Nga Chelsea tek Arsenali, Liverpooli mposht një tjetër skuadër londineze dhe fluturon në krye me pikë të plota.
“The Reds” triumfuan me rezultatin 3-1 me përmbysje ndaj “Topçinjve”, në një ndeshje të dominuar totalisht dhe morën fitoren e tretë në po kaq ndeshje.
Sfida nisi mjaft mirë për Liverpoolin, që mori menjëherë kontrollin e lojës dhe arriti të shkojë disa herë rrezikshëm në zonën e portës së mbrojtur nga gjermani Leno, por avantazhin fillimisht e gjeti Arsenali.
Pas një kundërsulmi të shpejtë të “Topçinjve”, mbrojtësi Robertson ktheu gabimisht një top drejt portierit, duke ia dhuruar francezit Lacazette, i cili gjuajti me një kthesë të menjëhershme dhe dërgoi sferën në rrjetë, teksa kishin kaluar vetëm 25 minuta nga starti i takimit.
Reagimi i “The Reds” ishte i menjëhershëm, pasi vetëm tre minuta më vonë Muhamed Salah bëri gjithçka mirë nga krahu dhe hyri në zonë e gjuajti drejt portës, aty ku Leno grushtoi, por topi shkoi në këmbët e Mane, që me portën e boshatisur e pati të lehtë të rikthejë baraspeshën.
Në minutën e 34-t, pas një krosimi të ardhur nga Alexander-Arnold, mbrojtësi Robertson mori bukur topin brenda zonës dhe me një qetësi për t’u admiruar, arriti të mposhtë për herë të dytë portierin Leno, duke shlyer gabimin e bërë më herët dhe duke i dhënë avantazhin Liverpoolit.
Pjesa e dytë ishte gjithashtu me ritëm mjaft të lartë dhe raste të shumta për të dy skuadrat, ndërsa rezultatin e sfidës e vendosi blerja më e re e Liverpoolit, Diogo Jota, i cili debutoi me një gol të shënuar në minutën e 88-të.
Kështu “The Reds” konfirmohen sërish si pretendentët kryesorë për titullin kampion, pasi ka marrë pikët e plota në 3 javët e para, ndonëse shorti nuk ka qenë bujar pasi e ka vendosur përballë skuadrave si Chelsea e Arsenal.