Në rast të një skenari të ngjashëm me Italinë, spitali infektiv në QSUT do të vihet i gjithi në dispozicion të të sëmurëve me koronavirus. Mediat nuk janë lejuar deri më sot të filmojnë nga brenda ambientet e izolimit, dhe uniformat speciale të personelit mjekësor në shërbimin infektiv të reklamuara nga qeveria përmes faqes zyrtare të ministrisë së shëndetsisë. Ndërkohë pamjet i përkasin inagurimit të urgjencës së re infektive regjistruar në shkurt të 2019.
Të njëjtat burime pohuan për News24 se në të gjithë shërbimin infektiv janë operative 4 aparatura të ventilimit mekanik, thënë ndryshe respiratorë. Të 4 aparaturat ndodhen në reanimacionin e shërbimit infektiv ku momentalisht kurohen të sëmurë të tjerë që në rast të shfaqjes së koronavirusit do të duhet të transferohen në shërbime të tjera brenda QSUT-së ose në spitale të tjera.
Por nëse nga njëra anë proklamohet nga qeveria se janë marrë të gjitha masat për të përballuar një skenar të ngjashëm me Italinë nga ana tjetër mësohet se i gjithë Spitali Infektiv ka në dispozicion vetëm 4 aparatura të ventilimit mekanik që konsiderohen jetike për rastet me komplikacione tepër të rënda në mushkri, si pneumonitë bilaterale që kërkojnë intubim të menjëhershëm.
I ndërtuar rreth 50 vite më parë Spitali Infektiv në QSUT, ku qeveria ka vendosur të trajtojë rastet e mundshme me koronavirus nuk ka sistem ajrimi qëndror, e ajrimi i vetëm bëhet duke hapur dritaret.
Përjashtim bën kati i parë që shërben si urgjencë i rikonstruktuar prej një viti, por me një ndryshim që sistemi i ajrimit nuk është me cikël të mbyllur.
Ndërkohë një tjetër burim tha për News24 se prej disa ditësh po punohet për shtrirjen e sistemit të oksigjenimit në të gjitha dhomat e spitalit infektiv që në total numëron 76 shtretër.