Leksionet e një interviste dhe të investitorit më të madh në industrinë...

Leksionet e një interviste dhe të investitorit më të madh në industrinë ushqimore

533
0

Para disa ditësh në një intervistë me Ministrin e Bujqësisë, zotin Bledi Çuçi diskutova për eksportet e produkteve bujqësore. U trishtova kur mësova statistikat e eksportit të produketeve shqiptare jashtë kufijve tanë. Në këto 30 vjet s’qenka bërë asnjë punë e hajrit për t’i dhënë dinjitet atyre investimeve të mrekullueshme shqiptare. Me të drejtë pas intervistës më ‘hodhën’ thonjtë në grykë disa nga investitorët më të rëndësishëm shqiptarë që kanë dhënë jetën për të investuar miliona e miliona dollarë duke bërë impante bujqësore bashkëkohore, por dhe duke punësuar rreth 100 mijë shqiptarë. Një prej liderve të investimeve në industrinë e produkteve ushqimore dhe bujqësore më tha: “Ju gazetarët s’po e luanin fare rolin tuaj. E di çdo të thotë mision gazetari. Ku në intervista i bëni qejfin ministrit. Nuk  i vini pikat mbi i. Nuk i shtroni fare hallet e bisnesit. Nuk përmendni dhe këmbëngulni për sakrificat e armatës së investitorëve në bujqësi sepse keni frikë. Ju duket se kur kryqëzoni ministrin ju kanë paguar fermerët dhe industrialistët e bujqësisë. Nuk e kam fjalën vetëm për ju” këmbënguli ky investitor, “por të gjithë ju gazetarët njësoj jeni. Të përkulëshëm para autoritetit të një ministri”.  Dhe ai me tha: “Ju nuk e njihni realitetin dhe vini papërgatitur para një minsitri. Ja një shembull i thjeshtë që në këto 30 vjet askush s’ka punuar për të arritur standarte bujqësia shqiptare.  Përshembull  dil me një kg mish, djathë, qumësht, në cilindo vend fqinj. Të ndalin në doganë. Pse? Se Shqipëria nuk lejohet të eksportojë. Çudi! Pse vetëm ne? Na kanë inat? Edhe vendet e fundit në Europë, Maqedonia, Moldavia eksportojnë. Shqipëria nuk lejohet se legjislacioni është i prapambetur, institucionet e kontrollit të pabesueshme. Kush e ka fajin kur ka edhe kompani të certifikuara nga ndërkombëtarët? Ministria. Vazhdon kjo gjendje 30 vjet. Dhe vazhdojmë të gënjejmë. Vetvetiu lind pyetja pse nuk eksportojmë dot një qengj për pashkë? Se nuk shtyhet me gënjeshtra gjithë jeta. Me marketet italiane gjen qengja maqedonas e moldave, veç italianëve e spanjollëve. Pse jo shqiptare. Nuk lejohen. Ndërsa ato ndërhyrjet për EHW ishin pak artificiale, ai u rrëshqiti. Ti bën çmos, por ndërhyrjet duhen studjuar. EHW është e certifikuar nga ‘Certiquality’, instituti më i rëndësishëm italian i certifikimit. Nuk lejohet të eksportojë në Europë si gjithë sistemi shqiptar i produkteve blegtorale. Pse? Se sistemi shqiptar i inspektimit konsiderohet i pabesushëm”.

 

Mbeta pa fjalë. Sepse ne si gazetarë kemi harruar ata që investojnë në bujqësi. Kemi harruar të ulemi me ta të diskutojmë të dimë se çfarë i shqetëson, çfarë ligji i mban peng? Kemi nënvleftësuar misionin tonë.