Nga Agnese Ferrara, Repubblica
Edhe pse zakonisht fëmijët sëmuren më lehtë nga gripi, në rastin e koronavirusit të ri, gjërat duken ndryshe. Fëmijët e infektuar janë shumë më të pakët se të rriturit.
Atëherë përse duhet t’i mbajmë brenda, siç thuhet në dekretet ministeriale dhe rekomandimet e mjekëve?
Përballë konfuzionit që po qarkulon mbi këtë propozim, një përgjigje e qartë, përveç sensit të përbashkët që duhet të mbizotërojë në këto raste, vjen nga shkenca.
Pediatrit amerikanë, në një artikull të publikuar sot në Jama Pediatrics, analizojnë përhapjen e Covid-19 te fëmijët që banojnë në vendin ku u shfaq për herë të parë, në Kinë, duke bërë vlerësime mbi bazën e këtyre të dhënave shkencore, përfshirë arsyet se përse fëmijët tanë sëmuren më pak.
“Ky është një informacion i dobishëm për të kuptuar më mirë parimin e parandalimit të miratuar në vendin tonë, sipas të cilit të gjithë duhet të qëndrojmë në shtëpi,” komenton Alberto Villani, president i Shoqatës Italiane të Pediatrisë (SHIP), i cili ka hartuar 10 këshilla praktike për familjet me fëmijë, me titull ‘Ne jemi në shtëpi’, që gjendet në faqen e internetit të SHIP.
Hipoteza dhe skenarë
Jama Pediatrics thotë se nga më shumë se 72 mijë raste me Covid-19 të regjistruara në Kinë, 1.2 përqind janë djem të moshës 10 deri në 19 vjeç dhe 0.9 përqind janë nën moshën 10 vjeç. Mes tyre ka vetëm një vdekje në mesin e adoleshentëve dhe nuk ka vdekje te fëmijiët nën moshën 10 vjeç. Simptomat nuk janë të njëjta si te të rriturit dhe ka disa fëmijë asimptomatikë.
Në dritën e këtyre të dhënave, studiuesit mendojnë se shkaqet e përhapjes së ulët te fëmijët mund të jenë të ndryshme.
“Shkalla e përhapjes më të ulët te fëmijët kinezë mund të vijë për shkak të ekspozimit të ulët ndaj virusit”, thotë autorët.
“Ose për shkak të një imuniteti të mundshëm të fituar tashmë nga viruset e tjera të së njëjtës familje që kanë prekur vendin gjatë viteve të fundit”.
“Ata ende mund të varen nga probabiliteti i zvogëluar i manifestimit të sëmundjes, edhe nëse janë të infektuar me virus. Duhet marrë në konsideratë edhe prania e fëmijëve të infektuar, por asimptomatikë, që mund të jenë burim i infeksioneve të reja për fëmijët dhe të rriturit e tjerë”.
Nuk duhet ulur vigjilenca
“Për këto arsye, edhe përkundër frekuencës së ulët të sëmundjes te fëmijët, nuk ka asnjë arsye për të ulur vigjilencën,” thonë specialistët amerikanë, të cilët kujtojnë se strategjitë e izolimit social janë jetike edhe për një grup të veçantë fëmijësh, ata që preken nga sëmundje të tjera si astma, sëmundjet e mushkërive, sëmundjet kardiake, sëmundjet neuromuskulare apo fëmijët me probleme të imunitetit, që janë veçanërisht të ndjeshëm ndaj Covid-19”.
Shoqata e Pediatrisë
Villani komenton: “Të dhënat konfirmojnë edhe njëherë se në këtë moment të epidemisë duhet të qëndroni në shtëpi dhe të dilni vetëm për arsyet e raportuara qartë në dekretet ministrore. Ekzistojnë gjithashtu raste të fëmijëve asimptomatikë dhe bartës të virusit dhe për këtë arsye ata janë në gjendje për të infektuar bashkëmoshatarët e tjerë që takojnë në rrugë, ose të rriturit dhe gjyshërit”.
“Prandaj, nëse keni hapësira në natyrë, si tarraca, kopshte apo kopshte të brendshme, është e dobishme që të planifikoni një orë në ditë aktivitet për fëmijët, duke respektuar në mënyrë të rreptë distancimin social me të huajt. Në të kundërt, është mirë t’i mbani brenda ku mund të kryejnë shumë aktivitete alternative, përfshirë pjesëmarrjen në punë shtëpiake dhe gatimin me prindërit”.