Investimi i ri i Bashkisë, dy lagje të tjera në Tiranë marrin...

Investimi i ri i Bashkisë, dy lagje të tjera në Tiranë marrin zgjidhje të furnizimit me ujë

387
0

 

Çdo ditë një investim i ri kryhet në kryeqytet nga specialistët e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës. Gjatë ditëve të fundit u rikonstruktua plotësisht rrjeti i ri i ujësjellësit për banorët e rrugës “Pandi Dardha”, duke garantuar kështu furnizim me ujë të pijshëm, me të gjitha parametrat dhe cilësinë e duhur për ta përdorur atë.

Falë investimeve të Bashkisë në një tjetër zonë të kryeqytetit, është realizuar lidhja e re e ujit, duke bërë të mundur eliminimin e problematikave me të cilat janë ndeshur deri më tani banorët e kësaj zone.

“Profesionalizëm dhe përkushtim i përditshëm për të modernizuar dhe zëvendësuar rrjetin e amortizuar të ujësjellësit, garancia që duhet për përmirësimin e ndjeshëm në cilësinë e furnizimit me ujë të kryeqytetit”, thuhet në postimin e UKT Tiranë në rrjetin social “Facebook”, teksa publikohen edhe disa foto nga puna në terren gjatë zbatimit të investimit të ri në rrjetin e shpërndarjes për banorët e rrugës “Pandi Dardha”.

Sakaq, një tjetër ndërhyrje është realizuar në rrugën “Bedri karapici”, ku grupet e punës së UKT po punojnë me përkushtim maksimal, për përfundimin e investimit më të ri që po kryhet në rrjetin e ujësjellësit.

Nisur nga kërkesat e qytetarëve, gjatë ditëve të fundit grupet e punës të UKT kanë ndërhyrë edhe në zona të tjera të kryeqytetit, për t’i dhënë zgjidhje çdo problematike të krijuar në çdo cep të Tiranës.