Igli Tare nuk ka hequr dorë nga dëshira e kamotshme e tij. Ish futbollisti i famshëm shqiptar shpreson që në një të ardhme të emërohet përzgjedhës i Kombëtares së Shqipërisë, për të cilën luante në kohën kur ishte pjesë e futbollit aktiv.
Tare qe disa vjet punon në Serie A të Italisë, ku po ashtu luante dikur si futbollist. Por, viteve të fundit është drejtor në Lazio, ku punën vazhdimisht e kryen me shumë sukses.
Përkundër angazhimeve në Lazio, Tare me mendje gjithnjë është në Shqipëri.
Ai ka thënë se aktualisht është shumë i ngarkuar me punë te Lazio sepse futbolli italian gjendet në mes të afatit kalimtar të janarit.
Por, e ka përsëritur dëshirën e tij që në një të ardhme ta marrë drejtimin e Kombëtares Shqiptare.
“Sa i përket dëshirës time, unë e kam thënë që një ditë dua ta drejtoj Shqipërinë. Nuk e di se sa do të realizohet, por kjo është si dëshirë. Gjithsesi këtu po flasim për të ardhmen, pasi për momentin jam shumë i lumtur te puna ku jam”, ka thënë Tare.
Ish sulmuesi i njohur qe disa vjet vlerësohet si njëri prej menaxherëve më të suksesshëm në Serie A të Italisë si drejtor sportiv.