Ka humbur jetën në moshën 60-vjeçare legjenda e futbollit botëror, Diego Armando Maradona.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja të cilat raportojnë se Maradona nuk mundi t’i rezistonte një arresti kardiak. Argjentinasi pësoi një arrest kardiorespirator pas një operimi për një hematomë subdurale.
Maradona u lind në Lanus të Buenos Aires, në një familje të varfër si djali i vetëm pas katër motrave. U rrit profesionalisht në Argjentinë tek Argentina Juniors dhe më pas bëri kalimin tek Boca Juniors, aty ku tifozët e shohin si ‘Zot’.
Më pas në vitin e largët 1982 Maradona kaloi tek Barcelona, Napoli, Sevilla dhe për t’u rikthyer më pas për ta mbyllur sërish tek ekipi i zemrës, Boca Juniors. Gjithashtu ai shkëlqeu në arenën ndërkombëtare me Argjentinën. Maradona ishte kapiten kur Argjentina fitoi Kupën e Botës në vitin 1986.
Së fundmi ai ishte trajner i Gimnasia de la Plata, ekipi i fundit me të cilin do të kishte të bënte. ”Djaloshi i artë” nuk do të jetë më mes futbolldashësve duke lënë një thesar të paçmuar në fushë dhe përtej. Shumë e konsiderojnë si futbollisti më i mirë i të gjitha kohërave, teksa vetë ai si pasardhës të tij e konsideronte Lionel Messi-n.