Kosovë-Shugurohet sot Katedralja “Nënë Terezë” në Prishtinë

Kosovë-Shugurohet sot Katedralja “Nënë Terezë” në Prishtinë

949
0

Behlul Jashari/.-Katedralja-Shenjëtorja Shën Nënë Tereza në Prishtinë shugurohet sot në orën 11:00 nga i Dërguari i Posaçëm i Papa Françeskut, Kardinali shqiptar Ernest Simoni – Troshani, i cili mbrëmë ishte i pranishëm edhe në meshën Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në kryeqytetin e Kosovës.

Shugurimi i Katedralës Nënë Tereza bëhet në 5 shtator 2017, në ditën që përkon me 1 vjetorin e shenjtërimit e të 20 vjetorit të kalimit në amshim të shenjëtëreshes shqiptare.

Kardinal Simoni, gjatë ditës së djeshme të mbërritjes në vizitën treditore, fillimisht qëndroi në Katedralen e Prizrenit “Zoja Ndihmëtare” , ndërsa në Prishtinë në Rezidencën e Ipeshkvisë në konferencë shtypi është shprehur i lumtur që ndodhet në Kosovë dhe është lutur e ka uruar që të ketë rritje të dashurisë vëllazërore, të mbizotërojë begatia e harmonia.

Gurthemeli i Katedrales në Prishtinë është vënë në 26 gusht 2005 për nder të 95 vjetorit të lindjes së Nënës Terezës nga ana e Presidentit historik Ibrahim Rugova, Ipeshkvit të Ipeshkvisë së Kosovës Imzot Mark Sopi dhe Kardinalit të Uashingtonit Teodor Mekkerik, ndërsa ndërtimi i saj është bërë i mundur nga donatorët e diasporës shqiptare nëpër botë. Rezultati është një Katedrale madhështore në qendër të kryeqytetit të Kosovës, e lartë 32,50 metra, e gjerë 42,30 metra dhe e gjatë 77,40 metra.

Në festën e shugurimit të katedrales janë të pranishëm edhe shqiptarë nga Shqipëria e viset tjera etnike dhe diaspora.

Shqiptarët nga SHBA – Këshilli i Fondacionit për ndërtimin e Katedralës Nënë Tereza në Prishtinë, që vepron në Nju Jork dhe rrethinë, kanë kontribuar për mëse 9 vite me 2 milionë dollarë, që janë mbledhur dhe janë dorëzuar.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji në fjalën përshëndetëse në hapje të “Ditëve të Nënë Terezës”, në 26 gusht, vlerësoi lart të gjitha kontributet. “Dua me këtë rast të falënderoj të gjithë donatorët, që na kanë ndihmuar për ndërtimin e kësaj Kishe, ata që janë sot prezentë e ata që do të jenë me 5 shtator”, është shprehur Ipeshkvi Gjergji.

Mbrëmjen e djeshme, pas meshës në Kishën Shën Ndou, Ipeshkvia e Kosovës ftoi edhe në darkën e falënderimit për donatorët e ndërtimit të Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.

“Që nga shekulli i 4-të është zakon që një kishë katolike të fillojë të përdoret në formë solemne, para së gjithash në një kremtim solemn eukaristik – në meshë të shenjtë (shërbesë liturgjike). Zakonisht një kishë e re kushtohet, respektivisht shugurohet nga ipeshkvi i vendit.

Riti i shugurimit të Shenjtërores Shën Nënë Tereza në Prishtinë fillon me procesionin nga rezidenca ipeshkvore drejt dyerve hyrëse të kishës. Prijnë ministrantët (shërbestarët liturgjikë) dhe priftërinjtë bashkëkremtues pas të cilëve shkojnë i Deleguari i posaçëm i Vatikanit kardinali shqiptar Ernest S. Troshani i shoqëruar nga ipeshkvi i vendit Mons. Dodë Gjergji bashkë me ipeshkvinjtë e tjerë të ftuar. Në hyrje të kishës bekohet uji i përgatitur për të bërë ripërtëritjen e dëshmisë së pagëzimit të besimtarëve. Duke hyrë, kisha dhe hapësira e kishës spërkaten me ujë të bekuar. Në ndërkohë këndon kori i kishës i cili do ta përcejllë ceremoninë gjatë gjithë kohës.

Vijojnë leximet nga Shkrimi i Shenjtë. Pas Ungjillit dhe predikimit vijon kushtimi apo shugurimi në kuptimin e plotë të fjalës, i cili hapet me litanitë – ku thirrën në ndihmë ndërmjetësia e shenjtërve dhe shenjtëreshave të Kishës katolike. Vijon vendosja e relikteve – pikat e gjakut të Shën Nënë Terezes, në vendin e përgatitur – te truporja e saj anash altarit kryesor. Pastaj altari pastrohet me ujë të bekuar dhe lyhet me bagmin apo vajin e shenjtë. Gjithashtu me këtë vaj të shenjtë lyhen edhe dymbëdhjetë kryqet e apostujve në muret e kishës. Mbi altar digjet temjani apo kemi, shoqëruar nga një këngë e kënduar e bashkësisë dhe lutja e kushtimit nga ana e ipeshkvit. E gjithë kjo pasohet nga kremtimi eukaristik – kushtimi i dhuratave, respektivisht kujtimi i Darkës së fundit të Jezu Krishtit.

Në përfundim të gjithë besimtarët e këndojnë lutjen ‘Lavd e ndera të qoftë, o Zot’ në shenjë mirënjohje për këtë ngjarje të rëndësishme. Të pranishmit shpërndahen pas marrjes së bekimit solsolemn të kardinalit”