“Makinat inteligjente nuk kursejnë askënd, ndëshkohen edhe ata me shpejtësi 75km/orë”, 29...

“Makinat inteligjente nuk kursejnë askënd, ndëshkohen edhe ata me shpejtësi 75km/orë”, 29 shoferë në pranga, hiqen 138 patenta

360
0

Gjatë javës së fundit, ka pasur shumë kontrolle nëpër rrugët e vendit për të evidentua shkeljet në qarkullimin rrugor duke marrë parasysh gjendjen e krijuar nga moti i keq.

“Makina inteligjente” është përdorur nëpër qendrat e rretheve dhe janë evidentuar shumë shkelje ku u hoqën 138 patenta dhe u arrestuan 29 drejtues mjetesh.

Njoftimi i Plotë nga Policia e Shtetit:

Shtohen masat gjatë fundjavës, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore, garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

Duke marrë parasysh se për shkak të motit të keq rreziku i përfshirjes në ngjarje rrugore është i madh, nisur edhe nga fakti se fluksi i lëvizjeve është më i lartë në fundjavë, në akset rrugore nacionale, Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash shtesë.

Në këtë kuadër, në të gjitha akset rrugore nacionale, urbane dhe rurale, do të ketë prezencë të shtuar të shërbimeve policore, kryesisht të Policisë Rrugore, me mbështetje nga Patrullat e Përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”, në qendër qarqe.

 

Përgjatë javës, shërbimet e Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Patrullat e Përgjithshme në të gjithë vendin, kanë vijuar kontrollet intensive duke përdorur makinën inteligjente, radarë, dronë, mjete të pauniformuara, kamera, aparate fotografike dhe alkooltestues, për parandalimin e aksidenteve rrugore.

 

Makina inteligjente vijon të monitorojë qarkullimin rrugor në të gjithë territorin e vendit, duke evidentuar dhe ndëshkuar shumë drejtues mjetesh që qarkullojnë me shpejtësi mbi normat e lejuara, të cilët krahas shpejtësisë, qarkullojnë edhe pa vendosur rripin e sigurimit apo duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.

 

Gjatë kësaj jave janë evidentuar në shkelje, nga makina inteligjente, 2678 drejtues mjetesh, të cilëve do t’u shkojë masa administrative në banesë.

 

Gjithashtu, në të gjithë vendin, gjatë kontrolleve permanente janë evidentuar dhe ndëshkuar 4021 drejtues mjetesh, për shkelje të ndryshme që janë rrezik potencial për përfshirje në ngjarje rrugore.

 

Janë pezulluar 138 leje drejtimi, nga të cilat 79 për shpejtësi mbi normat e lejuara, shumica e rasteve të konstatuara nga makina inteligjente, 45 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 14 për qarkullim në sens të kundërt.

 

Janë arrestuar 29 drejtues mjetesh, nga të cilët 21 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 8 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës në tërësi, veçanërisht drejtuesit e mjeteve, motomjeteve dhe çiklistët, që të tregojnë kujdes dhe të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në Komisariatin Dixhital dhe në numrin e emergjencave 112, çdo paligjshmëri.