Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka vendosur shkarkimin nga detyra për prokurorin e Krimeve të Rënda, Gentian Osmani, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Prokuror i Krimeve të Rënda, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por Komisionieri Publik ankimoi vendimin në KPA pranë Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivelin e besueshëm.
Sipas Komisionerit Publik, prokurori nuk ka arritur një nivel të besueshëm për të shërbyer në sistemin e drejtësisë.
“Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, nisur nga parashikimi i nenit 179/b/5 të Kushtetutës, neneve C/2, Ç, D, DH, E dhe F/7, të aneksit të Kushtetutës, konsideron se, ndryshe nga sa ka konkluduar Komisioni i Pavarur i Kualifikimit për kriteret e vlerësimit, nuk krijohet bindja se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivelin e besueshëm, sipas nenit 59/1 të ligjit nr. 84/2016. Kërkojmë që shkaqet e këtij ankimi së bashku me denoncimin nga publiku të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në zbatim të nenit 66, të ligjit nr. 84/2016, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gentian Osmani. Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, thuhej në njoftim.