Ndarjet janë të hidhura dhe të vështira. Në mënyrë të veçantë kur partneri ose partnerja zhduken pa dhënë asnjë shpjegim apo arsye. Kështu i ka ndodhur në kryeqytet një të riu, i cili pasi u braktis nga e dashura, shkoi në polici dhe kërkoi jo vetëm adresën e saj, por siç kishte vepruar më herët edhe një e re, kërkoi ndihmë që oficerët ta bindnin që të kthehet me të.
Burime të Gazetasi.al, tregojnë se denoncimi u paraqit në komisariatin numër katër nga shtetasi B.Q., i moshës 32 vjeç. I riu kishte zgjedhur si njeri të zemrës një 20-vjecare malazeze, me të cilën pas lidhjes së fshehtë, kishin vendosur që të bashkëjetonin. “Ajo quhet Z.H., – pohon denoncuesi, sipas një burimi zyrtar të policisë, – dhe me këtë shtetase malazeze kam bashkëjetuar.
Isha në punë kur ra zilja e telefonit dhe në këtë moment kur e hapa, ishte e dashura. Duke biseduar, më tha: ‘Unë kam ikur nga shtëpia dhe unazën e kam lënë në shtëpi’”, – kujton pranë oficerëve i riu i braktisur. Policia, duke iu referuar dëshmisë së tij, shtonse teksa vajza ia ka mbyllur telefonin, ai është përpjekur që të kontaktojë me të. “Ajo ma hapi përsëri telefonin dhe e pyeta çfarë po bën kështu.
Më tha vetëm kaq: ‘Unë po largohem, unazën e ke tek shtëpia’”. Në denoncimin e tij, i riu insiston se nuk ka asnjë dijeni për adresën e 20-vjeçares. “Nuk e di ku mund të ketë shkuar dhe për më tepër nuk di arsyen se përse u largua”, – dëshmon B.Q., në Komisariatin numër 4, sipas burimeve policore që e administruan kallëzimin në datën 21 korrik.
I pyetur se prej sa kohësh njihet me shtetasen e huaj, i riu shton: “Kam dy muaj që njihem me të dhe për këtë gjë kam vënë në dijeni edhe prindërit, nuk kemi kryer celebrim, por vendosëm që të bashkëjetojmë“. Agjentët e pyesin më tej: a keni patur konflikte ditët e fundit me bashkëjetuesen? “Jo, asnjë konflikt dhe asnjë mosmarrëveshje, në asnjë moment nuk kemi pasur debate, – vijon ai. – Deklaroj se e kryej këtë kallëzim, pasi jam në merak për vendodhjen e saj, pasi që nga momenti që ka ikur nga shtëpia, nuk kam informacion për të”. Pak muaj më parë, një histori e ngjashme braktisjeje u bë e ditur në polici dhe ky rast u bë publik nga Gazetasi.al. Një vajzë e re, iu drejtua policisë dhe kërkoi ndihmë prej agjentëve, pasi ishte braktisur nga i dashuri.
“Bëni çdo gjë që ai të rilidhet me mua, ai më do, por nuk e di pse më la”, – deklaroi asokohe e reja, që pavarësisht pretendimit dhe qëndrimit ish i dashuri nuk u bë i gjallë“. “Ajo e denoncoi më pas ish-partnerin për përndjekje, por ajo që ne kuptuam ishte që vajza me profesion arkitekte, kishte probleme me depresionin e shkaktuar nga ndarja dhe për këtë arsye këmbëngulëm që të kontaktonte një psikolog” – thanë burime policore.