Lal Eri si Lal Sherri! Nga Nga Arian Galdini

Lal Eri si Lal Sherri! Nga Nga Arian Galdini

2418
0

(Një përgjigje e shtruar për Albert Nikollën, pas një reagimi e konsiderate që ai ka shprehur në një koment pas një statusi që unë kisha bërë mbrëmë në facebook.)

 

 

Erion Veliaj është një fenomen epokal kulturor në favor të punës sensit të punës e sensit të shtetit, më shkruante mbrëmë Albert Nikolla. Këtë reagim ai e bënte në një status që unë e kisha shkruar ne profilin tim në facebook. Ja çfarë kam shkruar unë në atë status: “Lal Eri, martesa nuk është mall TEGu e as Tregu. Ndoqa një kronikë skandaloze televizive sot ku Lal Eri paskërkësh martuar 100 çifte në TEG. Për TEG ishte marketing. Për Ami Event ishte marketing. Për Lal Erin siç duket ishte marketing gjithashtu. Por për martesën dhe solemnitetin e thelbësinë që ka ajo, ishte një antivlerë e shitur me buzëqeshje dhe lajle lule tregëtare… E kuptoj që në këto kohët e reja, mendimi për martesën është zgjeruar dhe relativizuar shumë. Por unë mbetem konservator e shkruaj, flas e mendoj si i tillë.. Jam besimtar gjithashtu e nuk mund ta pranoj që të përdhoset kaq rëndë institucioni i martesës duke ofruar shërbime martese ambulante në qendra tregëtare… Disa kufij të marrëveshjes dhe kuptueshmërisë së përbashkët sociale nuk duhen kaluar e as duhen prekur Mirë TEG dhe Ami Event bëjnë tregëti e sillen si tregëtarë, po ky Lal Eri që është funksionar publik, si nuk mendon fare për mesazhin tregëtarizues e çsolemnizues që jepet nga këto kronika televizive e këto gjeste të papërgjegjshme si këto ofertat e tipit: Kap një cep TEGu, marto 100 çifte… Është e papranueshme dhe nuk duhet lënë të kalojë e padebatuar kjo punë. Pikë.” Me pak fjalë, në këtë status, unë nuk jam marë fare me “fenomenin” Erion Veliaj. Thjesht kam bërë një reagim konkret mbi një rast konkret që mua më la shije fort të keqe. Atëherë mendoj me vete, përse ky kundër-reagim i Albert Nikollës, duke më përmendur fenomenin kulturor të Erion Veliajt dhe moskuptimin e tij mbi sulmet që i bëhen këtij të fundit? Me shumë gjasa, Nikolla mua më sheh si politikan, si Kryetar i një partie të vockël fare dhe si aleat të Lulzim Bashës dhe PD, ndaj edhe statusin tim e konsideron si pjesë të një makinerie të strukturuar sulmi ndaj fenomenit Veliaj. Por ja qe dua tia heq atij dhe Veliajt këtë merak, e tu them se unë nuk jam pjesë e as një makinerie propagande dhe veprimi të strukturuar. Shkruaj si Arian Galdini, si qytetar, si konservator ne bindje, e si besimtar në brendi. Gjasa e dytë mund të jetë që vetë Nikolla të jetë pjesë e një ndjeshmërie të strukturuar ose jo, që nuk lë rast pa bërë detyrën e propagandës pro Veliaj. Nuk e di nëse është kështu apo jo, por si gjasë edhe mund të jetë. Këtë le ta shtjellojë më mirë vetë Alberti. Sidoqoftë, tani dua ti them, meqë u ngacmova, nja dy fjalë edhe unë për fenomenin Veliaj. Si fillim po them se Veliaj nuk është aspak fenomen i ri kulturor. Është as më shumë e as më pak, një ripaketim me North Face i modelit Rama që projektuan Nano dhe Meta në vitin 2000 e në vijim. Partia Socialiste ngase është fort e vjetër, ka nevojë jetike për zmaltime, paketime dhe truke ndryshimi e rilindjeje, shpesh e më shpesh. Ardhja në pushtet e PS në vitin 1997, e bëri të duket epikisht të lashtë dhe të frikshme këtë parti. Prandaj u thirr “bohemi” Edi Rama me çorape të kuqe dhe shallvare, që të prodhohej laboratorikisht një model apelues tek rinia dhe një efekt fshehmëtar për moshën e tretë të kësaj partie me të shkuar diktatoriale e kriminale. Fatos Nano si liberal dhe huqeli nuk mjaftonte. Kaq e fortë ishte nevoja e kësaj Partie për këtë maskim me Aloe Edi Rama saqë, u kthye në pikë të fortë graviteti deri në ardhjen e tij në krye të saj. Rikthimi në pushtet në vitin 2013 i PS me në krye Edi Ramën, e maskuar si Rilindje, e nxorri shpejt në pah, vjetërsinë e saj kriminale. Duke qenë se Edi Rama, tashmë e kishte shndërruar në markë të tijën maskimin e PS, natyrisht që kishte dhe ende ka rezistencë gjenerike për të mos lejuar askënd që të ndërtojë një markë të re maske përpos asaj Aloe Edi Rama. I vetmi kandidat që nuk ngurron aspak të jetë fotokopje e zbehtë e një maske të tjetërkujt, ka qenë dhe mbetet Erion Veliaj. Do të kisha arritur deri tek një kompromis mirëkuptimi me Albert Nikollën, nëse Kryebashkiaku aktual i Tiranës, do tia kishte dalë së paku të bënte markën e tij të maskës Aloe Erion Veliaj, por të quash fenomen kulturor, maskën e maskës, më duket njëlloj si ta quajmë hënën ujk dhe ulërimën e ujkut hënë… Atletet dhe ekzibicionizmat eksentrike të Edi Ramës, e kanë sikterisur Erion Veliaj në një pionier të Edit që ka 3 muaj që vazhdon fushatën e agjipropit nën moton e kahershme të kohës së Njeriut të Ri: Dhjetori muaji pyllëzimit… Në vijim po përmend shkurt disa koncepte të cilat po e do ti zhvilloj edhe më tej.

  1. Modeli Rama që ka përvetësuar Veliaj, pra i njeriut që punon, është as më shumë e as më pak tregues i përkohshmërisë dhe akulturimit demokratik që kanë këta të dy. Njeriu i Ri i kohës së Enverit ishte njeriu që punon. Mbivendosja e kësaj propagande në një kohë të re, është as më shumë e as më pak një taktikë hidhnake dhe hileqare për ti imponuar qytetit një axhendë pakice. Lideri që i duhet një qyteti demokratik, më së pari duhet të jetë një lider që mendon, pastaj komunikon, e patjetër shërben e drejton.

 

  1. Veliaj nuk po punon e as po ndërton një qytet të qytetarëve për qytetarët.

Ai kërkon tê vetëlëvdohet si e reja dhe reformatorja që ia del mbanë mes vështirësive dhe përplasjeve me të vjetrën.

E qartë po bëhet çdo ditë e më tepër se asgjë të re nuk po bën Veliaj.

Sheshin Skënderbej e bëri si e ka dashur Edi Rama.

Planin e zhvillimit të qytetit po i bën si i ka dashur Edi Rama.

Lejet e ndërtimit dhe të kullave po i jep si do e si ka dashur Edi Rama.

Ku është risia këtu? Ku është fenomeni këtu? Ku është sensi i punës apo i shtetit këtu.

Më personalizim se kaq, të vizionit dhe udheheqjes së një qyteti, nuk mund të gjesh.

 

  1. Veliaj dhe Rama po e bëjnë Tiranën nga qytet ideologjik për partinë sikurse ka qenë në kohën e diktaturës, në një qytet oligarkik për partinë.

Zhvillimi i kryeqytetit tonë sipas interesave të pakicave oligarkike, po e shndërron qeverisjen e tij si qokë e shkëmbyer kokë më kokë, një rrugë e re për një kullë, apo një park fëmijësh për një kullë, apo një investim publik nga bashkia për një kullë, etj, etj…

Qytetarëve u shitet si qokë e nder prej Bashkisë që punon, çdo investim e detyrë e saj publike, ndërkohë që qyteti i gjithi i shitet në paketë një pakice oligarkësh që ndërtojnë kulla.

Qeverisja dhe sensi i shtetit nuk janë shkëmbim, qokë apo favor që u bëhet qytetarëve.

Kush e mendon kështu, vetëm sensin e punës dhe shtetit nuk ka.

Një qytet që zhvillohet nën vizionin dhe ngushtësinë e xhepave të një pakice oligarkike, nuk ka asnjë shans të jetë as demokratik e as për qytetarët.

 

Kam edhe plot të tjera për të thënë e për të shkruar, por për sot po e lë me kaq.

Dhe një gjë të fundit nuk mund ta lë pa e thënë.

Një Kryebashkiak që ka 3 muaj që del në TV vetëm si pyllëzues orbital, në fakt është vetëdemaskim i pamundësisë së tij reale për të bërë e paraqitur punë reale për qytetin.

Punët e publike që ai nisi me aq zulm të madh, e arritën qëllimin e tyre në momentin që qyteti u lemeris me atë pyllëzim monstruoz me kulla.

Tani vetëm me pemë mund të dalë në TV lal Eri, se kullat i bëjnë vetë oligarkët.

 

Pyllit Orbital po ia sheh hajrin lal Eri, se ka mundësi që për çdo pemë të dalë në TV.

 

Ndërsa ne, shumë shpejt lal Erit dhe Tiranës Oligarkike do ti shohim sherrin.

Nesër ky lal Eri do tê jetë lal Sherri.