Astma është një sëmundje inflamatore që karakterizohet nga kriza të përsëritura të ngushtimit dhe bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes, të cilat shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje, gulçime dhe kollë. Astma mund të nisë në çdo moshë, por zakonisht shfaqet gjatë fëmijërisë. Si një nga sëmundjet më të zakonshme kronike te fëmijët, përhapja e astmës po rritet nga viti në vit. Në Shtetet e Bashkuara, njëzet e pesë milionë njerëz vuajnë nga astma dhe nga këta, 7 milionë janë fëmijë.
Kohët e fundit, një studim novator tregoi se normat e astmës variojnë në mënyrë drastike në mbarë botën. Programi “International Study of Asthma and Allergies in Childhood” ndoqi më shumë se një milion fëmijë në 100 vende të botës, duke e bërë këtë sondazhin më të plotë të ndërmarrë ndonjëherë për sa i përket kësaj sëmundjeje. Studimi zbuloi se përhapja e astmës, alergjive dhe ekzemave alergjike ndryshonte në mënyrë drastike. Përse përhapja e rhinoconjunctivitis (sy të irrituar dhe hundë që kullojnë) varion nga një për qind në disa pjesë të Indisë, për shembull, deri në 45 për qind në vende të tjera të botës? Ndërkohë që faktorë si ndotja e ajrit dhe duhanpirja luajnë rolin e tyre, ndikimin më të madh në këtë rast nuk e kanë ato që hyjnë në mushkëritë tona, por ato që hyjnë në stomakun tonë.
Adoleshentët që jetojnë në zonat ku konsumohen më shumë drithëra, perime dhe fruta të thata, kanë më pak gjasa të shfaqin simptoma të problemeve me frymëmarrjen, alergjive dhe ekzemave alergjike. Djemtë dhe vajzat që konsumojnë dy ose më shumë vakte në ditë me perime dhe fruta, përgjysmojnë mundësitë për t’u prekur nga astma alergjike. Në përgjithësi, përhapja e simptomave të astmës dhe të sistemit respirator është më e ulët te popullatat që konsumojnë më shumë ushqime me bazë bimore.
Ushqimet me origjinë shtazore shpesh lidhen me rritjen e rrezikut të prekjes nga astma. Studimi i më shumë se 100 000 të rriturve nga India, zbuloi se ata që konsumonin mish çdo ditë apo herë pas here, kishin më shumë gjasa të prekeshin nga astma, sesa ata që përjashtuan nga dieta e tyre mishin dhe vezët.
Konsumimi i vezëve dhe pijeve me gaz nga fëmijët është i lidhur me krizat e astmës dhe simptomat e problemeve në rrugët e frymëmarrjes, si: gulçimet, mbajtja e frymës dhe kolla e shpeshtë. Heqja e vezëve dhe e bulmetit nga dieta ka përmirësuar funksionin e mushkërive te fëmijët astmatikë brenda më pak se tetë javësh.