Manjola Cuku, 33-vjeçarja e vrarë në banesë nga bashkëshorti i saj Lulzim Cuku natën e 1 shkurtit në fashatin Xhafzotaj të Durrësit, ishte viktima e radhës e dështimit të sistemit të mbrojtjes së viktimave të dhunës. Debati mes bashkëshortëve nisi në ambientet e shtëpisë në prani të tre fëmijëve të mitur, nga 2 deri në 10 vjeçm të cilët u përballën me trupin e përgjakur të nënës së tyre.
Për këtë rast që bëri shumë zhurmë online, ka reaguar gazetari i njohur i “Top Channel” Denis Dyrnjaja i cili nëpërmjet një statusi të bërë në “Facebook” na bën të reflektojmë për rastet e dhunës që ndodhin rreth nesh. Dyrnjaja ngre pyetje të shumta për rastin e ndodhur duke vënë theksin tek e ardhmja e tre fëmijëve të cilët tashmë janë pa nënë dhe me një baba kriminel.
Shkrimi është sa prekës aq edhe reflektues e duhet me patjetër të lexohet!
Postimi i plote:
Nëna e pajetë!
Një grua, një bashkëshorte, një bijë prindërish, një motër, por mbi të gjitha një nënë nuk jeton më. Mendja s’më shqitet në pasazhin e përfytyruar kur 3 fëmijët e nënës së pajetë rrinin mbi trupin e saj dhe më i vogli i tyre kërkonte gji se ishte vetëm 1 vjeç, ndërsa trupi i saj dergjej në dyshemenë e shtëpisë pa jetë, masakruar me thikë. Babai biologjik ua kishte ndalur mëmësinë barbarisht pasi marrëzia e xhelozisë e shtyu t’i merrte jetën gruas me të cilën kishte 3 fëmijë. Po si mundet që zemra e shpirti të të shtyjë në këtë marrëzi, cilido qoftë shkaku dhe sado i fortë motivi? Si mundet të kryesh një akt mesjetar duke ditur se do lësh 3 fëmijë jetim e se për ta do jesh për jetë babai kriminel?! A ka motiv më të fortë se t’i thuash vetes ndal kur mendon se po lë jetim fëmijë pa nënë?! Si mundet që në këtë shoqëri thika ngulet kaq lehtë në mish e për më shumë e më shpesh në mishin e një gruaje, e grave, nënave dhe motrave tona?! Një ngjarje që kalon me raportime rutinë lajmesh. Asnjë analizë psiko/sociologjike.
Nga mëngjesi deri në darkë merren portale e kanale me dashnore e dëshnorë pseudo/vipash, pseudo arti dhe gjithçka tjetër, por askush nuk flet për dramën e familjes dhe shoqërisë shqiptare, për nënën e vrarë dhe për nënat në rrezik nga injoranca e moralit, nga llumi i thashethemeve, nga nevoja për jetesë apo dhe mbijetesë që ndan njerëzit në kurbet e më pas prodhon drama e tragjedi të tilla që tronditin këdo në botë, por jo më këtë milet. Tani jemi mësuar dhe bashkëjetojmë me krimin, vrasjen, përdhunimin, rrëmbimin. I kemi fenomene normale. Po si është e mundur të mos ketë një protestë të këtyre shoqatave që mbrojnë të drejta grash dhe fëmijësh?! Heshtje varri, si varri që mban trupin e shumë nënave e grave të masakruara nga injoranca dhe errësira mendore mashkullore. Jemi turpi i vetes që jetojmë me aromën e vdekjes, sepse hundët na janë zënë nga parfumi i injorancës!