Liberalizimi i vizave të Kosovës sot në Parlamentin Europian

Liberalizimi i vizave të Kosovës sot në Parlamentin Europian

497
0

Parlamenti Evropian pritet të votojë sot rreth procesit të liberalizmit të vizave të Kosovës.  Dje, në Parlamentin Evropian u diskutua gjerësisht lidhur me këtë çështje nga ku u vunë re dallimet mes përfaqësuesve evropianë.

Ndërkohë, raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon, tha se Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën në lidhje me liberalizimin e vizave.

Sipas Fajon Kosova ka përmbushur obligimet e saj, ndërsa ka tërhequr vëmendjen se rritja e radikalizmit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshpërimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj.

Një reagim erdhi edhe nga Komisioneri evropian për Migracionin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësinë, Dimitris Avramopoulos. Përmes një postimi në Tëitter, ai u shpreh se është i lumtur që Parlamenti Evropian e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për kosovarët.

“Kjo nuk është vetëm për të qenë të drejtë dhe për të njohur përpjekjet e tyre, por është e rëndësishme për stabilitetin në rajon. Perspektiva evropiane e të gjithë rajonit është në rrezik”, shkruan ai.‏

Ndërkohë historiku i liberalizimit të vizave të Kosovës, nis që në vitin 2012 ku shtetit të ri iu kërkua të plotësojnë të paktën 95 kritere për të marrë rekomandim pozitiv për liberalizimin. Ky rekomandim u dha në muajin korrik të vitit të kaluar, ndërsa në shtator Parlamenti Evropian votoi për liberalizimin e vizave.

Mirëpo, në muajin dhjetor, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi në agjendën e tyre këtë çështje.