Kisha e Shën Kollit në Manastirin e Mesopotamit falsifikime, zhdukje e fshehje...

Kisha e Shën Kollit në Manastirin e Mesopotamit falsifikime, zhdukje e fshehje fazash historike dhe plagjiaturë

617
0

Nga Dr. Arkitekt- Restaurator, Reshat Gega

 

Një gjoja restaurim, pompoz e në shkelje totale të procedurave ligjore e të etikës profesionale u realizua nxitimthi e në konspiracion në njërin nga monumentet më të shkëlqyer të arkitekturës bizantine botërore, sikundër është Kisha e Shën Kollit në Manastirin e Mesopotamit.

Duke lënë mënjanë pjesën kriminale të praktikës në zhvillimin e Prokurimit Publik për këtë monument, ku e tërë procedura u realizua me ndryshimin, fshehjen dhe fallsifikimin e të dhënave, kombinuar me abuzim nga ana e institucionit përkatës, në bashkëpunim me drejtuesit e punimeve, ngjarje kjo e cila ka kaluar tashmë në organet e Prokurorisë, ne, do të sjellim të dhëna dhe argumenta teknik për dëmet e rënda që janë bërë deri tani në kurriz të vlerave monumentale e historike të këtij monumenti unikal.Tërë situata teknike, për cfarë kanë bërë e tjetërsuar dhe si ishte më parë gjëndja e monumentit, gjykohet fare lehtë nga foto të cilat vine prej vet institucioneve, si IMK dhe DRKK Vlorë apo dhe foto të publikuara nga udheheqësi i ndërhyrjeve, Prof. Meksi, në ballafaqim këto me pamjet origjinale përpara ndërhyrjeve.

Këto katër vite që kaluan do të shënohen në historinë e trashëgimisë kulturore shqiptare si periudha kur janë dëmtuar, si asnjëherë tjetër vlerat arkitekturore, historike dhe artistike në tre nga monumentet më të vyer dhe të papërsëritshëm në vëndin tone, Kisha e “Shën Mërisë” Labovë e Kryqit (shek. 10-11), “Shën Mëri” Peshkëpi (shek. 9-10) dhe “Shën Kolli” në Mesopotam (fillim shek.13). Të tre rastet janë të drejtuara në të gjithë procesin, nisur nga projekti e deri në zbatim prej Prof. A.Meksi dhe Prof. P.Thomo.

Ajo që mund të evidentohet si një risi në procesin e dëmtimeve në fjalë është se protagonist apo autor nuk janë të zakonshmit vandal dhe grabitës monumentesh, apo dhe sharlatanë që paraqiten në opinion me tituj si “studiues”, por, këtë radhë kemi në aktivitet të plot të ashtuquajturit specialist, institucione të trashëgimisë si edhe ata të cilët kanë titujt maksimal në fushën përkatëse. Kjo situatë paradoksale e ka bërë më të vështirë të kuptohet e të besohet nga opinioni i zakonshëm, akti makabër, i cili u projektua dhe dirigjua nga vetë institucionet e trashëgimisë dhe të nominuarit Profesor.

 

 

 

 

Shumëkush do e konsideronte deklarimin apo denoncimin tonë si një cështje që buron nga interesa personale. Aspak e vërtetë.

Mjafton të përqëndrohesh në argumentat teknik që ne do paraqesim, të mbështetur nga foto e dokumenta që pasqyrojnë mjaft mirë ecurinë e gjërave, dhe, për shkeljet apo dëmet e realizuara ndaj Shën Kollit në Mesopotam, do të nxiret përfundimi se, vetëm habija për veprime të tilla nuk do të mjaftonte aspak. Dimensioni i humbjeve të elementeve arkitekturorë dhe historik është i atillë sa që e ka cuar punën deri në detyrimin për të bërë një hetim më të thellë e me ekspertiza, si të karakterit teknik e shkencor ashtu edhe ato ligjore për të gjetur arsyet e vërteta të këtyre ndërhyrjeve shkatërruese. Zhdukja e elementeve dhe gjurmëve, sado të imta e të vogla, nëpërmjet një të ashtuquajturi restaurimi “zbukurues”, shpie automatikisht në humbjen përfundimtare të një inventari të dhënash, arkitekturore dhe artistike të cilat përcjellin të gjithë historinë e këtij monumenti, nisur që nga themelimi i tyre, përfshirë gjithë fazat dhe ndërhyrjet gjatë jetës së tij gati tetëqind vjecare.

 

Në shërbim të të kuptuarit sa më lehtë nga opinioni i interesuar, për atë ca ndodh me trashegiminë tonë kulturore, po japim më poshtë, në mënyrë të përmbledhur, me shpiegimet teknike përkatëse, dëmet e realizuara së fundmi mbi Kishën e Shën Kollit në fshatin Mesopotam.

  1. Dëmtimi i pare lidhet me shfarosjen e shtresës së tjegullave të shekullit 13, në pothuajse gjysmën e catisë së kupolave perëndimore, (Fig. 1). Kjo ishte një pjesë e catisë të cilën, në mënyrë fanatike e kishim konservuar e përkuruar si e vetmja parcelë e mbulesës e cila vinte nga faza e parë e ndërtimit të monumentit. Me interes ishte fakti se pikërisht kjo pjesë e saj ruante aftësitë më të mira në mbrojtjen ndaj rreshjeve atmosferike. Ne, gjatë punëve konservuese, mbi tridhjet vjecare, i kishim kushtuar vëmëndjen maksimale kësaj, duke vëzhguar dhe konservuar vetëm linjat periferike pa ndërhyrë asnjëherë tek tjegullat origjinale, të cilat fatmirësisht ishin tejet të forta e të qëndrueshme. Kjo pjesë e fazës origjinale të Monumentit tashmë u zhduk dhe u zëvëndësua e tëra me një shtresë industriale, të prodhuar nga kushedi cila fabrikë tullash, duke na dhënë sot një pamje karagjoze të të gjithë mbulesës së Kishës së Shën Kollit Mesopotam.

  1. Dëmtimi i dytë i takon një tjetër veprimi injorant apo i qëllimtë, në shërbim të tjetërsimit dhe fallsifikimit të detajeve dhe pjesëve origjinale të këtij monumenti unikal për tërë arkitekturën bizantine botërore. Bëhet fjalë për rimodelimin tërësisht të gabuar të strehëve të Kishës së Shën Kollit, (Fig.2). Vecanërisht në fasadën perëndimore, nga masakrimi i situatës origjinale dhe sajesa e kornizës së re, janë konfonduar dhe zhdukur dy faza. Faza origjinale që i takonte fillim shek. 13 dhe tjetra që i ishte mbivendosur të pares në fund të shek 13 fillimi i 14-ës. Këto janë eleminuar duke sjellë në një pamje komplet të huaj por “shumë të bukur” për syrin dhe mendjen e injorantëve që e kanë sajuar, duke e paraqitur në të njëjtën kohë linjën e saj si të ishte e importuar nga modele catish kineze.Një përcmim i vërtetë.
  2. Dëmtimi i tretë vjen përsëri si pasojë e sajesave në kornizat e catisë. Tashmë janë tjetërsuar e zhdukur format dhe detajet e ulluqeve që ndanin frontonet e dritareve treshe, të cilat mbulohen me catitë dyujshe, (Fig. 3). Origjinali i tyre ishte dyfish apo trefish më i gjërë, me dy reshta tjegullash ulluk, origjinale e me gjërësi të madhe, të mbuluara në bashkimin e tyre nga një tjegull më e ngusht, vendosur përmbys. Forma që vjen pas ndërhyrjeve të fundit, jo vetëm që ka zhdukur situatën e vërtetë të rrugës për largimin e ujrave nga rreshjet por, edhe ka vështirësuar në maksimum funksionimin normal duke bërë që shumë shpejt të bllokohen për shkak të rreshjeve dhe mbetjeve që sjell ambjenti, si gjethe, pluhura etj. Ato janë ngushtuar pothuajse fare. Në formën që i kanë dhënë shpikësit apo restauratorët e këtij lloji bëjnë të pamundur mirëmbajtjen dhe pastrimin e tyre. Heqja qafe e situatës dhe detajeve ndërtimore origjinale, që lexoheshin shumë mirë nëpërmjet elementeve dhe formave me të cilët paraqitej korniza dhe tjetërsimet e elementeve përbërës të mbulesësë së catisë, bëjnë që sot e tutje, askush të mos jetë në gjëndje të perceptojë historinë dhe format e vërteta që ka patur monumenti. Një fallsifikim i “bukur” me pasojë të rëndë në kurrizin e vërtetësisë së monumenit.

 

 

 

  1. Dëmtimi i katërt është në vazhdën e ndërhyrjeve si pasoj e të cilave në përfundim rezultati është përsëri një fallsifikim dhe zhdukje e qartë e fazave dhe historisë së monumentit. Në studimin tonë kemi evidentuar një mori detajesh dhe shtesash që kishës i janë mbivendosur pas dëmtimeve të mëdha që ajo pësoj shumë afër me kohën e ndërtimit të sajë (fundi shek.13, fillimi i shek. 14). Një nga këto shtesa që i takojnë fazës së dytë të zhvillimeve arkitekturore, pas shëmbjes së korridorit me harqe në fasada, janë edhe mbushjet në dritaret e fazës parë të monumentit dhe njëherazi hapja e dritareve të vogla në brezin e takimit të qemerit cilindrik të harkadës së dikurshme, (Fig. 4). Vecanërisht në njërën prej tyre, dritarja treshe, e mesit në fasadën perëndimore, ku është bërë mbushje me mur dhe tjegulla të cilat, nga mënyra se si ishin të vendosura, jepnin edhe një farë efekti artistik e në të njëtën kohë flisnin qartë për kohën e realizimit. Në këtë rast, faza e dytë ishte tejet prezente dhe domethënëse për atë se si ka qënë ecurija e jetës së këtij monumenti brilant e i papërsëritshëm.Në një kuptim më shkencor, elementet që ndodheshin në mbushjen e dritareve dhe mënyra se si ato prezantoheshin, nuk ishin gjë tjetër vec se faqe të një arkivi real e material, ku flitej qartë për historinë e Kishës së Shën Kollit në Mesopotam. Me veprimin e pastrimit të këtyre gjurmëve, bëhet e qart se drejtuesit e ndërhyrjeve, gjoja restauruese, përvec mungesës ës ndjeshmërisë e kujdesit ndaj cdo detaji që mishëron monumenti në trupin e tij, kanë demostruar qartë injorancën që kishin dhe kanë për repertorin dhe format arkitekturore e artistike të tij. Kanë qënë e janë gjithnji të paqartë në zhvillimet dhe tipollogjinë volumore, duke nisur nga fillimi i jetës së monumentit e më pas.

 

  1. Dëmtimi i pestë lidhet me qëndrimin e pakuptimtë dhe gati idiot të rivendosjes së kontrafortit në anën jugore, (Fig. 5). Gjat punimeve në fazat I dhe të II, të projektit tonë, këtë element ne e kishim hequr me qëllim që të përmirësohej situata statike e fasadës jugore të kishës duke e shoqëruar me riaftësimin e skemës konstruktive origjinale, në shërbim të së cilës, tashmë aplikuam sistemin e futjes së trarëve metalik me rol të dyfisht, në kanalet e trarëve-breza të dikurshëm, prej druri në brendësi të muraturës. Përvec kësaj, ajo që rezultoi menjëherë pas heqjes të kësaj mase muri, e cila u ndërtua në vitin 1845, ishte fakti se, aty ku mbështetej, në murin e kishës, dolën në dritë detaje arkitekturore e artistike të reja, të panjohura më parë, tepër të rëndësishme në pasurimin dhe kuptimin e tipollogjisë dhe historisë së monumentit. Pikërisht në këtë pjesë ndodhet vëndtakimi i dy qemereve cilindrik të mbulesave të portave të mëdha në fasadën jugore. Në të njëjtën kohë, në këtë pjesë dolën edhe dy shtresa pikture të cilat flasin mjaft qartë për zhvillimin ndërtimor dhe fazat e kishës si dhe të kapelës, e cila u ndërtua ngjitur me të në fillim shek.14. Rindërtimi i të ashtuquajturit kontrafort, nuk është gjë tjetër vec se një veprim prej inatcorësh e injorantësh. Është një dëm i padyshimtë ndaj vlerave të monumentit, qoftë në pikpamje të fshehjes së të dhënave arkitekturore e artistike ashtu edhe një përkeqësim dhe vënia në rrezik të situatës statike të tij, për rastet e lëkundjeve sizmike të mundshme. Është një veprim që nuk ka asnjë lidhje me profesionin e mirfillt të restauratorit, studiuesit dhe kuratorit ndaj vlerave që ka një monument kaq i rallë sikundër është Kisha e Shën Kollit në Mesopotam.

Në shërbim të vënies në dukje të veprimeve të llojit që listuam më sipër, ka edhe të tjerë raste apo pjesë të Kishës së Shën Kollit në Mesopotam, ku janë prezent dëmtime të vlerave dhe prishje të informacionit historik-arkitekturor e artistik, për shkak të një gjoja restaurimi dhe mungese totale ndjeshmërie dhe njohurie.

Një analizë më e thelluar dhe egzaminim teknik e fizik, duke pasur si qëllim nxjerrjen në dukje të të gjithë asaj ca ka ndodhur mbi Kishën e Shën Kollit në Mesopotam, do të përpilohet në një material më të plotë dhe do prezantohet, qoftë në organet përkatëse shqiptare që kanë si qëllim ruajtjen dhe mbrojtjen e vlerave kulturore ashtu edhe ato ndërkombëtare, të interesuara për të promovuar kriteret restauruese në tërësi.Ky hap është i domosdoshëm e në shërbim të mbrojtjes nga ndërhyrjet vandale, të veshura me petkun e një procedure zyrtare gjoja restauruese, si pasojë e të cilave shfarrosen vlerat origjinale e fallsifikohet situata dhe historia e monumenteve.

Jam i sigurt se do të ketë një vëmëndje të vecantë, si për rastin në fjalë ashtu edhe për përdhosje të perlave të tjera të arkitekturës bizantine në vendin tonë. Në këtë listë janë edhe Kisha e Shën Mërisë Labovë e Kryqit, e cila u masakrua një vit më parë duke e rrjepur, shpërfytyruar dhe tjetërsuar në format origjinale të saj, e pasuar kjo nga Kisha e Shën Mërisë në Peshkëpi, e cila nuk mund ti shpëtonte fushatës së shfarrosjeve dhe fallsifikimit të formave arkitekturore. Kësaj të fundit i hoqën të gjithë materialin formues të mbulesës origjinale të shekujve 9-10, si pitosa etj, me idenë injorante se ishin vendosur nga ndërtuesit aty pa dashje apo kot. Përpos dëmit në mbulesë, nëpërmjet manisë së kruarjes e prekjes, deri edhe bojatisjeve karagjoze në sipërfaqen e fasadave, u shdukën e tjetërsuan të gjithë elementet të cilët flasin për zhvillimet e fazave arkitekturore që lexoheshin më parë në fasada. Pasqyrimin e dëmeve për rastet e mësipërme do i takoj publikimeve të tjera.

 

 

 

Dëmi mbi vlerat arkitekturore, historike dhe artistike që u implementuan mbi Kishën e Shën Kollit në Mesopotam, është i tejskajshëm në dimensionin e vet. Ndërkohë ndodhija në fjalë e përfshirë nga një nxitim i dalldisur, drejtuar nga një ambicie injorante, e shtyrë dhe e ushqyer nga dëshira për të shkelur mbi punën studimore disa vjecare të tjetërkujt, pra një shkelje flagrante e të drejtës së autorësisë dhe pronësisë intelektuale, është një tjetër aspekt i shëmtuar e i turpshëm për ata që bënë protagonizmin në këtë rast. Jo vetëm kaq, por aventura shkon më tutje. Për aq sa kemi vënë re nga fotot e publikuara, në drejtim të idesë së ndërhyrjes për konsolidimin e strukturës së Kishës së Shën Kollit në Mesopotam, gjejmë elemente të plagjaturës apo vjedhjes së idesë dhe teknikës që ne kemi aplikuar më parë në një pjesë të mirë të strukturës së monumentit.

Në këtë rast është shmangur ideja dhe rekomandimet e paraqitura në projektin abuziv, me Vendim nr. 32 i KKR-së në vitin 2015, i përpiluar nga të njëjtit protagonist, projekt të cilin ne e kemi kallzuar penalisht dhe ndjekur në rrugë ligjore, për mbivendosje dhe cilësi kriminale. Është i njëjti projekt i cili u bë pjesë e procesit të Prokurimit Publik, tek i cili janë verifikuar fallsifikime dhe manipulime në të dhënat e monumenit, fakt ky i cili është paraqitur në Prokuroritë përkatëse për ndjekje dhe hetimet e rastit, si edhe u bë i njohur në opinion publik nga një emisioni investigativ, (Fiks Fare, 19 Tetor 2018, Pjesa 2).

 

Në këtë rast, protagonistët apo drejtuesit e punimeve mbi monumentin në fjalë kanë preferuar të lënë mënjanë idenë e tyre për ndërhyrjet konsoliduese, koncepte këto që i kishin radhitur në projektin e tyre skandaloz të cituar më sipër. Nga aq sa na jepet në pamjet e përfundim punimve, kuptojmë se kanë kaluar në aplikimin e konsolidimit sipas teknikës dhe idesë tonë, gjë të cilën ne e kishim realizuar në monument, për gjat dy fazave të mëparshme.Shkurt, kanë lënë mënjanë idenë e tyre dhe janë lëshuar në shtratin e kopjimit apo vjedhjes së idesë tonë, pa u bërë aspak të kujdesshëm dhe merak se po cënonin konceptin dhe kontributin studimor e teknik të tjetërkujt. Një tjetër hap ky i shëmtuar nga pikëpamja e etikës dhe e të drejtës së autorit, i cili do të ketë zhvillimet e mëvonshme në rrugë ligjore.