sendshkatërruese e konceptit popull./Gazeta Liberale