Për situatën e futbollit në Itali, të futur në tunel nga “Coronavirus”, ka folur edhe drejtori sportiv i Lazio, Igli Tare. Klubi bardhekaltër shtyn për rifillimin e Serie A dhe kritikon ashpër zgjedhjen e qeverisë për t’u kthyer në trajnim, mbase nga 18 maji. Për mikrofonat e “Lazio Style Radio”, shqiptari pohoi: “Ne të gjithë jemi të befasuar, respektuam çdo vendim të marrë nga qeveria italiane, por më 4 maj ishte pikërisht fillimi. Ndihemi të diskriminuar. Kam dëgjuar fjalët e Ministrit të Sportit, Spadafora, i cili pranoi se mendonte vetëm për mbrojtjen e shëndetit.
Por, më pas ai i lejon njerëzit të vrapojnë nëpër parqe, mes njerëzve të tjerë, në vend që të japë mundësinë e stërvitjes në qendrat sportive, me të gjitha masat e nevojshme të sigurisë. Aktiviteti sportiv është ndalur prej dy muajsh, një kohë shumë e gjatë për të inkurajuar shërimin. Nuk e di cili është qëllimi i tij, sigurisht që nuk do të ndihmojë futbollin. Vendimet e tij janë drastike, nuk na lejojnë të luajmë përsëri. Diçka nuk është në rregull” shkruan Telesport.
Ndërkohë, Igli Tare iu bën një thirrje edhe të tjerëve: “Ne jemi të vetëdijshëm për situatën, tregojmë shumë kujdes për të pranuar sakrificën e bërë nga njerëzit në karantinë, por kjo nuk është një gjë e mirë. Futbolli është një faktor shumë i rëndësishëm shoqëror për vendin. Ne nuk duam të hapim stadiumet, vetëm të përfundojmë kampionatin në përputhje me rregullat. E kemi treguar në fushë mundësinë për ta fituar kampionatin, por mbeten akoma 12 ndeshje. Të flasim për një fitore të mundshme është fjalë e madhe.
Ne duam ta përfundojmë kampionatin kryesisht për hir të sistemit italian të futbollit. Në Gjermani, presidenti i federatës së futbollit dhe përfaqësuesit e klubeve kryesore atje kanë marrë të gjithë pozicion të qartë, për ta përmbyllur sezonin deri në javën e fundit. Te ne, sistemi i futbollit është në diskutim. Nuk e kuptoj pse klube si Juventusi dhe Interi nuk pozicionohen. Protokollet? Ato duhet të respektohen, nuk ka dyshim për këtë”.