“Më mirë vonë se sa kurrë!”- Lulzim Basha komenton foton e Sali Berishës në vilën e Enver Hoxhës. Ja cila do jetë nisma e deputetëve të PD-së

Kreu i PD-së Lulzim Basha komentoi në emisionin “Real Story” foton e publikuar sot në media ku ish-kryeministri Sali Berisha shfaqet në shtëpinë e Enver Hoxhës, në prani të diktatorit dhe familjes së tij.   Basha tha se dekomunistizimi nuk është çështje fotosh, ndërsa u shpreh se një grup deputetësh demokratë kanë marrë një iniciativë për dekomunistizimin që ka mbështetjen e tij.

“Çështja e dekomunistizmit të shoqërisë shqiptare nuk është çështje fotosh, është shumë më e thellë. Në Çeki, Sllovaki, Poloni, Hungari, ndarja me komunizmin, lustracioni, është bërë me ligj. Këtu iniciativat ligjore për lustracionin kanë dështuar. Ajo që mund tju konfirmoj pëtej fotove, është që jo vetëm një grup deputetësh të PD-së që vijnë nga të përndjekurit, të cilët kanë sot më shumë përfaqësues në PD se sa kanë pasur në 30 vite, kanë marrë një iniciativë që ka mbështetjen time të plotë për të çuar përpara një ligj për dekomunistizimin. Pavarësisht se po ndodh 31 vite me vonesë. Më mirë vonë se sa kurrë!”, tha Basha.

 

*****

Basha zbulon bisedimet me zyrtarët amerikanë pas shpalljes “non grata” të Berishës

Kreu i PD-së Lulzim Basha duke folur në “Real Story” deklaroi se në takimet zyrtare me ambasadoren amerikane dhe zyrtarë të lartë, i kanë thënë se vendimi për shpalljen “non grata” të Berishës nuk ka qenë goditje ndaj selisë blu, por janë shprehur se duan një PD të fortë, në pushtet, duke theksuar se mandati i tetë nuk është i shëndetshëm për asnjë demokraci. “Ju siguroj zoti Lubonja që në takime zyrtare, publike prej ditës së parë, qoftë me ambasadoren që është përfaqësuesja zyrtare e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, qoftë me zyrtarë të lartë amerikanë që kanë vizituar Shqipërinë dhe selinë e Partisë Demokratike, përfaqësues të Departamentit Amerikan të Shtetit, përfaqësues të tjerë të lartë të autoriteteve amerikane në mënyrën më absolute në terma pothuajse identikë, siç i keni thënë ju, kanë ngritur padiskutim në veçanti kur vendimi u shpall me 19 maj, me të njëjtat terma dhe me një revoltë e cila buronte nga konteksti ku ndodhi shpallja e Sali Berishës non grata, kërkesën për të shpjeguar se pse menjëherë pas masakrës së 25 prillit një force politike e cila zgjodhi të bëjë një fushatë model për ndryshimin e Shqipërisë, nuk lidhi aleanca me krimin, i ofroi shqiptarëve rrugëdalje nga kriza, papritur në momentin që goditet nga një masakër zgjedhore, siç me vone e provoi dhe raporti i OSBE-ODIHR, një figure simbolike, por jo aktive prej vitesh i jepet një goditje, të cilën ne me fjalët e mia i jepet një goditje po e perifrazoj, i jepet një goditje ndaj forcës tonë politike, do më lejoni deri në fund”, tha Basha.

 

“Përgjigja ka qene e dyfishtë. E para ne nuk kemi asgjë me Partine Demokratike, kjo nuk është një goditje ndaj Partisë Demokratike, ne duam një Parti Demokratike të fortë, ne duam një Parti Demokratike në pushtet, ne mendojmë se një mandat i trete nuk është i shëndetshme për asnjë demokraci, e në veçanti për një demokraci 30 vjeçare. Jo më kot e kemi kufizuar pushtetin e një personi me Kushtetutë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 2 mandate. Po citoj burimet zyrtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por vendime të tilla zoti kryetar i Partisë Demokratike nuk merren sot për sot. Ato kalojnë nëpër një filtër të gjatë kohor dhe merren vetëm pasi procedurat e shtetit amerikan kanë konfirmuar në mënyrë përfundimtare se duhet të merret një vendim i tillë. Kjo ka qenë përgjigja zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Dhe njëherë, unë nuk kam ndër mend të komentoj këtë, por mund t’ju them vetëm kaq. Ju hodhët në dyshim nëse unë kam bërë detyrën time në radhë të parë si demokrat, në radhë të dytë si kryetar i Partisë Demokratike dhe  në radhë të tretë si njeri  që ka bashkëpunuar 16 vite me Sali Berishën. Dhe unë po të them se kam bërë përtej asaj që ju mund të imagjinoni. Por ju duhet të kuptoni dy gjëra: Unë dhe askush në pozicionin tim nuk mund të ndikojë në një vendim të tillë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.  Detyra ime është të marr vendimet në emër të Partisë Demokratike  për të mbrojtur interesat e Partisë Demokratike”.

Author: vizional