‘Kurrë s’do ta sjellësh në shtëpi këtë rrospije“, Artan Fuga tregon skenën...

‘Kurrë s’do ta sjellësh në shtëpi këtë rrospije“, Artan Fuga tregon skenën e dhunës familjare që e tronditi: Çfarë duhet bërë

610
0

ARTAN FUGA/ Vështrimi që gjeneron dhunë!

 

 

(Si do e kisha shkruar një raport ngjarjeje po të kisha qenë polic)

—————————-

 

Shoqëria shqiptare herë pas here është tronditur nga krimi në familje, sikurse nga dhuna ndaj grave bashkëshorte prej burrave të tyre.

Shumë hipoteza janë dhënë për të gjetur shkaqet e këtij krimi sa të përbuzur aq edhe që shkakton drama.

+++

Më ka qëlluar në Tiranë të shoh një skenë dhune familjare që më tronditi.

Kisha kohë që mbaja në kokë hipotezën time lidhur me shkakun e vërtetë, jo pretekstet, e krimit dhe dhunës kundër gruas, por nuk e kisha verifikuar në ndonjë ndodhi e sipër.

 

Një zonjë disi e moshuar bërtiste dhe tentonte të godiste një grua të re pas fustanit të së cilës rrinte fshehur, në dramë e duke vuajtur, në prag të një qarje të madhe, kokëulur, një djalë i vogël rreth shtatë vjeç. Zonja e moshuar, shumë energjike, ulurinte, ishte prishur në fytyrë dhe përpiqej ta godiste gruan e re.

«Kurvë e keqe ! » – i bërtiste dhe i vërsulej ta rrihte. « Mos ta shoh më surratin, qelbësirë ! »

 

Katër ose pesë policë me radio, të gjorët, përpiqeshin në mes të ndanin të

dy gratë, ose më mirë ta mbronin gruan e re, nënën e djalit të ngratë, nga sulmet e zonjës të shëndoshë.

Ndala këmbët dhe po përpiqesha të kuptoja se çfarë po ndodhte. Cfarë e kishte revoltuar kaq shumë zonjën e moshuar ?

Nuk kuptohej asgjë.

Por nuk mund të largohesha andej pa kuptuar shkakun e atij sherri mes dy femrave.

 

Kur papritur në vendngjarje afohet një burrë i ri, i nxehur fort edhe ai, dhe me hov kërkonte të godiste gruan e re pas fustanit të së cilës fshihej fëmija i vogël.

 

U kuptua se çfarë po ndodhte. Ishte një skenë tipike dhune familjare.

 

Gruaja e moshuar e hoqi për një cast vëmendjen nga zonja e re që në fakt sillej qetë dhe me dinjitet dhe u hakërrua në drejtim të burrit që sapo erdhi :

 

“Edhe ti, ik, të bëj katërqind copash dhe nuk të lejoj më ta kesh grua këtë, kurrë nuk do të sjellësh më në shtëpi këtë rrospije.“

 

E kuptova që burri i ri ishte djali i gruas së moshuar dhe bashkëshorti i nuses së re pas fustanit të së cilës fshihej fëmija i trishtuar, viktima e pafajshme e këtij sherri.

 

Burri i ri u eksitua edhe më shumë nga këto fjalë dhe u vërsul ta godiste edhe më fort gruan e tij duke uluritur :

 

“Edhe mos guxo qelbësirë të kundërshtosh apo të shash nënën time, se ta marr shpirtin, a e morre vesh apo jo!”.

 

Mos kishin qenë katër policët aty do të ishte derdhur gjak ndofta.

 

Por, mendova : A ka mundësi shteti që pas cdo çifti t’i vendosë katër policë për të siguruar qetësinë bashkëshortore pra të ruajë rendin në familje? M’u kujtua Konfuci kur shkruante se kur një shteti i duhet të mbrojë marrëdhënien familjare me anë të forcës të ligjit, atëhere nuk është vetëm familja që ka marrë fund, është vetë shoqëria që ka prekur fundin e saj, është shteti që ndodhet në prag të degjenerimit.

 

Cfarë vura re në këtë skenë gati krimi, gati vrasjeje të amortizuar nga forcat e rendit?

 

Familja nuk dukej fare e varfër. Të veshur mirë, të qethur dhe krehur mirë. Të ushqyer shumë mirë. Një familje tipike e mesme shqiptare. Asnjë shenjë varfërie.

 

Cilat ishin karakteristika e kësaj skene dhune që besoj u ka shpëtuar policëve shpirt njeriu që vetëm këshillonin dhe hanin goditje sa nga zonja e moshuar sa nga i biri i saj?

 

E para, burri eksitohej dhe bëhej i dhunshëm në sytë e nënës, nën vështrimin e nënës. Ai vepronte në kushtet e spektaklit që dhuronte përpara nënës së tij. Dhuna e tij ishte e shtyrë nga të qënurit nën vëzhgimin e një autoriteti moral që priste nga ai të vinte “nderin” në vend. Dhuna në atë çast ishte një akt që kërkonte të vinte në veprim dhe të plotësonte vullnetin paraprak të nënës. Po të hiqej vështrimi i nënës, natyrshëm do të qetësohej edhe furia birësore e dhunës.

 

Nënë e bir ishin bërë njësh aq sa mendova një cast se ishte furia e incestit të fshehur mes tyre që me impulsin e vet vëzhgues po i transmetonte djalit forcën e errët të krimit ndaj gruas së vet.

 

Nëna ishte nxehur sepse mendonte hallin e të birit, i biri sulmonte sepse donte të plotësonte vullnetin e nënës dhe të tregohej i denjë në sytë e saj.

 

Së dyti, gruaja e re reagonte në vetëmbrojtje. Vetëmbrojtja e saj eksitonte edhe më shumë nënën që nga ana e asaj e cyste edhe më fort të birin, e kështu një rreth i tërë vicios, një shkakësi vetëqarkulluese e një dhune që sa vinte rritej.

 

 

A është vrasja dhe dhuna thjesht akt i një urrejtje? Frojdi e ka zgjidhur prej kohe këtë problem.

 

Jo, nuk mund të jetë dhuna ndaj femrës thjesht shenjë e urrejtjes së pastër.

 

E para sepse urrejtja është gjithmonë e ushqyer nga dashuria. Urrejtja pa dashurinë e fshehur kthehet thjesht në një neglizhencë, braktisje, indiferentizëm ndaj objektit njerëzor të urryer. Një qënie që vetëm urrehet hidhet tej në plehra, braktiset, harrohet, do që të rrish rehat prej saj. T’i ikësh, nuk i “ndyen duart me të”.

 

Dashuria, thoshte Frojdi, mijra përvoja kishte parë me sy, ka prirje në konjuktura të caktuara të transformohet në urrejtje atëhere kur personin e dashuruar kërkon ta nënshtrosh për ta dashur ashtu sikurse e përfytyron ti vetë atë dhe jo sikundër ai është në vetvete. Dashuria ndaj tjetrit pa kufij i merr atij lirinë dhe maksimumi i marrjes së lirisë është pikërisht dhuna ndaj tjetrit, asgjësimi i tjetrit.

 

Karakteristika e skenës të krimit të mundshëm ishte edhe fakti se burri po dhunonte edhe fëmijën e vet duke e traumatizuar atë. Ajo ishte pra njëkohësisht skenë dhune ndaj gruas, por edhe një shkatërrim i vetvetes. Tipike për tensionin mes dashurisë dhe urrejtjes që prodhon një sadizëm por edhe mazokizëm pra një shkatërrim të vetvetes në gjendjen e instiktit të pakontrolluar.

 

Arsyeja nuk funksiononte në ato çaste, burri nuk e kontrollonte më veten e tij, as nëna. Ishte një krim edhe kundër vetvetes.

 

Jo më kot më vajti ndërmend se një pjesë e krimeve ndaj femrave përfundojnë gjithnjë e më shumë dhe me tentativa vetëvrasjeje, jo më kot kërcënimi verbal bashkëshortor se “do të vras”, plotësohet edhe : “Pastaj do të vras edhe veten!”

 

Jo më kot pas vrasjes “trimat” kthehen në arësye dhe qajnë për atë që kanë bërë, por që nuk riparohet dot.

 

Pra, po t’i përmbledhim karakteristikat e skenës së krimit, ato janë dy më kryesoret dhe që shpjegojnë gjithçka.

 

E para, krimi në formën e një të vepruari skenik, para një spektaktori si autoritet moral që nxit për veprim. Dhuna e burrit ndaj gruas për t’i dhënë spektakël nënës së tij.

 

E dyta, veprimi nën formën e një sadomazokizmi, pra dhunë e shoqëruar me shkatërrim të vetvetes, në formën e një bashkimi me objektin e dhunës në një botë të përtejme, ku uni dhe tjetri, e mira dhe e keqja, nuk ekzistojnë të ndara, sepse të ndara, ato nuk ekzistojnë, si cdo kontradiktë, veçse si pjella të arsyes.

 

Atje ku arësyeja përgjumet nën veprimin e fortë të instiktit, pra të energjisë inçestuale, jeta dhe vdekja, uni dhe tjetri, krimi dhe dashuria, urrejtja dhe dashuria humbasin linjat ndarëse dhe bëhen njësh.

 

Mos arriftë njeriu në atë fazë sepse gjithka gjithkujt mund t’i humbë kontrolli i vetes. Nis ajo që quhet faza e çmendurisë që vjen prej të qenit në rol skenik, pra i vëzhguar nga një autoritet moral që vetëm me sy nxit drejt krimit.

 

Më duket se pjesa më e madhe e krimeve ndaj femrave bëhet në kushtet kur ekzistojnë spektatorë që vetëm me vëzhgimin e tyre dhe praninë e tyre nxehin gjakrat.

 

Burri vepron sigurisht nën pulsionin dashuri – urrejtje, gruan e do sikurse ai e mendon atë, pra pa fije kundërshtimi, porse gruaja si qenie me ndërgjegje ka lirinë e vet. Këtu burri luhatet.

Në atë cast hyn faktori “spektator” që e shtyn drejt urrejtjes të potencuar sikurse thoshte Frojdi nga një dashuri e errët.

 

Nëna me autoritetin e vet moral i kërkon djalit ta dominojë gruan e vet, lidhja incestuale shpërthen dhe del jashtë kontrollit. I jati i burrit të dhunshëm, me heshtjen e tij shpeshherë provokative e bën të birin të ndjehet i detyruar të veprojë dhunshëm. Ky i fundit duhet të ruajë “dinjitetin” e birit para syve të atit, para syve të motrave, vëllezërve, fisit, instikti i hordhisë dhe i tribusë shpërthen dhe kapërcen cdo barrierë dhe digë që u ka vendosur atyre arësyeja.

 

Kur kjo energji e hordhisë që kërkon unitet shpërthen plas urrejtja kriminale që potencohet edhe nga dashuria sepse e thamë një objekt që vetëm urrehet, nuk preket me dorë.

 

Nuk është pa gjë në këtë kuptim shprehja popullore : të rreh ai që të do! Urrejtja patologjike ushqehet nga një dashuri patologjike e kuptuar si identifikim i objektit të dashuruar me vetveten, shoqërohet me heqjen e cdo lirie qenies së dashur për të qenë tjetri, si subjekt i pavarur.

 

Ka që dashurojnë në mënyre të sëmurë tjetrin.

 

Por, ka edhe dashuri të sëmurë herëpashere të nënave për bijtë e tyre dhe të bijve për nënat, çka bën që ta pësojnë bashkëshortet apo partneret e ardhshme.

Por, ka edhe dashuri të sëmurë herëpahere të etërve për vajzat e tyre apo të vajzave për etërit, çka e pësojnë si presion psikologjik bashkëshortët apo burrat e ardhshëm. E këta të fundit reagojnë dhunshëm ndaj bashkëshorteve të tyre nën vështrimin e “spektatorëve” që i konsiderojnë edhe armiq.

 

Vrasja e femrës nga burri apo edhe vetëm dhuna është një akt kriminal komunikativ. Ajo kryhet si formë akti skenik, pra para syrit të një grupi spektatorësh që e nxisin patologjinë e pasionit të tij dhe në castin final e bëjnë kriminelin të humbasë mendjen.

Cdo spektakolarizim i konfliktit familjar, pra kthim i tij në një shfaqje para syve të nënës, vëllait, sidomos motrave, edhe vëllëzërve, që as ata nuk janë aq të pafajshëm, të fisit, të vjehrrës, të vjehrrit, të mediave, të shokëve, miqve, nxit dhunën.

Parë kështu burri kriminel është toga e pushkatimit, xhelati, atentatori, ekzekutuesi psikologjik i krimit, kurse porositësi i krimit, shtyrësi në krim, brohoritësit e krimit, nxitësit janë një sërë aktorësh të tjerë familjarë, shoqërorë, mediatikë që me vëzhgimin e tyre, me ahet dhe uhet e tyre, me mimikën dhe sjelljen e tyre, me fjalet e shkëputura vrastare, e nxisin aktorin në skenë të kryejë aktin e vërtetë kriminal.

 

Romakët bënin kështu me gladiatorët. A nuk kërkojnë politikanët të veprojnë nën efektin e turmave në miting në akte politike spektakël?

 

Burri kujton se vret në skenë, sepse vret për spektatorin, shpesh potencuar nga një dashuri patologjike dhe po në skenë hakmerret ndaj krimit të bërë, pra hakmerret ndaj spektatorve të dashur që e duartrokasin në fshehtësinë e tyre malinje, duke dëmtuar vetveten.

 

Ndëshkimi ndaj vetvetes është hakmarrja e tij ndaj spektatorit duke i dëmtuar edhe ata.

 

“Mbani tani fëmijët e mi ! Futeni në dhé tani edhe djalin tuaj që ju e vratë duke më shtyrë të vras Doruntinën time!

Të poshtër! “

 

Cfarë duhet bërë?

 

Hiqni spektatorin hipokrit dhe vrastar që të bjerë intensiteti i dhunës së burrit ndaj gruas!

 

Kujdes në qendrimin e opinionit spektator ndaj fatit të familjes bërthamë.

 

Larg duart nga familja e çiftit prej nënës, atit, vjehrrit, vjehrrës, vëllait, motrës, kunatit, fisit, xhajës, dajës.

 

Kujdes sidomos me vështrimin

 

Padashur syri nxit dhunë.