Ishin dy vende për të cilat gazetarja Oriana Fallaci ishte betuar se nuk do të shkelte kurrë këmbë në jetën e saj: në Greqi dhe në Meksikë. Ajo ndodhej në Meksikë në vitin 1968 e tërhequr nga lëvizja studentore që tronditi vendin atë vit. Filloi në korrik të atij viti mes zënkash shkolle, në të cilën ndërhyri policia në mënyrë shumë të dhunshme. Represioni ishte ai që i bashkoi studentët, të cilët u organizuan për t’u përballur me qeverinë e asaj kohe të presidentit Gustavo Díaz Ordaz. Në tetor të atij viti, dhe për 10 ditë fillonte Olimpiada e Meksikës, në rrugë kishte 200 000 studentë të universiteteve publike dhe disa private që manifestonin. Prezantoheshin nga një Komitet Kombëtar i Grevës që kërkonte mes të tjerave dialog me qeverinë dhe lirim për të burgosurit politikë, mes tyre studentë dhe profesorë të lëvizjes. Si përgjigje qeveria nxori ushtrinë që ndërpreu dhe pushtoi instuticionet e edukimit të lartë si në kampusin e Universitetit Kombëtar të Pavarur të Meksikës dhe në Insitutin Politeknik Kombëtar. “Vura kontakt me liderët e Komitetit Kombëtar të Grevës sepse lëvizja është më interesante se ajo që po ndodh në vendin tuaj. Studentët më folën të premten në hotel dhe më thanë se do të kishte një miting në “Plaza de las Tres Culturas”, të mërkurën në 2 tetor në orën 5”,-i rrëfeu Fallaci një gazetareje, Elena Poniatowska në librin “Nata e Tlatelolco”. “Që kur mbërrita në Meksikë më tërhoqi vëmendjen lufta e studentëve kundër represionit policesk. Më befasuan edhe titujt e gazetave. Sa gazetarë të këqij, sa të trembur, sa pak indinjatë. As olimpiadë asgjë!” – u shpreh ajo.
Fallaci ishte me studentët natën e 2 tetorit të 1968 në “la Plaza de las Tres Culturas” në Tlatelolco. Aty mbërriti ushtria, policia dhe një grup paraushtarak i njohur si batalioni Olimpia. Në orën 6.10 të mbasdites rreze të kuqe dhe jeshile ndezën qiellin dhe filluan të shtënat kundër studentëve. Për gati gjysëm ore vazhduan të shtënat. Askush nuk e di me siguri sa studentë vdiqën në atë natë në Tlatelolco, ku pati dhjetra të burgosur, të plagosur dhe mes tyre edhe Oriana Fallaci. Një plumb e kapi kur gjendej në ndërtesë “Chiahuahua” me liderët e udhëheqjes. Gazetarja shkroi për atë natë në librin e saj “Asgjë dhe ashtu qoftë” të vitit 1969. Aty ajo përmend një student të konservatorit që e shpëtoi dhe e çoi në spital. Emri i tij ishte Manuel Gómez Muñoz, student lirik dhe ishte përfaqësues i konservatorizmit kombëtar në Komitetin Kombëtar të Grevës. Fallaci e akuzoi se ai e kishte denocuar si komuniste dhe agjitatore. Gómez Muñoz nuk mundi kurrë të sqaronte versionin e tij. “Shumë herë i kam shkruar, jam përpjekur t’i telefonoj, por nuk më është përgjigjur kurrë.” Ai na rrëfen historinë dhe ato që ndodhën atë natë, kur i shpëtoi jetën Oriana Fallaci-it.
Ja historia:
Orianën e njoha në ndërtesën Chihuhua, mbasditen e datës 2 tetor. Më tërhoqi vëmendjen ajo grua bjonde që fliste një spanjishte të ngatërruar dhe fillova t’i flas në italisht. Unë isha këngëtar i operës dhe kisha studiuar gjuhë italiane. Po fillonte mitingu dhe ajo më pyeti nëse kishim mbështetjen e punëtorëve dhe i tregova një kontigjent të punëtorëve të hekurudhave që po shkonte në atë moment drejt sheshit të tri kulturave.Tërhoqën vëmendjen sepse kishin me vete veglat muzikore me të cilat luanin La Rielera- këngë revolucionare. Në një çast mbiu mbi tarracë batalioni Olimpia me doreza të bardha në dorën e majtë, të drejtuar nga një njeri që sapo mbërriti hapi zjarr mbi shesh, ndoshta ato ishin të shtënat e para. Ushtria iu përgjigj dhe qëlloi drejt ballkonit të ndërtesës mbi subjektet me doreza që nuk i dinim cilët ishin. Burracakërisht u fshehën prapa mureve të ballkoneve dhe filluan të thërrisnin: Bataljoni Olimpia, mos qëlloni!
Njerëzit që ndodheshin prapa mureve të ballkoneve i tërhiqnin në anën e kundërt deri tek dyert e ashensorëve.Të njëjtën gjë bënë edhe me Orianën, e tërhoqën prej flokësh dhe e shtynë në vendin ku binin plumbat rikoshet me çatinë, sepse ajo qoshe nuk lejonte që të qëllonin drejt nesh. Unë qëndrova mbi të për një farë kohe, nuk e di se sa dhe më pas na urdhëruan të zvarriteshim nëpër dysheme. Dyshemeja ishte plotësisht e lagur sepse plumbat kishin çarë tubat e ndërtesës. Unë thërrisja se ajo ishte një gazetare italiane, që ishte e huaj, por nuk u bëri përshtypje. Tipi që qëlloi drejt sheshit në fillim, filloi të qëllonte edhe rreth nesh dhe thoshte: “ Donit luftë, bastardë? Ja ku e keni!” Zhurmat ishin të papërshkrueshme. Kur na detyruan të zvarritemi unë qëndrova bashkë me Orianën që kishte marrë dy plumba. Gjëja e parë që më pyeti ishte nëse e kishin qëlluar në veshka sepse nëse po, kishte marrë fund. Unë nuk mund ta dija, vetëm pashë që kishte dy plagë. Meqë ishte e plagosur na detyruan të zbrisnim nga shkallët në një dhomë. E tërhoqën dhe i vodhën gjithçka kishte. Qëndruam aty për shumë kohë dhe në një moment ajo më tha: “Më kap dorën dhe mos u ndaj nga unë, thuaj se je përkthyesi im.” Më një fund mbërriti një barrelë me disa ushtarë. Nuk donin të më linin të shkoja me të në ambulancë, por ajo nuk ma lëshoi dorën kështu që e shoqërova në kryqin e gjelbër. Gjatë rrugës më dha disa porosi, mes të cilëve të komunikoja me disa gazeta në të cilat shkruante. Oriana Fallaci më nxori nga Tlatelolco, por nuk mundej të më nxirrte nga spitali që ishte plot me policë. Nuk më arrestuan menjëherë sepse në ato momente e çuan në urgjencë dhe ishin të shqetësuar për atë që ishte e dukshme, dua të them i kishte rrobat të shqyera dhe shumë pak mbetën në ambulancë.
Mundësia ime e vetme për t’u arratisur dhe për ta ndihmuar ishte të hiqesha si i huaj. Pyeta për një telefon dhe më treguan pa më bërë ndonjë gjë. Unë nuk kisha monedha dhe fillova të kërkoj sepse doja të bëja telefonata. Fillimisht mora informacionin për t’i kërkuar numrin e ambasadës italiane, por punonjësja nuk donte të ma jepte nëse nuk i thosha emrin tim. Më dha një numër tjetër i cili m’u përgjigj në italisht. Nuk e dija kush ishte, por i thashë që gazetarja Oriana Fallaci ishte plagosur në spitalin e kryqit të gjelbër. M’u përgjigj se nuk merrej me këtë gjë. Pse? Sepse personeli i ambasadës ishte i demokristianëve, reaksionarë të së djathtës. Orianën e konsideronin më afër të majtës. Në fund më dhanë numrin e mjekut të ambasadës. Ishte telefonata e fundit, nuk kisha më monedha. U bërtita që Oriana ishte e plagosur. Në atë moment del një grua nga një derë dhe thërret: Kapeni! Nuk munda as të mbyll telefonin, më mbajtën aty sepse nuk dinin ç’të bënin me mua. Unë isha përkthyes i Insitutit Italian të Kulturës nga ambasada italiane, më njihnin funksionarët e atij Insituti sepse kishin qenë profesorët e mi kur studioja, para se të hyja në konservator. Më vonë më çuan në policinë gjygjsore, donin që të deklaroja se ishin studentët që kishin filluar të shtënat dhe Oriana ishte një agjitatore dhe komuniste. Nëse unë thosha bardhë, sekretari shkruante zi. Ai shkruante ç’ti donte qefi. Qëndrova aty për disa ditë, derisa më lëshuan.
Pas disa ditësh më morën sërish, shumë afër shtëpisë sime. Pata frikë se besoja se kisha rënë në duart e sigurimit. Ishin ata të policisë gjygjsore, drejtori i marrëdhënieve publike ishte xhaxhai i një shoqeje të konservatorit. Ndoshta u klasifikuam si subjekte të parrezikshme. Munda të shkoj në provincë tek disa të afërm. Isha si i çmendur, nuk mund të dilja në rrugë sepse kisha delirin e persekutimit, nuk flija. E vërteta është se të gjithë mbetëm të tronditur deri edhe sot.
Oriana Fallaci nuk e mori vesh kurrë atë që ndodhi në orët pas hyrjes së saj në spital, as atë që bëri Manuel Gómez Muñoz. Komiteti i 68 donte të komunikonte me të. “Donim ta falenderonim që bëri të ditur atë që ndodhi në datën 2 tetor në Tlatelolco dhe veçanërisht unë që të mund t’i thoja se nuk e kisha denoncuar.” Rasti i Fallaci-it i tensionoi kaq shumë marrëdhëniet diplomatike mes Italisë dhe Meksikës, sa që para Olimpiadës ambasada anuloi inagurimin e ekspozitës “Sporti në artin klasik” që ishte kontribut kulturor italian për Olimpiadën.
Fallaci asnjëherë nuk e la mënjanë mërinë kundër Meksikës, ndaj të cilës ishte dëshmitare të asaj që ajo e quante “vrasja e Herodit.” / Burimi: “Scoopnest”