Kanabisi, Rama: Të goditen kokat e krimit

Kanabisi, Rama: Të goditen kokat e krimit

383
0

Kryeministri Rama paralajmëroi se muajt në vijim janë muaj rreziku për kultivimin e kanabisit duke i bërë thirrje policisë të mos mbyllë sytë. “Ky proces duhet të vazhdojë deri në fund dhe muajt që kemi përpara janë muaj rreziku kështu që nuk duhet mbyllur syri dhe duhet çdo moment të vazhdohet intensivisht qasja e integruar me institucionet e tjera. Edhe roli i SHISH, Prokurorisë në përgjigjen e shpejtë ndaj kërkesave të policisë kanë qenë dhe mbeten të rëndësishëm deri në fund të këtij procesi“, tha kryeministri. I pranishëm në Zyrën Operacionale të Situatës, Rama i bëri thirrje Drejtorit të Policisë, Haki Çako, që të goditen kokat e krimit në vend. “Të angazhohemi për goditjen e krerëve të grupeve kriminale dhe sekuestrimin e aseteve. Policia ka bërë një punë shumë të mirë në këto 46 muaj por jemi të vetëdijshëm se në kuadër të goditjes së kokave dhe sekuestrimin e aseteve ka shumë për të bërë. Është një nen i vjetër në Kodin Penal por që tani po gjen zbatim me vendosmëri dhe është mesazh i qartë për të gjithë ata që implikohen në këtë aktivitet, duke menduar se do ta hedhin sërish lumin siç e kanë hedhur në të shkuarën”, u shpreh kreu i qeverisë. Rama tha se paralelisht me pastrimin e kanabisit, po pastrohet edhe policia nga ata punonjës të lidhur me veprimtarinë kriminale. “Policia e Shtetit paralelisht me pastrimin e kanabisit nga harta e Shqipërisë po kryen me vendosmëri edhe pastrimin nga radhët e veta nga punonjësit e lidhur me këtë veprimtari kriminale. Vendosmëria në kryerjen pa asnjë kompromis të këtij vetëpastrimi është një ndër arsyet e suksesit në këtë drejtim”, tha Rama.