Gazetari investigativ Artan Hoxha ka shprehur kritikat e tij lidhur me aksionin e fundit anti-KÇK të ndërmarrë nga Policia e Shtetit për goditjen e grupeve kriminale dhe magjistratëve të korruptuar. Hoxha ka krahasuar operacionin “Forca e Ligjit” me dy filmat e fundit komedi të prodhuar nga aktorët Ermal Mamaqi dhe Bes Kallaku. Sipas Hoxhës, “Filmi OFL” ka skenar, regji dhe ide të kryeministrit të vendit Edi Rama dhe mundësohet nga taksat e shqiptarëve. Ndër të tjera, gazetari rrëfen edhe bisedën me një polic, i cili i kishte thënë se gjithë punën që bënin efektivët OFL mund ta bënte ai me një oficer të Policisë Gjyqësore.
“Një inspektor policie, nga ata që mbulojne fshatrat në Drejtorinë e Durrësit, më telefonoi duke më thënë: “Kot e bënë gjithë atë berihaje shefat lartë, harxhuan gjithë atë karburant, mjete lëvizëse, dislokim trupash dhe ore punë, për një veprim që mund të bëja vetëm unë dhe një oficer OPGJ. Suksese dhe respekt për ata djem që mbajnë veshur uniformat e OFL-së. Ata thjeshtë bëjnë detyrën, zbatojnë urdhërin që u vjen nga lart, dhe kanë në dorë vetëm performancën në terren. Spektakli nuk është as ideja dhe as dëshira e tyre. Për atë mban përgjegjësi tjeterkush…,“-shkruan ndër të tjera Hoxha.
POSTIMI I PLOTË:
Paketa ‘Anti-KÇK’ hyri dje në fuqi dhe nisi punë me Altin Hajrin në Shijak dhe pasuritë e tij, ndërkohë që lista vijon me 200 subjekte të tjera për të cilët ka dyshime të forta se pasuria e tyre është ndërtuar me burim aktivitetin kriminal, brenda dhe jashtë vendit.
Më herët sot, OFL ka marrë në ‘shënjestër’ Lul Berishën dhe Ardian Capjen, dy subjekte që duhet të provojnë burimin e pasurisë brenda 48 orësh, dhe më pas të dhënat do t’i kalojnë SPAK. Ndërkohë që po sot, në Shkodër pritet sekuestrimi i pronave të dy familjeve, Doçi dhe Bajri.
Janë 150 efektivë të Operacionit Forca e Ligjit, që janë shpërndarë tashmë në terren, dhe në bashkëpunim me 12 drejtoritë vendore të policisë që kanë hartuar listat dhe me SPAK, janë angazhuar për të siguruar zbatimin e paketës ‘Anti-KÇK’.