Janari i përgjakshëm i rrugëve shqiptare, dyfishohet numri i aksidenteve gjatë 31...

Janari i përgjakshëm i rrugëve shqiptare, dyfishohet numri i aksidenteve gjatë 31 ditëve të para të 2021-shit në krahasim me 2020-ën

430
0

Muaji janar ka shënuar një rekord të frikshëm për sa i përket aksidenteve automobilistike në vend.

 

Gjatë 31 ditëve të para të vitit 2020 ka patur gjithësej 130 aksidente, 2 herë më shumë se Janari i një viti më parë. Aksidenti më i fundit ndodhi vetëm mbrëmjen e djeshme ku një djalosh, 24-vjeçar, humbi jetën pas përplasjes me mbrojtëset metalike anës rrugës në aksin Milot-Thumanë.

 

Rasti më tragjik i aksidenteve me vdekje ishte ai i familjes nga Kosova, ku pas përplasjes me një kamion në aksin Milot Rrëshen, nga 5 anëtarë të së njëjtës familjembijetoi vetëm vajza 2-vjeçare.

 

Një vajzë 23-vjeçare u shua në rrugën Vlorë-Levan pas daljes së makinës nga rruga si pasojë e shpejtësisë së lartë.

 

Një i ri në timon aksidentoi 2 kalimtarë dhe shkaktoi terror duke ecur me shpejtësi në Rrugën e Elbasanit. Këto janë vetëm disa nga bilancet e zeza me të cilat mbushen kronikat e lajmeve.

 

Çdo ditë në vendin tonë ndodhin 3 ose më shumë aksidente rrugore dhe nuk ka asnjë reagim, asnjë masë konkrete për të parandaluar këtë fenomen vdekjeprurës që merr dhjetëra jetë njerëzish në një hark të shkurtër kohor. Në vetëm 31 ditë të muajit që lamë pas aksidentet rrugore kanë shkaktuar 24 viktima në 130 aksidente gjithsej. Nga këto aksidente janë shënuar 160 të plagosur.

 

Alarmante është dhe aksidentimi i këmbësorëve në vijat e bardha të rrugëve. Dita e djeshme shënoi dhe viktimën e radhës, një 67-vjeçar në Fier, i cili u përplas së bashku me bashkëshorten të shtunën teksa po kalonte në vijat e bardha. Ilirian Merdanaj nuk mundi t’i shpëtonte plagëve të marra, ndërsa gruaja Gjinovefa Meradanaj është nisur drejt Tiranës për ndihmë mjekësore të specializuar.

 

Janari i vitit 2021 është një ndër muajt më tragjikë në bilancin e humbjeve të jetëve në rrugë. Krahasuar me muajin janar të një viti më parë kemi një dyfishim të numrit të aksidenteve dhe më shumë viktima. Si pasojë e përplasjeve kanë humbur jetën 24 persona, nga 16 që ishin në janarin e vitit të shkuar.