Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka nxjerrë udhëzime të reja rreth asaj që ka shkaktuar konfuzion tek qytetarët, nëse mund të infektohen apo jo me koronavirus nga ushqimi i paketuar.
Këshillat e fundit mund të ndihmojnë publikun që të kuptojë më mirë situatën, raporton Daily Star.
Udhëzimi thotë se “është shumë pak e mundur që ju të mund të infektoheni me coronavirus nga ushqimi” sepse sëmundjet e frymëmarrjes “nuk dihen të transmetohen nga ekspozimi ndaj paketimit të ushqimit ose ushqimit”, bënte me dije agjencia e Standardeve të Ushqimit në fillim të këtij muaji.
Ata që ishin të shqetësuar në lidhje me kontaminimin e mundshëm të ushqimit janë siguruar në udhëzimin e ri që thotë se, edhe nëse virusi ishte i pranishëm në ushqim, “gatimi i plotë i tij do të vrasë virusin”.
Këshillat e lançuara gjithashtu nuk harrojnë t’i kujtojnë qytetarëve që të lajnë duart rregullisht me sapun dhe ujë – siç është rekomanduar nga NHS që nga fillimi i shpërthimit të pandemisë- veçanërisht përpara se të gatuajnë ushqimin ose të hanë.
Informacioni i ri thekson se rreziku i kontaminimit me koronavirus të ushqimit dhe paketimit të tij është “shumë i ulët”.
Kjo nxit që bizneset që merren me ushqimin t’i përmbahen procedurave të higjenës dhe sigurisë, dhe që personeli në industrinë e prodhimit të produkteve ushqimore “t’i kërkohet” të mbajë një shkallë të lartë të pastërtisë personale dhe të mbajnë veshje të përshtatshme, të pastra”.
Dokumenti me këshilla shpjegon se: “Kur blini ushqime si fruta, perime ose bukë në një furrë buke, provoni dhe prekni vetëm atë që do të blini.”Konsumatorëve u kujtohet gjithashtu se ata duhet të mbajnë një distancë prej dy metrash me të tjerët, dhe “të blejnë vetëm atë që ju nevojitet”.