Google ka ndaluar median shtetërore ruse RT dhe kanalet e tjera të marrin para për reklama në faqet e tyre të internetit, aplikacionet dhe videot e tyre në YouTube. Duke e cilësuar si “një situatë të jashtëzakonshme”, Google Alphabet ka treguar se gjithashtu do të marrë masa tjera nëse është e nevojshme.
Google shtoi më vonë se po ndalonte gjithashtu mediat e financuara nga shteti ruse të përdorin teknologjinë e saj të reklamave për të gjeneruar të ardhura në faqet e tyre të internetit dhe aplikacionet e tyre.
Përveç kësaj, media ruse nuk do të jetë në gjendje të blejë reklama përmes Google Tools ose të vendosë reklama në shërbimet e Google si kërkimi dhe Gmail, tha zëdhënësi Michael Aciman.
“Ne jemi duke monitoruar në mënyrë aktive zhvillimet e reja dhe do të ndërmarrim hapa të mëtejshëm nëse është e nevojshme,” tha Aciman.
Ministri i Transformimit Dixhital të Ukrainës, Mykhailo Fedorov, tha në Twitter se ai kontaktoi YouTube “për të bllokuar kanalet propagandistike ruse – të tilla si Rusia 24, TASS, RIA Novosti”.
Mediat shtetërore, sidomos RT, fitojmë miliona dollarë në vit nga reklamat në YouTube dhe nga shërbime tjera të Google. Madje Rusia mori rreth 7 milionë deri në 32 milionë dollarë gjatë dy viteve deri në dhjetor 2018 nga reklamat në 26 kanale në YouTube.