Prokurorët dhe gjyqtarët që do të emërohen në Prokurorinë e Posaçme, Byronë Kombëtare të Hetimit dhe gjykatat që do gjykojnë veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të mendohen mirë përpara se të aplikojnë për tu përfshirë në këto struktura, pasi duhet të heqin dorë nga privatësia e tyre dhe e familjarëve për të paktën një dekadë.
Ligji për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, që po shqyrtohet në Komisionin e Posaçëm të Reformës parashikon kufizime drastike për këta gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët do të jenë të mbikqyrur ditë e natë. Në këmbim të humbjes së privatësisë do të marrin pagë të lartë.
Në formularët e vetëdeklarimit që duhet të firmosë çdo person që do të emërohet në këto institucione të rëndësishme prokurorët dhe gjyqtarët pranojnë që për 10 vitet e ardhshme, kur edhe do ushtrojnë këto detyra të përdorin një numër telefoni celular, një adresë poste elektronike. Të gjitha këto mjete komunikimi dhe bisedat do të mund të kontrollohen 24 orë në 24 nga Byroja Kombëtare e Hetimit. Dhe për këtë do të nënshkruajnë vetë përmes formularëve
“Unë jam i informuar dhe jam dakord që për këto dhjetë vite do të marr një telefon celular, një numër celulari dhe një adresë poste elektronike. Jam dakord të përdor vetëm këto mjete komunikimi elektronik. Nëse gjatë një emergjence do të më duhet të përdor një mjet tjetër komunikimi elektronik, do t’ia raportoj këtë fakt Oficerit Përgjegjës të Byrosë Kombëtare të Hetimit brënda 3 ditësh. Jam i informuar dhe dakord që ky numër telefoni dhe kjo adresë poste elektronike i nënshtrohen vëzhgimit nga Byroja Kombëtare e Hetimit, ku përfshihet leximi i e-maileve , mesazheve tekst si dhe dëgjimi i bisedave”.
Prokurorët dhe gjytarët dakordësohen të deklarojnë edhe llogaritë e financiare dhe ato të anëtarëve të afërt të familjes.
Ata duhet të deklarojnë shtëpitë, apartamentet, shtëpitë e pushimit, automjetet, motorcikletat, anijet ose aeroplanet e të cilëve, kandidati, është pronar apo i gëzon gjatë 5 viteve të fundit, dhe që nuk përfshihen në objektet të cilat përdoren me qëllim zyrtar ushtrimin e detyrës.
Kandidatët e këtyre instirucioneve do të plotësojnë edhe formularin për kontrollin e pastërtisë së figurës, ku do të përgjigjen nëse janë në dijeni të një vepre penale që kanë kryer në 10 vitet e fundit të afërmit e tyre, ku përfshihen bashkëshorti dhe bashkëshortja si edhe të afërt deri në shkallën e katërt dhe krushqi të shkallës së dytë.
Kandidatët duhet gjithashtu të deklarojnë nëse kanë pasur takime, marrëdhënie ose kontakte të papërshtatshme me persona, të cilët kanë qënë ose janë të arrestuar, të dënuar, apo të akuzuar publikisht për përfshirje në krimin e organizuar.
Kandidatët do ti nënshtrohen edhe testit të poligrafit ose ndryshe testit të së vërtetës si një mates i integritetit të tyre./Oranews.tv/