Komunizmi ka bërë krime kudo, por në Shqipëri kalon në kufijtë e genocidit. I kapërcen kufijtë e imagjinatës trajtimi mizor, që i është bërë popullit shqiptar në përgjithësi dhe pjesës së “armiqve të popullit” në mënyrë të veçantë. Nëse të gjithë shqiptarët kanë vuajtur nën diktaturë mbi një pjesë të tyre është kryer genocid. Pra, duhet thënë hapur e pranuar plotësisht se në Shqipëri gjatë periudhës së “diktaturës së proletariatit” është kryer genocid ndaj një pjese të popullsisë, e cila ishte apo është etiketuar kundërshtare politike e sistemit komunist. Plagët janë ende të hapura, pak ish të burgosur politikë në burgjet e tmerrshme e kampet e shfarosjes masive janë ende gjallë, ndërsa familjet e tyre ende të pa rimëkëmbura. Kjo pjesë e popullsisë shqiptare ka treguar një nivel qyetetarie që e nderon popullin shqiptar. Asnjë vrasje nuk është kryer pas rrëzimit të sistemit komunist për motive të këtij persekutimi të pashembullt. Shqiptarët, ky popull i vogël i Nënë Terezës, ka besuar se urrejtja nuk mund të zhduk urrejtjen, por me dashuri e mund atë. Thjesht të lexosh kujtimet nga burgjet dhe kampet komuniste të disa prej ish të burgosurve politikë, të zë tmerri dhe është e vështirë të besohen sot edhe nga brezi ynë, që jetoi pak kohë nën diktaturë. Fëmijët tanë e kanë të pamundur ta besojnë historitë që tejkalojnë imagjinatën e filmave horror, në fakt nuk janë thënë të gjitha e kurrë nuk mund të thuhen. Është thënë aq sa mund të shprehet me fjalë. Është shumë e thjeshtë, vetëm kërko në Google dhe gjen pa fund dëshmi rrënqethëse të një tiranie të zezë.
Kampi i Tepelenës është një nga kampet më të zinj edhe për një fakt: Kampi i Tepelenës në vitet 1949 – 1953, mund të konsiderohet si kamp i internimit dhe vdekjes në masë të fëmijëve. Kampi i Tepelenës grumbulloi një numër të madh fëmijësh, duke e bërë regjimin komunist shqiptar krejt origjinal në Lindjen komuniste, pasi asnjë regjim tjetër nuk kishte treguar këtë egërsi ndaj fëmijëve.
Vdekshmëria e madhe e fëmijëve në kampin e Tepelenës, por edhe nevoja për të konsoliduar institucionin e internimit solli mbylljen e dy kampeve të fundit tela me gjemba në fund të vitit 1953. Kampi i Tepelenës u be i njohur në arenën ndërkombëtare, madje duke zënë vend në raportin e Qeverisë Amerikane paraqitur në OKB në shkurt 1955. Kampi mbahet mend për trajtimin e keq ndaj të internuarve duke i lënë pa ushqim, duke i përdorur në punë të rënda, duke i lënë të paveshur e në mëshirë të sëmundjeve të shumta. Vetem ne nje tremujor te vitit 1953 ne kamp vdiqen nga turturat (uria dhe kolera) rreth 300 te burgosur.
Çfarë po kërkohet sot dhe pse gjithë kjo histeri kundërshtuese, biles edhe nga ish kongresisti arbëresho-amerikan, që ka një kontribut të madh në promovimin e problemit shqiptar në Ëashington DC…? Po kërkohet thjesht hapja e këtij kampi dhe kthimi i tij në muze, për të kujtuar fëmijët dhe të tjerët që vdiqën nga kolera komuniste. Vdiqën në tortura të tmerrshme të një sistemi të zi, nuk u dihen varret shumicës së tyre. Po kërkohet hapja për të mos u fshirë kujtesa historike dhe përkujtuar heronjtë dhe viktimat e asaj kohe të zezë. Si mundet të kundërshtohet kjo, mbi çfarë bazash morale apo ligjore. Marrja në mbrojtje e krimeve të komunizmit në çfarëdo forme duhet dënuar masivisht. Edhe prononcimi nga padija në këtë rast nuk është e pranueshme.
Unë, që shkruaj z. DiGuardi (dhe të tjerë) ruaj në vete kujtimin e rrëfimeve të tmerrit komunist. Thashë më sipër se dëshmitë janë të shumta dhe rrënqethëse, por unë po të tregoj vetëm njërën, atë të familjes sime Z. Dioguradi, historinë e nënës së madhe- gjyshes sime Drande Jakja Bushgjokaj. Familja ime ka qenë dhe mbetet një famije patriotësh antikomunistë. Gjyshi im Vuksan Preka u ekzekutua nga komunistët Jugosllave në Kosovë në bashkëpunim me sigurimin e fshehtë shqiptar për shkak të aktivitetit të Tij në të mirë të demokracisë dhe idealit kombëtar, në Shqipëri dhe Kosovë. Ky burrë vigan i maleve të Shqipërisë, që nuk pranoi ti nënshtrohej komunizmit, e deshi të lirë Shqipërinë dhe Kosovën e sot më bën të ndihem krenar. Ai u ekzekutua në Pejë të Kosovës së bashku me 102 patriotë antikomunistë shqiptar, që përfaqësonin shumicën e familjeve të njohura të veriut të Shqipërisë, i akuzuar si bashkëpuntor i CIA-s amerikane. Pas arratisjes së gjyshit për në Jugosllavi, më 5 tetor 1948, gjyshen Drane e internuan me 4 fëmijët e saj në kampin e Tepelenës. E internuan së bashku me dy vajzat dhe dy djemtë, babain tim atëkohë 7 dhe Zefin 2 vjeçar. Ajo iu nënshtrua punës së detyruar ne kushtet e skllavërisë. Të lënë në kushtet e ferrit , vetëm gjatë gushtit të 1949, 33 fëmijë humbën jetën brenda natës në Kampin e Turanit. Ndër viktimat fëmijë të asaj nate ishte dhe djali i vogël i Dranjës, Zefi 2 vjeçar. Vetë gjyshja Drane u përkujdes për varrosjen e të birit Zefit te vogel me duart qe i dridheshin nga frika se mos i zhduknin edhe eshtrat . Për gjashtë muaj e vaditi me lot varrin e djalit foshnje deri sa kur u la për tu kthyer në fshatin tonë , në shtëpinë e rrënuar e zhvarrosi kufomën e Zefit duke e marrë me vete. Kufomën e të birit ( xhaxhait tim 2 vjeçar), mbështjellë edhe në lëkurë dhije e fshehur në gji.. Pas shtatë ditëve rrugëtim me makinë e në këmbë nga kampi i internimit në Btoshë, gjyshja Drane e varrosi Zefin e vogël dy vjeçar pranë gjyshit të tij, Prekë Ndout, në trollin e Zeqir Demës, në fshatin e tij të lindjes. E pra kjo nuk është legjendë megjithëse i kapërcen edhe kufijtë e imagjinatës për ata pseudo historian opo” intelektuale” shqiptarë, që sot e dje përpiqen sa munden për të retushuar historinë tragjike të popullit shqiptar nën komunizëm. Vetë gjyshja ime te cilen e desha me gjithe shpirt, ka treguar : “për njëzet e katër orë kanë vdekë në kampin e Turanit tridhjetë e tre fëmijë. Në çdo cep të kazermave, mrena e jashtë veç britmë e vaj ndigjojshe. Hidhërim të madh për vdekjen e atyne vocrrakëve, në këtë humnerë të qeverisë dhe dëshpërimi i thellë i familjeve, nuk mjaftonte koha për të hapur vorre…” Besoj se nuk ka nevojë për më shumë. Mbrojtja edhe nga padija e një krimi nuk të bën të pafajshëm, së paku moralisht. Kampi duhet të ngrihet! Memorja historike e shqiptarëve nuk duhet të vritet me harresë. Historia e këtij kampi nuk ka të bëjë me tepelenasit e as tropojanet, se askush si pyeti ata, por me komunizmin dhe krimet e tij, me të shkuarën dhe të nesërmen ndryshe të Shqipërisë.