Kleanthi Gjika, Trompisti i parë i Operas shqiptare që përfundoi kuzhinier…

Kleanthi Gjika, Trompisti i parë i Operas shqiptare që përfundoi kuzhinier…

1967
0

 “Flisja me Ramën katër vjet rresht në telefon, por ja çfarë ndodhi në fund…”

Nga Eglantina Alliaj

Shumë pak vetë kanë njohuri për veglën muzikore të quajtur Trompë, dhe aq më pak akoma për ata që i bien kësaj vegle të quajtur Trompistë. Trompistët dhe trompa  në Shqipëri mbeten një histori thuajse e kaluar. Pak të tillë kanë mbetur në të pakta orkestra në vend, atë të RTSH apo TKOB. Shumica e trompistëve nuk dihet ku kanë përfunduar. Por historia e trompistit të parë të operas shqiptare Kleanthi Gjika të lë vërtetë pa fjalë. Nga një muzikant virtuoz ai ka përfunduar në kuzhinier të suksesshëm. E nisi këtë të fundit pasi dashuria e madhe e jetës së tij trompa u kthye në “mollë të ndaluar”. Pavarësisht se gatimi është një nga hobet e tij, trompën nuk do ta ndërronte me asgjë tjetër. Në një rrëfim për “vizion.com.al”, ai tregon historinë e jetës së tij….

Historia e Kleanthi Gjikës

56 vjecari nga Këlcyra përfundoi Liceun artistik dhe Institutin e Arteve për trompë. Në 1986 me një konkurs ku morën pjesë dhjetëra konkurentë, ai shpallet trompisti i parë i orkestrës së TKOB. Por pas viteve 90-të, ai e gjeti veten dhe veglën e tij muzikore të pashpresë për vitet e egra të tranzicionit. U detyrua të emigrojë në disa vende të Europës ku ushtroi profesionin në banda të ndryshme muzikore në disa shtete ku jetoi. Viti 1997 e gjeti Gjikën sërish në Shqipëri, këtë herë pjese e orkestrës së Ansamblit të Ushtrisë.

Intervista

Zoti Gjika çfarë të solli jeta pas vitit 1997?

U detyrova sërish të emigroj për të siguruar bukën e përditshme të fëmijëve dhe familjes time. Bëja disa punë, tashmë po provoja dhe pasionin tjetër timin kuzhinën, me të njëjtën dashuri sikurse dhe trompën. Kam ikur dhe jam rikthyer disa herë në vendin tim, me përpjekje të parreshtura për të jetuar dhe mbijetuar.

Keni kërkuar të jeni sërish pjesë e orkestrave aktuale?

Sigurisht, madje shpresa ime në katër vitet e fundit u rrit akoma më shumë. Me Edi Ramën, kryeministrin kam qënë shok shkolle dhe kemi bashkëshoqëruar vitet tona të shkollës që nga liceu deri në përfundim të akademisë pra në vitet 1976-1986.

I keni kërkuar kryeministrit ndihmë, iu është përgjigjur ai?

Katër vjet radhazi komunikoja vazhdimisht ne telefon me Ramën, siç duket u bëra i bezdisshëm, shpesh i ngrija dhe zërin. Kjo e mërziti atë dhe në fund më tha “fshije këtë numër nga celulari yt”. Me këtë mund të them se vdiq edhe shpresa ime për trompën. Tashmë isha braktisur nga gjithçka, shoku im i rinisë,  por dhe sistemi që i nxjerr jashtë artistë si puna ime.

Po ti konkurove para tre vitesh edhe për drejtor të TKOB?

Po paraqita dhe një platformë. Po në Shqipëri nuk ka rëndësi sa mirë, bukur dhe sa virtuoz i bie një vegle muzikore. Mjafton të jesh pranë njerëzve me pushtet dhe fiton. Unë nuk përfshihesha në atë kategori. Edhe shoku im i rinisë nuk donte të ma dëgjonte më zërin.

Për kuzhinën çfarë do të na tregosh?

Aha….. Punoj në një lokal në Gjirokastër. E dua gatimin, por më shumë trompën. Anës furrës së gatimit e mbaj veglën muzikore. Por unë mbijetoj se zoti më ka dhënë forcë, dhunti dhe kurajo. Për mua është sport i këndshëm dhe kuzhina, një dasëm me 300 vetë e përballoj i vetëm, madje dhe me gatime te shijshme. Kushdo lëpin gishtat dhe mbetet i kënaqur. Ky jam unë, rebeli trompist që u bë kuzhinier. Flm për intervistën…