Histori njerëzore/ Xhulia gjen Majlindën, nënën biologjike pas 24 vitesh. Të kam...

Histori njerëzore/ Xhulia gjen Majlindën, nënën biologjike pas 24 vitesh. Të kam falur që më braktise!

1129
0

U desh të kalonin 24 vite e të bëhej vetë nënë që të mësonte të vërtetën e origjinës së saj biologjike. Xhulia Tabaku kishte ardhur nga Italia enkas për emisionin “Ka një mesazh për ty” për të rrëfyer jetën e saj e për të kërkuar gruan që e solli në jetë. Nuk ka qenë e lehtë për të pasi për pjesmarrjen në emision ajo nuk kishte patur për asnjë moment përkrahjen e prindërve biresues, sidomos të babait. Disa vite më parë, kur ishte në 9-vjeçare ajo ka dëgjuar të flitet nga bashkëmoshatarët e saj se nuk ishte vajza e atyre qe e kishin rritur. Natyrisht si për çdo fëmijë kjo ka qenë e rëndë por dyshimet i’a kanë shuar prindërit duke i thënë të kundërtën. Xhulia tregon se po në atë kohë, i ka rënë në dorë një letër të cilën i’a kishin lejuar që ta shikonte. Në periudhën e gjimnazit ajo e sheh sërish atë letër të zverdhur nga vitet dhe zbulon se ishte çertefikata e vërtetë e lindjes. Aty shkruhej se quhej Xhulia Isufi e lindur më 8 prill 1995 me prindër Loni dhe Majlinda. Përveç emrit dhe datëlindjes, asgjë nuk ishte siç e dinte deri në ato momente. Xhulia pyet gjyshen dhe ajo i pohon se është vajzë e birësuar por se babai i saj birësues nuk dëshironte që të flitej për këtë temë. Këtë e vërtetoi edhe vetë kur pyeti të atin dhe ai nuk i dha asnjë përgjigje. E ëma i’a pohoi gjithashtu por pa i dhënë detaje të tjera. Në fillim, Xhulia thotë se ka patur një ndienjë deri diku në urrejtje për nënën biologjike sepse mendonte se ajo nuk e ka dashur përderisa e kishte braktisur. Nga ana tjetër i dukej se kishte jetuar një jetë të gënjeshtërt deri në ato momente. Pas mbarimit të gjimnazit dhe njohjes me bashkëshortin e saj, filluan të ndryshojnë dhe ndienjat. Me të mësuar se ishte shtatëzënë, Xhulia filloi të kishte një tjetër ndjesi dhe motiv më shumë për të kërkuar mamanë e saj biologjike. Dy vitet e fundit ajo i kishte dalë dy herë në ëndërr me imazhin e siluetës së një gruaje në errësirë që mbante një foshnje në duar. Për herë të fundit i kishte dalë një natë përpara se të martohej dhe ky ka qenë momenti që Xhulia ka vendosur që t’i shkojë deri në fund zbulimit të kësaj historie. Ajo është paraqitur disa herë tek “Komiteti Shqiptar i Biresimeve” dhe vetëm në verën e këtij viti ka arritur të hapë dosjen e saj. Aty nuk kishte mësuar më shumë nga çfarë kishte në çertefikatën e saj të lindjes përveç disa detajeve që nuk e ndihmonin në kërkimin e nënës. Përreth dy vite ajo ka biseduar me redaksinë e “Ka një mesazh për ty” dhe më në fund, në muajin tetor 2019 ka marrë ftesën për të ardhur në emision. Natyrisht për këtë kishte dijeni vetëm bashkëshorti sepse babai birësues nuk do e pranonte asnjëherë që e bija të dilte publikisht. Sipas Xhulias, frika e tij është se mos ajo u kthen kurrizin pasi të ketë gjetur nënën biologjike. Por më e vendosur se kurrë, ajo u ka siguruar atyre se kjo nuk do ndodhe por nga ana tjetër, të vërtetës do i shkonte deri në fund…

Pasi ka rrëfyer historinë e jetës Xhulia ka marrë lajmin që nëna e saj ishte gjetur dhe për herë të parë ka parë nëpërmjet ekranit fytyrën e saj. Ka mësuar se mamaja quhej Majlinda Kumbaro dhe se përveç familjes së ngushtë të saj, askush nuk e dinte se ajo kishte sjellë në jetë një fëmijë përpara 24 vitesh. Ka qenë një guxim i madh nga ana e Majlindës që në moshën 59 vjeçare të thyente mentalitetin e të mohonte thashethemet që mund të lindin duke ardhur në një studio televizive e të pranonte publikisht fëmijën që dikur kishte braktisur. Mes lotëve që nuk i pushonin ajo ka treguar sesi pas një lidhje të shkurtër me një person në qytetin e Çorovodës, ka lindur një vajzë të cilën nuk mundi t’a mbante më shumë se disa momente në krahë. Pikërisht ai mentalitet i rëndë shoqëror, nga njerëz të cilët nuk do e kuptonin por do e paragjykonin e detyruan Majlindën që të braktiste të bijën një ditë pasi e lindi në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Për ditë të tëra ajo ka mbetur e mbyllur në shtëpi duke qarë e për 24 vitet e arshshme e ka ruajtur në një skutë të zemrës duke uruar që do vinte dita që t’a takonte.

Ka qenë Xhulia ajo që i ka dhënë Majlindës një mesazh tejet domethënës. “The që duhej ta kisha kërkuar unë. Po nuk ka rëndësi kush kërkoi, rëndësi ka rezultati që u gjendëm”, është shprehur vajza e më pas ato janë përqafuar mes lotëve për herë të parë. Xhulia tashmë është një nënë e lumtur e një djali 11 muajsh por dita e sotme do jetë një tjetër ditë e shënuar në kalendarin e jetës së saj. Ajo nuk ka harruar t’u përcjellë një mesazh edhe prindërve birësues të cilët po ashtu duhet të kenë mbetur të habitur nga prania e vajzës në studio. “Kjo nënë më sheh tani kaq sa jam sepse më rritën ata dy prindër dhe ata më kanë sepse më lindi kjo nënë. Unë nuk i ndaj, janë njëlloj”.

Përtej gëzimit të dy njerëzve të një gjaku që gjetën njëra – tjetrën, Xhulia dhe Majlinda kanë dhënë një model. Kanë dhënë modelin e faljes, të mos paragjykimit pa njohur rrethanat, e mbi të gjitha guximit për të dalë mbi opinionin dhe mentalitetin shoqëror.