Ismail Qemali që nuk kemi njohur! Të tjera fakte e dëshmi mbi...

Ismail Qemali që nuk kemi njohur! Të tjera fakte e dëshmi mbi jetën dhe veprën e themeluesit të shtetit shqiptar

438
0

Ismail Qemali që nuk kemi njohur! Të tjera fakte e dëshmi mbi jetën dhe veprën e themeluesit të shtetit shqiptar u bënë publike për 100-vjetorin e Pavarësisë në vitin 2012.

 

Këtë radhë është gazetari i njohur Roland Qafoku, i cili pas një hulumtimi të gjatë na sjell një biografi të kompletuar të Ismail Qemal bej Vlorës, duke ndriçuar aspekte të panjohura të jetës dhe veprës së tij. Dokumentari “Jeta e panjohur e Ismail Qemalit” zbulon për herë të parë profilin e plotë të familjes së krijuesit të shtetit shqiptar, raportet e tij me fisin dhe qytetin e lindjes, pronat dhe sarajet e Vlorajve, ku lindi dhe u rrit kryeministri i parë i Shqipërisë, karrierën e Ismail beut në administratën osmane, celebrimin me greken Kleoniqi Surmeli me të cilën pati 10 fëmijë etj. Investigimi i gazetarit i jep zgjidhje dilemës për ditën e lindjes së Ismail Qemalit që përkon çuditërisht me atë të diktatorit Hoxha dhe rrethanave si u shmang nga gjeneralitetet e tij mbiemri Vlora.

 

Ismail Qemali Jeta E Panjohur Biografia1 Panorama

DITËLINDJA DHE MBIEMRI I HARRUAR

 

Gjatë 50 viteve të regjimit komunist, në të gjitha tekstet e historisë shkruhej se Ismail Qemali lindi në vitin 1846, pa përmendur ditën dhe muajin. Pa datë e muaj rezultonte edhe në të gjitha tekstet shkollore. Sakaq historiani turk me origjinë shqiptare, Nexhip Alpan, në librin e tij “Shqiptarët në Perandorinë Osmane”, duke iu referuar arkivave të Perandorisë, shkruan se Ismail Qemali ka lindur më 16.10.1846. Pra, në 16 tetorin e famshëm, ku për gjysmë shekulli festohej me madhështi ditëlindja e Enver Hoxhës.

 

Në logjikën e mbrapshtë të regjimit kjo datë nuk mund të ndahej me tjetërkënd, qoftë edhe me themeluesin e shtetit shqiptar, se ndryshe eklipsonte figurën e Zeusit. Zgjidhja ishte gjetur: për ditëlindjen e Hoxhës do tundeshin malet nga festa, për Ismail Qemalin bëhej sikur nuk i dihej data e saktë. E vërteta është se ditëlindja e tij asnjëherë nuk u festua. Një rast pa precedent ky në historinë e burrave të shtetit. Andralla tjetër, tipike komuniste, kishte të bënte me emrin e themeluesit të shtetit shqiptar. Nuk ka një rast të dytë në historinë e Shqipërisë që t’i ndërrohej mbiemri.

 

Babai dhe themeluesi i kombit quhej Ismail Qemal bej Vlora, ndërkohë edhe sot shqiptarët vazhdojnë ta quajnë thjesht Ismail Qemali. Ndryshimi në fakt ka nisur që në kohën e mbretërimit të Ahmet Zogut dhe ka vazhduar edhe në regjimin komunist. E ndërsa në vitet ’30 ai quhej pa ndonjë arsye Ismail Qemal, komunistët gjetën arsyen për ta zhdukur fare mbiemrin Vlora. Kështu, pas vitit 1944, historiografët komunistë e zyrtarizuan zëvendësimin e mbiemrit Vlora me titullin turk Qemal, që Ismaili e përdorte prej kohës si hierarki e Perandorisë Osmane. Në asnjë rast nuk përmendet Ismail Qemal bej Vlora, por vetëm Ismail Qemali. Për ironi, duke e justifikuar me famën që kishte marrë tashmë emri i tij, në shumë raste në tekst shkruhet I.Qemali. Komunizmit nuk i shkonte për shtat as titulli bej e as fama e familjes Vlora.

 

Një familje me identitet të qartë shqiptar, e sërës më të lartë të bejlerëve, por që komunistët për 50 vjet i përndoqën të gjithë pasardhësit e atij që e quanin themeluesin e shtetit shqiptar. Për 50 vjet mbiemri Vlora nuk kishte lidhje me Ismailin që themeloi shtetin. Në të njëjtën kohë, ironikisht, mbiemri Qemali nuk ekzistonte në asnjë regjistër të gjendjes civile, rrjedhimisht kështu, njeriu që ngriti flamurin dhe shpalli pavarësinë nuk mund t’i bënte hije kultit të Enver Hoxhës. Ismail Qemali ishte një i vetëm, pa asnjë lidhje, pa asnjë famë e vlerësim paraardhës dhe pasardhës.

 

Ismail Qemali Jeta E Panjohur Biografia1 Panorama.al

SARAJET E PANJOHURA

Ismail Qemal bej Vlora ka lindur pikërisht në të njëjtin vend ku pas 70 vjetësh do të shpallte pavarësinë. Deri në vitin 1930, aty ngriheshin sarajet e Vlorajve, me një sipërfaqe 40 mijë metra katrorë, të cilat për afro një shekull ishin bërë simboli i familjes më të rëndësishme në Vlorë e më gjerë. (Në kadastrën e shtetit italian janë regjistruar në vitin 1860). Ato janë ndërtuar nga dy vëllezërit Ismail bej Vlora dhe Beqir bej Vlora. Nga Ismail bej Vlora rrjedh edhe dega e Ismail Qemalit, i cili është nipi i tij, pra djali i djalit. Sarajet ose konaku i Vlorajve, siç njiheshin, ishte rrethuar me mure 8 metra të lartë dhe kishin dy porta. Në hapësirën e sipërfaqes së madhe ishin ngritur dy godina të mëdha: haremi, banesa e grave dhe selamllëku, banesa e burrave. Brenda sarajeve nuk jetuan thjesht bejlerë, por korifenj që do bënin Shqipërinë.

 

Në morinë e krimeve ndaj familjes Vlora, prishja e sarajeve është nga më të rëndat. Ishte një vulë e thatë dhe një lajmërim që kjo familje dhe mbiemri Vlora jo thjesht nuk do përmendej, por nuk do zihej fare me gojë. Jo thjesht se aty u përkund njeriu që themeloi shtetin shqiptar, jo se aty lindën e u rritën figura të rëndësishme të historisë shqiptare, porse pikërisht aty u ngrit flamuri që simbolizoi shpalljen e Pavarësisë. Tri janë versionet që shpjegojnë arsyet e prishjes së sarajeve: i pari është ai i një tërmeti që ndodhi në Vlorë dhe i shkatërroi plotësisht sarajet. Në fakt, tërmeti i 21 nëntorit të vitit 1930 me epiqendër në Vlorë shënohet si nga më të fuqishmit në historinë e tërmeteve në Shqipëri. Sipas të dhënave të kohës, ai shkaktoi 30 të vdekur dhe afro 100 të plagosur dhe po ky tërmet shkatërroi gjithçka nga sarajet. Versioni i dytë përmban një emër të përveçëm si autor të kësaj prishjeje. Për Ago Agajn, një studiues nga Vlora, që ka botuar librin “Lufta e Vlorës”, autori dhe urdhëruesi i prishjes së sarajeve të Vlorajve është kryetari i Bashkisë së Vlorës, Qazim Kokoshi.

 

Ago Agaj në librin e tij shkruan: “Sarajet e Vlorajave u prishën nga Qazim Kokoshi, pasi kishte një urrejtje për bejlerët e familjes Vlora, përjashto vetëm Ismail Qemalin”. Por sa e besueshme është kjo, kur ky kryetar Bashkie ishte njëkohësisht edhe një nga firmëtarët e Aktit të Pavarësisë? A mundet që firmëtari të shkatërronte vendin ku u ngrit flamuri dhe që ai hodhi atë firmë? A janë të justifikuara gjashtë muaj burg që Kokoshi bëri pas instalimit të komunizimit, i akuzuar për prishjen e godinës ku u ngrit flamuri? Të gjitha këto janë pyetje që ende nuk kanë një përgjigje. Varianti i tretë vjen nga një personazh i rrallë. Quhet Hana Këlcyra, e bija e Ali bej Këlcyrës, vajzë e tezes së Eqrem bej Vlorës, e cila pohon se Eqerem bej Vlora i prishi vetë sarajet e Vlorajve. Po a ishte arsye e madhe kjo që Eqrem bej Vlora prishi sarajet, që duhet thënë se herë banoheshin e herë jo? Herë rikonstruktoheshin e herë liheshin në mëshirën e fatit.

 

Sidoqoftë, Hëna Këlcyra shprehet se tezja i ka treguar që prishja e sarajeve solli mallkimin e familjes Vlora. Pavarësisht rrethanave si u shkatërruan sarajet e Vlorajve, shkatërrimi i tyre solli mallkimin për gjithçka që kishte lidhje me pasardhësit e Ismail Qemalit dhe gjithkënd që kishte mbiemrin Vlora. Dhe në fakt, përveç lavdisë së ngritjes së flamurit nga Ismail beu, në gjithçka tjetër këtë familje e ndoqi mallkimi.

 

SHKOLLA

Ishte vetëm 12 vjeç kur Ismail Qemal bej Vlora u fut në gjimnazin “Zosimea”, një shkollë e rrallë që ka nxjerrë ajkën e rilindjes shqiptare, por edhe figura greke nga më të rëndësishmet. Këtë shkollë e kishin themeluar katër të krishterë me emër që kishin bërë pasuri në Rusi dhe, pasi vendosën të mos martohen, e shkrinë të gjithë pasurinë për këtë shkollë. Çudia ishte se djaloshi me zell të tepruar me emrin Ismail Vlora ishte i vetmi mysliman në shkollë, përballë të gjithë të tjerëve që ishin ortodoksë. Ishte kthyer në ritual që një prift një herë në muaj futej në shkollë dhe bekonte godinën dhe nxënësit. Shkaktonte të qeshura momenti kur prifti i tundte Ismail Vlorës kryqin përpara fytyrës dhe Ismaili sprapsej.

 

Profesor Omer Efendi dhe profesor Cimas dalluan tek Ismail Vlora një talent të vërtetë. Pasi kishte dalë shkëlqyer në lëndët klasike greqishten e vjetër dhe latinishten, kishte marrë njohuri të shkëlqyera për fizikën dhe matematikën. Miqësia e babait të Ismail Vlorës me Fuad Pashën, ministër i Punëve të Jashtme të Perandorisë, bënë që Ismaili 16 vjeç të shkonte në kryeqytetin e Perandorisë. Fati e deshi që të niste punë si përkthyes në Ministrinë e Jashtme dhe njëkohësisht të niste studimet për jurist në Stamboll, ku edhe u diplomua. Ismail Qemali njihte shumë mirë këto gjuhë të mësuara në programet mësimore: shqip, turqisht, greqisht, frëngjisht, anglisht.

 

Kleoniqi Surmeli Gruaja E Ismail Qemalit Panorama Al

GRUAJA DHE FAMILJA

Ato që janë shkruar deri tani, veçanërisht për jetën familjare të Ismail Qemal Vlorës, janë në fakt shumë pak. Ismail Qemal Vlora u martua dy herë në jetën e vet. Për herë të parë u martua me një vejushë të re. Nasipe Hanëmi ishte një nga gratë e fisit Vlora, kushërirë jo e afërt, një traditë për martesë nga e njëjta sërë që ruhej prej shekujsh. Nasipe Hanëmi ishte vetëm 19 vjeç dhe kjo martesë u shoqërua me një fat të keq. Vetëm një vit më pas, gruaja bashkë me vajzën që po lindte vdiqën dhe për Ismail Qemalin kjo ishte një humbje e madhe. Por nuk vonoi shumë dhe Ismail beu u martua me një vajzë të re greke. Guvernatori i Danubit të Poshtëm ra në dashuri me Kleoniqi Surmelin, vajzën e Antonit nga Ederneja. Ishte një dashuri me shikim të parë, shumë e rrallë për kohën dhe për një shqiptar të atyre viteve.

 

Por, jo për Ismail beun, jeta e të cilit ishte e mbushur me të mira. Nuk janë të paktë ata bashkëkohës të Ismail beut që tregojnë se ai ra në dashuri me Kleoniqin falë bukurisë së saj, por që më pas ishte bukuria e shpirtit të kësaj gruaje që e shoqëroi Ismail beun deri në fund të jetës (Fotografia e Kleoniqi Surmelit që botojmë sot, publikohet për herë të parë). Në gjuhën e sotme, kjo është zonja e parë e Shqipërisë. Dhe nëse bëhet një listë me zonjat e para në këta 100 vjet, grekja Kleoniqi është e para fare. Ajo lindi në Bullgari dhe aty kaloi fëmijërinë dhe rininë, derisa u martua me Ismail Vlorën. Ajo i dhuroi Ismail beut 10 fëmijë, gjashtë djem dhe katër vajza.

 

Ismail beu, duke kujtuar lidhjen dhe martesën me gruan e bukur Kleoniqi, shkruan: “Në fillim ndryshimi në besim fetar qe bërë pengesë për bashkimin tim me këtë zonjushë të re që kisha rënë në dashuri, çka u kundërshtua fort nga njerka e saj. Mirëpo u morëm vesh me vajzën, si dhe me pëlqimin e heshtur të vjehrrit tim të ardhshëm, që ta rrëmbeja dhe kështu bëra një natë. Shtëpitë tona ishin fqinje me njëra-tjetrën dhe sapo e kisha futur vajzën në shtëpinë time, thirra dëshmitarë nga të dyja palët, një prej të cilëve ishte konsulli belg, dhe akti i martesës u hartua e nënshkrua në prani të tyre”. Sidoqoftë, martesa e myslimanit që themeloi shtetin shqiptar dhe vuri kurorë me ortodoksen e bukur nga Greqia, “armike” e shqiptarëve, nuk mund të kalonte pa u përmendur në librat historikë të Ballkanit. Historiani Mark Mazower, në librin e tij “Ballkani, një histori e shkurtër”, spikat këto tri raste unikale për të në Ballkanin e pushtuar nga osmanët:

 

Dhespoti serb George Brankoviç e martoi vajzën e tij Mara me Sulltan Muratin e Dytë më 1435. Ali Pashë Tepelena u martua me një ortodokse greke, Vasiliqia, për të cilën ndërtoi edhe një kishë. Ismail Qemal bej Vlora hodhi kurorë me një greke duke e rrëmbyer, vetëm e vetëm për të hequr paragjykimet që njerka e saj kishte kundër myslimanëve. Hëna Këlcyra shkruan se Kleoniqi nuk erdhi asnjëherë në Shqipëri. Por grekja e bukur nga Adrianopoja, e bija e një fisniku, është bërë shpeshherë motiv për të sulmuar Ismail Qemalin. Akuzat për lidhjen e Ismail beut me Greqinë dhe grekërit nisi nga Kleoniqi e përfundojnë po te Kleoniqi. Aq i thellë ishte ky motiv, sa një studiues i njohur shkruante: “Është e habitshme se si dy antigrekët më të mëdhenj në historinë e Shqipërisë, Ismail Qemali dhe Andon Zako Ccajupi, i morën gratë greke”.

 

ANDRALLAT E GRUAS ME ORIGJINË GREKE

Grekja me të cilën Ismail beu bëri 10 fëmijë, i solli edhe ca andrralla në të gjallë e në të vdekur, por sidomos kur as ajo e as ai nuk jetuan. Te Kleoniqi kundërsharët gjetën tabelën e qitjes për ta akuzur themeluesin e kombit si antishqiptar, grekofil në rastin modern dhe grek në rastin e drejtëpërdrejtë. Por gruas së bukur askush nuk ia pa fytyrën. As në familjen Vlora e as jashtë saj. Ajo bëri një jetë në heshtje, larg vëmendjes së njerëzve, aq sa regjimet e të gjitha kohërave nuk ia zunë as emrin në gojë. Ajo rriti me përkushtim dhjetë fëmijët e saj në heshtje pa u bërë protagoniste dhe ndërroi jetë në një nga stacionet e qëndrimit të familjes, në Spanjë. Vdiq në vitin 1918, pra një vit para Ismailit. Edhe sot varri i saj ndodhet atje, i braktisur në dhe’ të huaj. Aq është harruar kjo grua, sa edhe pasardhësit nuk kanë mundur t’i vënë një tufë lule në varrin e saj.

 

Sarajet E Ismail Qemalit Brenda Panorama Al

Sot ka ardhur koha që krahas burrit që themeloi shtetin shqiptar, t’i japim nderin që i takon edhe zonjës së tij, Kleoniqi Surmelit, që në fund të fundit është edhe zonja e parë e shtetit shqiptar. Paradoksalisht në Spanjë nuk ndodhen vetëm eshtrat e bashkëshortes së Ismail Qemalit, por edhe ato të bashkëshortes së Skënderbeut, Donika Kastrioti. Trupat e tyre të tretur në dheun e largët janë dëshmi e qartë se ç’bëjmë ne shqiptarët me historinë dhe me protagonistët e saj.

 

Dokumentet konfirmojnë që Ismail beu e shfrytëzoi për bukuri krushqinë me greken Kleoniqi në të mirën e marrëdhënieve dypalëshe. Në vizitën e tij historike në Greqi, më 1 maj 1900, ku pati takime me autoritetet e larta të Athinës dhe u prit me madhështi, ai shkruante: “Jam i sigurt se herët a vonë dashuria e përbashkët për liri e shqiptarëve dhe e grekëve do t’i shpjerë ata drejt një mirëkuptimi e drejt krijimit të një ekuilibri në Gadishullin Ballkanik për të mirën e të gjithëve”. Me Kleoniqi Surmelin Ismail Beu pati “lumturinë”, siç do shprehej edhe vetë, të kishte 10 fëmijë, një fakt ky i lënë në harresë. Shumë të paktë kanë qenë ata që e kanë ditur se themeluesi i shtetit shqiptar kishte dhjetë fëmijë, gjashtë djem dhe katër vajza./Panorama/