Intervista/ Talat Xhaferi: Skenari për gjakderdhje në Kuvendin e Maqedonisë

Intervista/ Talat Xhaferi: Skenari për gjakderdhje në Kuvendin e Maqedonisë

554
0

Nga Alqi Koçiko*

Me kryetarin e ri të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë takohemi në një lokal buzë detit, në një nga plazhet e bukura pranë Kavajës.

Talat Xhaferi ka ardhur për disa ditë pushimesh dhe qetësimi pas një furtune politike, duhet thënë, mjaft të rrezikshme në Maqedoninë fqinje; që mund të përshkallëzohej kushedi se në çfarë skenarësh.

Në fakt, biseda me një nga eksponentët më të rëndësishëm të BDI-së së Ali Ahmetit, ish oficerit të lartë që në vitin 2001 u hodh në krahun e luftëtarëve shqiptarë dhe më pas u bë Ministër i Brendshëm, është shteruese.

Ai bën një skanim domethënës të të gjitha ngjarjeve dhe zhvillimeve që sollën krizën, por edhe rrëfen mënyrën e tejkalimit të saj.

-Zoti Xhaferi, zgjedhja juaj në krye të parlamentit të Maqedonisë ishte një risi dhe sinjal se krizës politike në vend jo vetëm po i vinte fundi, por se pritet një epokë e re zhvillimesh pozitive. Pati menjëherë edhe përshëndetje nga figura të shquara të politikës ndërkombëtare. Si mbërriti odiseja e krizës politike deri këtu?

Në fakt, Republika e Maqedonisë ndodhej në ngërç politik për shkak të mosmarrëveshjeve të subjekteve politike brenda blloqeve konkurruese si shqiptare edhe maqedonase, por me theks të veçantë në këtë të fundit.

Republika e Maqedonisë, rishtazi nga 2008-ta e këtej ka kryer zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe kjo është kthyer në një praktikë të keqe për shkak të pamundësisë së kryerjes normale të fushatës paraprake parazgjedhore.

Afera e përgjimeve ishte momentumi i shpërthimit të konfliktit brenda bllokut politik maqedonas, që nxorri në pah edhe shumë çështje të tjera mes koalicioneve të bëra kohë më parë dhe në vazhdimësi. Kjo në elektorat la një hapësirë dyshimesh mbi cilësinë e politikëbërjes në Republikën e Maqedonisë. Nga viti 2015 e këndej, me ndërhyrje të faktorit ndërkombëtar, në veçanti të SHBA-së dhe BE-së, si pasojë e përgjimeve u fillua një përpjekje për daljen nga ngërçi politik, me Marrëveshjen e Përzhinos (pranë Shkupit) mes partive më të mëdha parlamentare, VMRO, LSDM, BDI dhe PDSH.

U inicua bërja e një sërë ndryshimeve ligjore, duke nisur nga Kodi Zgjedhor si dhe zbardhja e përgjimeve dhe çështjeve që dilnin aty, përmes themelimit të Prokurorisë Speciale që si organ gjoja i paanshëm do hidhte dritë mbi to.

U ra dakord që zgjedhjet e parakohshme të jenë në prill 2016, u shtynë për qershor dhe përfundimisht u përcaktuan për 11 dhjetor.

Në këtë marrëveshje, palët merren vesh se cili do të jetë formati i qeverisë që do merrej me zbatimin e procesit dhe kodit zgjedhor, që ky proces të ishte i pranueshëm për të gjitha palët.

-Pati nga ana tjetër edhe zhvillime në arenën politike të shqiptarëve…

Ndërkohë opozita jashtëparlamentare shqiptare, filloi debatin dhe fushatën kundër BDI si pjesë e qeverisjes dhe qeverive të njëpasnjëshme. Kjo rezultoi me krijimin e disa partive para zgjedhjeve, për të cilat kryetari i BDI që në fillim potencoi që kjo formë organizimi është politikisht e dëmshme për faktorin shqiptar në Maqedoni, dhe apeli ishte që subjektet e reja që nuk ishin për bashkëpunim parazgjedhor me BDI të bëhen bashkë në fushatë, për të ruajtur sa më tepër mandate shqiptare në Kuvendin e ri dhe për të mos shpërndarë votën shqiptare. Këtë qasje partitë e sapothemeluara e ironizonin, me idenë se BDI po frikësohet nga rezultati i ardhshëm. Në fakt tre partitë e reja, LRPDSH e Zijadin Selës, Uniteti i Gëzim Ostrenit, dhe RDK e Vesel Mehmetit u bënë bashkë, fituan 3 mandate dhe lëvizja Besa me Rilindja Demokratike Kombëtare bënë koalicion dhe morën 3 mandate.

Në arenën parazgjedhore ishin 5 subjekte politike shqiptare, BDI, PDSH, Aleanca për Shqiptarët me 3 subjekte, Besa me dy subjekte dhe PDK që u paraqit gjithashtu. Ndërkohë dy grupimet e mëdha politike maqedonase bënë koalicione brenda bllokut dhe në zgjedhje u paraqitën VMRO-DPMNE dhe LSDM, pra dy koalicione, si dhe një koalicion i tretë pa fuqi elektorale. E reja e këtyre zhvillimeve ishte se LSDM për herë të parë në listat e veta zgjedhore pati kandidatë shqiptarë. Rezultoi që për herë të parë në pluralizëm kjo parti të ketë në hambarin elektoral një numër të konsiderueshëm votash shqiptare. Kjo mbështetje minimalizoi dallimin mes VMRO-së dhe LSDM-së, 51 me 49 mandate. Me këtë rradhitje, u bë e qartë se asnjë parti maqedonase nuk bënte dot shumicën e votave në parlament, pa bashkëpunuar me një subjekt politik shqiptar. BDI me 10 mandate siguronte direkt minimumin qeverisës prej 61 votash me VMRO-në, ndërsa LSDM vetëm me BDI nuk siguronte shumicë.

-Kështu vijmë tek momenti që tronditi jo pak politikën, marrëveshjen e partive shqiptare…

Duke e parë këtë raport numrash, të gjitha partitë politike shqiptare u ulën dhe bënë një marrëveshje ndërpartiake paszgjedhore, ku u përcaktuan pikat e përbashkëta të fushatës së secilës parti, që u përvijuan si vija e kuqe përtej së cilës nuk duhej shkuar nga secili subjekt. Kjo ishte baza që solli takimin e parë të partive, ku lëvizja BESA refuzoi të marrë pjesë, duke iu referuar nevojës së pranisë së një pale të tretë, të paanshme, që do ndërmjetësonte marrëveshjen shqiptare. Në këtë drejtim, përpjekja e parë u bë për gjetjen e figurave me potencial intelektual, akademik e publik brenda Maqedonisë, por nuk ndodhi. Miqësisht kryetari i qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, duke i përcjellë këto ngjarje, bëri ofertë pasi bisedoi një nga një me liderët e partive, që negociatat të bëheshin me praninë e tij. Në tentativën e dytë të zotit Rama, partitë u ulën bashkë dhe u morrën vesh që të hartojnë tekstin e marrëveshjes në Shkup.

Ky moment u shfrytëzua nga faktori maqedonas për ta paraqitur këtë dakordësi si “platforma e Tiranës”. Unë as me këtë emërtim, sado në thonjëza, nuk jam dakord, sepse është sajesë maqedonase si term. Ai pakt një produkt politik i shqiptarëve të Maqedonisë. Është qesharake, sepse për kurrfarë platforme nuk mund të flitet; është një marrëveshje paszgjedhore mes partive shqiptare, për unifikimin e atyre pikave të përbashkëta që kishin në programet e veta: Çështja e barazisë gjuhësore, ekonomike, funksionaliteti dhe vazhdimi i mandatit të prokurorisë speciale, axhenda integruese euroatlantike e vendit. Ishte jehonë e kërkesës së elektoratit shqiptar dhe ne përfaqësojmë votuesit tanë, askënd tjetër. Mbi këtë bazë më 7 janar 2017 u publikua marrëveshja, dhe më 9 janar kreu i shtetit i dha mandatin e krijimit të qeverisë, partisë me më shumë vende në parlament, pra z.Gruevski; sipas kushtetutës. Pas 20 ditë bisedimesh me VMRO, nuk u arritën pritshmëritë që do mundësonin koalicionin qeverisës, edhe pse për disa pika të rëndësishme ishim dakord. Në momentin që BDI shpall vendimin se nuk do ketë bashkëpunim me VMRO, kryetari i shtetit del në skenë me kushte antikushtetuese; dmth që mandatari i ardhshëm duhet të vërtetojë që ka shumicë parlamentare me firma të deponuara; se përmbajtja e programit qeverisës nuk do ketë elemente që rrezikojnë karakterin unitar të shtetit etj. Këto kërkesa treguan se kreu i shtetit z.Ivanov ndërhyri në cështje politike në mënyrë antikushtetuese, sepse presidenti nuk ka kompetenca për të kërkuar përmbajtjen e programit të partive që sapo janë votuar nga elektorati, dhe askund nuk figuron e shkruar që shumica t’i paraqesë presidentit firmat e mandateve që e mbështesin; kjo bëhet në Kuvend me votë. Në fakt më 30 dhjetor pat filluar seanca konstituive në Kuvend ku nuk u arrit zgjedhja e kreut të Parlamentit pasi nuk kishte shumicë të qartë. Nga ana tjetër, zhvillimi normal i seancave u pengua deri në përplasje fizike, që në fund çoi në hyrjen e dhunshme të qytetarëve nga jashtë. Kjo në fakt ishte më tepër lejim për futjen e personave të dhunshëm, sepse pamjet filmike flasin qartë për hapjen e dyerve nga brenda, nga deputetë të VMRO.

Shumica parlamentare, tanimë që ishin dhënë dhe verifikuar firmat për 67 vota, duhet të reflektonte vullnetin e shumicës së elektoratit të Republikës. Në formën e duhur, u tejkalua tendenca për zvarritje të procesit të zgjedhjes së komisionit për Emërime dhe Zgjedhje, që pengonte pikën tjetër të rendit të ditës, zgjedhjen e kreut të Parlamentit. Unë isha ndërkaq i kandiduar prej shumicës dhe i regjistruar si kandidat, por VMRO-ja e pengonte. Më 27 prill u krye votimi dhe u kapërcye kjo pengesë, edhe pse me gjendje kritike dhe të tensionuar.

-Zoti Kryetar, në fakt tensioni rrezikoi të shkonte drejt fatalitetit; pamjet i ka parë edhe publiku. Si e tejkaluat?

Situata për fat nuk u përshkallëzua edhe më keq, pasi mund të rezultonte edhe me viktima, duke i hapur rrugë presidentit për të shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Kjo gjendje nënkuptonte mundësinë e vazhdimit të mandatit të qeverisë së vjetër, dhe zhvillimet përcaktuar se ka pas një skenar të qartë për precipitimin e ngjarjeve në këtë drejtim. Siç shihet dhe nga regjistrimet, brenda parlamentit ka pasur elementë të shërbimeve të huaja, siç është prania e Zhivaljevicit, shef i sigurisë në ambasadën serbe në Shkup. Kjo i jep skenarit peshë dhe frymë më të gjerë sesa thjesht lokale, të brendshme.

Prej të nesërmes e tutje jam angazhuar që parlamentin ta vendos në funksion institucional, pa u fokusuar te ngjarjet e 27 prillit, që nuk janë prioritet i imi por i organeve përkatëse për t’i hetuar. Ato i kanë nisur procedurat hetimore, duke ndarë 3 procese hetimore: Një për pjesëtarët e turmës që kanë hyrë ne forcë në mjediset e parlamentit, një aktakuzë tjetër është për tentativë vrasjeje ndaj zotit Zijadin Sela, dhe tjetra për krim të organizuar, e cila pasqyron edhe rolin e disa deputetëve të cilët edhe fizikisht janë përfshirë, duke hapur dyert e Kuvendit nga brenda. Tani organet do kryejnë punën e tyre.

-Keni qenë ministër i Mbrojtjes i Maqedonisë, kur sërish emërimi juaj në detyrë, si pjesë e koalicionit BDI-VMRO ngjalli shumë debate në vitin 2013 për shkak të pjesëmarrjes suaj në kryengritjen e shqiptarëve që solli Marrëveshjen e Ohrit. Në fakt, çfarë ndodhi me këtë marrëveshje? Në mendimin tuaj, ku dhe pse ngeci zbatimi i saj. 

Së pari, emërimi im si ministër ka një prolog. Unë kam qenë zv.ministër i Mbrojtjes në periudhën 2004-2006, duke qenë më herët dy vite deputet. Padyshim dihej që asokohe se isha pjesëmarrës aktiv në luftën për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, por nuk u bë ndonjë bujë mbi detyrën time shtetërore me këtë shkak. Përkundrazi, në aspektin profesional, duke qenë se për 20 vite kam qenë edhe epror ushtarak aktiv në ushtrinë e ish-Jugosllavisë, pastaj në Armatën e Maqedonisë 1992-2001, kisha formimin e duhur jo vetëm politik por edhe ushtarak.

Në 2013 mu propozua që pas Fatmir Besimit, postin e ministrit të Mbrojtjes për pjesën e mbetur të mandatit qeverisës 2013-2014 ta mbaja unë. Normal që një pjesë e strukturave nacionaliste maqedonase e shfrytëzuan këtë moment për të dalë në rrugë e protestuar dhunshëm. Por protestuan edhe shqiptarët në mbështetjen time. Në një debat me bartësin e protestave, ish gjeneralin Angelov, u kthjelluan shumë cështje mbi natyrën e ministrit të Mbrojtjes dhe pikëpamjet e tij lidhur me menaxhimin e ministrisë. Realisht, modestia mënjanë, nëse tash pyesni stafin e ministrisë dhe të Armatës, ata do ishin të kënaqur që unë të kthehesha sërish në atë dikaster.

Sa i takon Ohrit, marrëveshja u përmbyll me praninë e faktorit ndërkombëtar, SHBA-BE, pas luftës së 2001-it. U përcaktuan disa prej çështjeve që duheshin zgjidhur me afatet kohore përkatëse: reformimi i legjislativit, si më akute, dhe të tjerat si përfaqësimi i drejtë i kombësive në strukturat e shtetit, barazia gjuhësore etj. Kuptohet disa pika duan kohën e tyre. Psh përfaqësimi i drejtë i shqiptarëve në institucione kërkon elementë dinjitozë, por përgatitja e kuadrove do kohë, sepse nuk është thjesht çështje raporti numerik, por edhe caktim i profesionistëve. Interesi shqiptar kërkon jo vetëm sasi, por sidomos cilësi.

Barazia gjuhësore realisht është penguar, edhe për shkak të numrave të shumicës parlamentare që faktorit shqiptar nuk i jepte shumë hapësira. Nga 2008 e këtej, VMRO kishte një pozitë më komode për të komanduar procedurat institucionale, por edhe në ato rrethana patëm arritur të sjellim ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe pastaj projektin e përmirësuar të tij në 2011. Në 2014 e më pas, ndryshimet e fuqishme të fokusit sa i takon zhvillimeve europiane e globale në fakt zhvendosën edhe disa prej prioriteteve të brendshme në Maqedoni. Angazhimi i SHBA-së në pika të tjera të botës, pse ta fshehim, e spostoi vëmendjen ndaj Maqedonisë.

Në fjalë të tjera, dua të them se Marrëveshja e Ohrit është një instrument afatgjatë që rregullon raporteve e bashkëjetesës dhe bashkëqeverisjes mes komuniteteve në Maqedoni. Jo vetëm mes komuniteteve të mëdha, maqedonas dhe shqiptarë, por edhe etnive të tjera të vogla; serbe, boshnjake, turq, vllehë, romë. Në proceset politike, ka edhe momente frenuese apo penguese, por ajo marrëveshje mbetet pikë referimi. Moment pengues ishte psh viti 2008 kur në Samitin e Bukureshtit, Maqedonisë iu kërkua plotësimi i disa kushteve që përfshinin edhe Ohrin, për t’u bërë anëtare e NATO-s, por blloku maqedonas zgjodhi pengimin, çka solli disa vite vonesë duke mbërritur në ditët e sotme.

-A mund të themi se unifikimi i qëndrimit politik shqiptar në Maqedoni vendos një vijë të re, që dmth përtej politikës së ditës, për çështje madhore duhet një bazë e përbashkët që nuk mund të kapërcehet?

Ky unifikim ishte një ngjarje mjaft pozitive. Do të kisha shumë dëshirë të jetë ky një moment i ri, por shohim për shembull, se pavarësisht se dokumentin e përbashkët e kanë firmosur të gjithë partitë, BESA nuk ka ardhur në asnjë takim. Marrëveshja paracakton që me bazë rotacioni, secila parti mund të thërrasë tryezën e rrumbullakët për shqetësime që kanë të bëjnë me pikat tona të përbashkëta, por BESA ka qenë vijimësisht e distancuar, packa se firmëtare.

-Ende ekziston ndërkaq, një lloj paralize parlamentare sa i takon taktikave penguese të VMRO tashmë opozitare, që nuk i mundëson Kuvendit që ju kryesoni, të vijojë axhendën dhe planet e reformave që qeveria e re ka shpallur. A parashikoni se si do tejkalohet ky skenar?

Funksionimi i parlamentit është i sanksionuar me rregullore dhe ligje, si dhe me Kushtetutë. S’do mend se opozita do shfrytëzojë cdo formë demokratike për të zvarritur procedurat e rregullta të parlamentit. E ka ktë të drejtë. Por në teorinë juridike, në demokraci ka një konstatim që përcakton momentet kur “debati është i pakuptimtë”. Atëherë ky debat duhet ndërprerë. Pra, besoj se kam instrumentet e duhura për të ndërprerë debate të stërgjatura, kur deputetë të të njëjtin grup gjasme debatojnë me njëri tjetrin për të djegur afatet kohore të seancave. Nuk kam njohur parlament demokratik në botë që funksionon kësisoj. Ç’janë këta deputetë të së njëjtës parti që saktësojnë, korrigjojnë e debatojnë pa fund me njëri tjetrin në Kuvend?

S’do mend se pas 27 prillit, për deputetët sidomos të dy grupeve të mëdha parlamentare maqedonase, VMRO e LSDM, duhet një kohë për të perceptuar çfarë ka ndodhur dhe reflektuar mbi ato njarje të rrezikshme. Kësisoj për t’u qetësuar dhe ftohur. Edhe për këtë arsye, nuk kam dashur që të ushtroj deri në fund kompetencat bllokuese e ndërprerëse. Dua t’u jap kohë, atyre por edhe në veçanti publikut, që të kuptojë se çfarë aspekti i pakuptimtë është zgjatja e kotë e debateve të tilla. Kam vënë në dijeni edhe deputetët, se nga shtatori e tutje do vihen në zbatim të gjitha rregullat e kompetencat që sigurojnë mbarëvajtjen e seancave parlamentare produktive. Duhet të them se nga reagimet qytetare në faqen tonë elektronike, kam marrë mbështetje për menaxhimin e seancave që kam kryer. Do aplikoj edhe pjesëmarrjen e qytetarëve të zakonshëm në seancë, sipas ligjit dhe rregullave, që ata të shohin sjelljen dhe artikulimin e deputetëve.

-Kanë filluar, me qeverinë e re, disa lëvizje domethënëse sa i takon hapjes rajonale dhe komunikimit për çështje të mbetura pezull, duke filluar nga negociatat me Greqinë për çështjen e emrit. A jeni optimist se më në fund kjo dosje do mbyllet?

Nga natyra jam optimist. Qeveria e re, hapin e parë e bëri me marrveshjen me Bullgarinë për fqinjësi të mirë. Janë hedhur hapa direktë për kontaktim me Greqinë me synim zgjidhjen e çështjes së emrit. Ju e dini se gjithashtu ka një debat mes kishave të Maqedonisë dhe Serbisë. Në këtë kuptim, vetëm me Shqipërinë dhe Kosovën, Republika e Maqedonisë nuk ka problem, përkundrazi. Ky fakt duhet shfrytëzuar në aspektin pozitiv, për të theksuar se të tilla duhet të jenë të gjithë marrëdhëniet tona rajonale. Pra, çështja me Greqinë, edhe pse e ndërlikuar, mund të marrë rrugë me ndihmën e faktorit ndërkombëtar.

Maqedonisë sot i duhen vendime të guximshme. Nuk mund të vonohemi më. Mbase në aspektin e politikës së brendshme vendimet të tilla do sjellin dëm provizor, por në kontekst historik, afatgjatë, do jenë në favor të qytetarve të Maqedonisë.

-Një konflikt i befasishëm diplomatik me Serbinë po ezaurohet po kaq shpejt. Çfarë ndodhi?

Shumë shkurt, në sajë të ngjarjeve paraprake të konstatuara, mendoj se ishte një tentativë e Serbisë për të luajtur rolin e vet në rajon, që në frymën e këtyre lëvizjeve pozitive diplomatike të mund të bëhet pjesë e pengesave për këtë frymë konstruktive euroatlantike. Kini parasysh në kornizë pak më të gjerë, edhe ngjarjet destabilizuese në Malin e Zi dhe ata që fshihen pas tyre. Nëse marrim parasysh faktin se në çastin më kritik në vendin tonë, në dhunën e parlamentit është direkt prezent një funksionar i lartë i shërbimeve sekrete serbe, (që thotë se ka hyrë me lejen e këshilltarit të presidentit Ivanov, i cili as e ka këtë të drejtë, por edhe dëshmon sërish përfshirjen e VMRO-së në skenar) s’do mend se ky incident i qartë duhej mbuluar me diçka tjetër. Zbrazja e ambasadës është në kundërshtim me çdo normë ndërkombëtare, përfshirë Konventën e Gjenevës. Kjo është në fakt ndërprerje e marrëdhënieve diplomatike. Por është mirë që tani palët kanë ulur tensionet dhe rinisur marrëdhëniet, përfshirë dhe takimin mes ministrave të jashtëm.

-Zoti kryetar, si janë marrëdhëniet tuaja me Tiranën zyrtare dhe personalitetet politike këtu?     

Përveçse personale, edhe institucionale janë të shkëlqyera, si me pozitën dhe opozitën. Nuk kemi ngarkesa në komunikim, dhe as ndërhyrje të pavenda reciproke; padyshim këmbejmë mendime, opinione, duke patur respektuar detyrat institucionale e partiake të secilit. Fokusi dhe interesi i përbashkët është siç kanë përcaktuar rilindasit, “për shqiptarët dielli lind në Perëndim”.

-Mësova se keni darkuar edhe me Presidentin e Republikës, zotin Meta. Jeni në dy në fillimet e mandateve shumë të rëndësishme. Ishte një takim miqësor, apo e mbajtët edhe “kostumin e zyrtarit”?

Shikoni, sado miqësor, dhe ishte shumë miqësor, payshim që takime të tilla I kanë edhe premisat e kontaktit institucional. Këmbyem mendime për zhvillimet në rajon, marrëdheniet mes dy vendeve e mjaft tema të tjera. Siç thashë dhe më lart, raportet i kam të shkëlqyera me politikanët e Shqipërisë dhe zoti Meta përfshihet; edhe për arsyen e një presidenti vërtet të ri, por të një politikani me kaq shumë përvojë dhe pjekuri, nga i cili kam ç’mësoj. E pra, nuk kemi pse presim vetëm takime formale për të biseduar edhe miqësisht, edhe institucionalisht. Kjo edhe në qasjen time të një diplomacie parlamentare aktive, që dua ta përdor si instrument edhe në të ardhmen.

-Keni zgjedhur të pushoni në Shqipëri: A është ky një mesazh politik apo shije private, personale?

Epo, le të merret edhe si mesazh politik, si ftesë për të gjithë politikëbërësit në Maqedoni pa asnjë përjashtim etnik apo politik. Unë personalisht gjithnjë pushimet e kam bërë në Shqipëri. Janë të gjitha arsyet: Ësht vend i bukur, ka dy dete të mrekullueshëm, plazhe, hapësira të paprekura që ne si “fqinjë” s’kemi pse t’i humbasim. Pra s’ka pse shkojmë shumë larg për bukuri të rralla që i kërkojmë mijëra km tutje. Kësisoj të dy popujt e përjetojnë njëri-tjetrin edhe duke kontaktuar dhe njohur, për të thyer kaq shumë stereotipe që ekzistojnë ende në rajon.

*Albanian Daily News