Kokainë e nisur nga Ekuadori, dëshmia e oficerit: Ndaluam para një hoteli...

Kokainë e nisur nga Ekuadori, dëshmia e oficerit: Ndaluam para një hoteli dhe hapëm pakot….

386
0

Një prej personave të arrestuar nga aksioni policore antidroge mes Shqiperise dhe Greqise, per kontenieret me kokaine ardhur nga Ekuadori, Ardian Bega, oficer i sigurisë në portin e Durrësit, ka deshmuar para hetuesve dhe ka treguar se si kishte arritur që të merrte drogën nga të dy kontejnerët, bashkë me personin që e kontaktoi atë, shpallur ne kerkim.

“BalkanWeb” ka mësuar itinerarin e rrugës që ndoqi Ardian Bega (i arrestuar) dhe shtetasi me inicialet G.M., (i shpallur në kërkim), për të marrë sasinë e kokainës së fshehur në kontejnerët me banane, e cila më pas u hodh në zonën e Shkëmbit të Kavajës.

 

Në deshmine e dhene, Bega ka thene se pasi shtetasi me inicialet G.M., kishte pikasur se gjithçka ishte lojë, për shkak edhe të mbështjelljes sipas tij të dyshimtë, (brenda pakove kishte oriz) e hodhi atë jashtë makinës.

“Vendosëm të hyjmë në port nga ana e Urës së Dajlanit dhe në fund arritëm që t’i merrnim pakot. U nisëm të dy drejt Shkëmbit të Kavajës dhe përpara hotel L… kuptuam se diçka nuk shkonte. Kur shtetasi G.M i pa pakot ai e kuptoi dhe tha; “Nxirre qe ta shikoj me ça është e mbështjellë”. Dhe u kur i pa, ai e kuptoi se gjithçka ishte lojë dhe se po ndiqej nga policia. Ai më tha; “Nuk është kjo mbështjellja që kemi kërkuar. E gjitha është një lojë”. Menjëherë vendosi t’u thotë personave që ishin në makinë (me targa franceze) që të mos flisnin më, pasi brenda mund të kishte çip”, mësohet të jetë shprehur Ardian Bega para oficerëve të policisë. Lala raporton për ‘BalkanWeb’ se shtetasi me inicialet G.M., ka hedhur jashtë automjetit drogën dhe është larguar bashkë me personat e tjerë që ndodheshin në makinë.

Në lidhje me këtë çështje janë shoqëruar disa persona, përfshi këtu oficerë sigurie në portin e Durrësit, apo dhe pronari i një hoteli, ndërsa janë lënë të lirë pasi është vërtetuar se nuk kanë lidhje me drogën. Aktualisht përveç Begës, i arrestuar është dhe shtetasi Altin Myslihaka.

Sakaq, zbulimi i linjës së trafikut të kokainës dhe më pas vënia nën vëzhgim e kontejnerëve me banane ku ishte futur orizi në vend të drogës ka bërë që ngarkesa të ngelet ‘jetime’ në Portin e Durrësit.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se nuk dihet biznesmeni misterioz që ka porositur kontejnerin me banane, në të cilin është vendosur nga policia greke që ngarkesa e kokainës të zëvendësohet me oriz.

Oficeri i sigurisë në Port Ardian Bega ne deshmine e tij ka deklaruar gjithashtu se shtetasi G.M. i ka kërkuar të shkojë në port dhe të ndihmojë për të nxjerrë nga dy kontejnerët e ngarkuar me banane dhe që kishin ardhur nga Ekuadori, ndaluar në Pire në Greqi dhe më pas në drejtim të Portit të Durrësit.

Në momentin që ata e kanë marrë ngarkesën me një automjet me targa franceze, janë larguar në drejtim të Shkëmbit të Kavajës e pikërisht para një hoteli, konkretisht në hyrje të një tuneli, shtetasi G.M., ka kërkuar të shohë ngarkesën dhe nga përgjimet rezulton se në momentin që ka parë se droga nuk ishte mbështjellë sikurse e kishte kërkuar, e ka kuptuar se po ndiqeshin nga policia dhe se e gjitha ishte një lojë dhe iu ka kërkuar Altin Myslihakës dhe Ardian Begës me të cilët ishte në makinë që të mos flisnin pasi ngarkesa mund të ishte me GPS.