Për herë të parë në histori, sot në zyrën e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut do të jetë një shqiptar, i cili është Talat Xhaferi.Xhaferri ka marrë detyrën si kryeministër, e dorëzuar nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.
“Qeveria në bashkëpunim me Kuvendin, KSHZ-në, OSBE-ODIHR, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të zbatojë të gjitha parakushtet operacionale duke mundësuar që zgjedhjet të zhvillohen me ligjshmëri të plotë, legjitimitet dhe pranim konsensual të vullnetit të qytetarëve. Mbajtja dhe avancimi i partneritetit strategjike të RMV-së me Bashkimin Evropian, NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë prioritet i kësaj qeverisë.
Nuk ka alternativë tjetër për vendin tonë përveç integrimit evropian. Mbetet në fokus të qeverisë anëtarësimi në BE deri në vitin 2030.
Prioritet i kësaj qeverie do të jenë edhe reformat ekonomike në vend, sundimin e ligjit dhe rritja e standardit jetësor në vend”, tha Xhaferi në fjalën e parë si kreu i qeverisë.Qeveria teknike e drejtuar nga Talat Xhaferi, me mandat 100 ditor, u votua dje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut me 65 vota pro, 3 kundër dhe asnjë abstenim.Qeveria teknike e Xhaferit ka mandat organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj. Gjatë debatit parlamentar më herët gjatë 28 janarit, Xhaferi prezantoi programin e punës së Qeverisë, e cila do të ketë mandat prej 100 ditësh, për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të caktuara për 8 maj.
Xhaferi, që më herët ka mbajtur postin e kryetarit të Kuvendit, tha se pa marrë parasysh se sa gjatë do të jetë në krye të Qeverisë, ai do të bëjë gjithçka për të përmbushur detyrimet, në përputhje me Kushtetutën dhe pritjet e qytetarëve.
“Prioritet i parë do të jetë organizimi i zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në mënyrë të rregullt dhe demokratike. Për mua si mandatar, pa marrë parasysh nëse do ta drejtoj këtë Qeveri një ditë apo 100 ditë, unë këtë detyrë, këtë përgjegjësi dhe besimin e dhënë do ta kryej me përgjegjësi, ashtu siç kam vepruar edhe me sfidat tjera që ishin para meje. Për asnjë moment nuk do të lëshoj pe nga ajo që nënkupton Qeveri efikase, funksionale dhe përgjegjëse. Unë dhe Qeveria do të vazhdojmë të punojmë për realizimin me sukses dhe efikasitet të plotë të politikave të qeverisë”, tha Xhaferi.
Mandatari për formimin e Qeverisë teknike tha se ekzekutivi që ai do drejtojë, do të mbetet e fokusuar në agjendën evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit, rritjen e pagave dhe pensioneve, uljen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe uljen e inflacionit.
“Qeveria do të mbetet e përkushtuar në planin për rritje ekonomike, që është pjesë e planit për zgjerimin e Bashkimit Evropian…Lufta kundër ekonomisë joformale nuk do të ndalet. Do të jemi transparent në punën tonë dhe me financat publike. Problemet e qytetarëve në nivel lokal, pavarësisht se të cilës komunë i takojnë, do të kenë mbështetjen e plotë të pushtetit qendror”, u shpreh Xhaferi.