KAS publikon seancat deri në dhjetor. Partizanit nuk është në listë

KAS publikon seancat deri në dhjetor. Partizanit nuk është në listë

492
0

Dëshira e Partizanit për të zgjidhur sa më parë çështjen e bllokimit të merkatos së futbollistëve, si dënim nga FIFA, duket se nuk po ecën paralelisht me planet e KAS të Lozanës, ku ka mbërritur tashmë çështja mes klubit të kuq dhe organizatës ndërkombëtare që plotësoi kërkesën e Istras për Eraldo Çinarin.

Pasi KAS refuzoi kërkesën e Partizanit për të pezulluar dënimin e FIFA-s me bllokimin e merkatos, të kuqtë nisën menjëherë punën për të përshpejtuar çështjet gjyqësore dhe për të mësuar përfundimisht nëse do të jetë i dënuar me dy dritare të merkatos apo nëse do të mund që të shpëtojë të paktën dritarën e janarit.

Kërkesa është depozituar sipas të gjitha afateve në KAS dhe tashmë pritet përgjigja për datën e seancës dëgjimore e gjyqit, por nga Lozana nuk ka ardhur ende data e caktuar për këtë çështje. Për më tepër, Gjykata Administrative Sportive ka publikuar datat e caktuara për çshtje të ndryshme deri në javën e dytë të dhjetorit dhe emri i Partizanit nuk është në listën e tij.

Sigurisht, të kuqtë duan që të mbyllin gjithçka brenda dhjetorit apo maksimumi në ditët e para të janarit, me shpresën që të paktën të çlirojnë nga pezullimi dritaren e merkatos të dimrit. Por mungesa e një përgjigje nga Lozana mban pezull çdo plan të klubit të kuq i cili për momentin është i detyruar të punojë me kotingjentin që ka prej sezonit të kaluar si dhe me ekipin e të rinjve.