Të ndryshosh mentalitetin për të bashkëpunuar në të mirë të të njëjtit qëllim. Këtu qëndron edhe sekreti i të gjitha sukseseve! Nuk është fjala për bashkëpunim ,por për mirëkuptim në grup. Ka një klimë të veçantë ,në këtë këshill profesionistësh, që shpesh është humbur nëpër shoqata apo forume të bujshme. Reflektim, punë në heshtje pa bujë mediatike personale, ide që paralelizohen apo edhe ndeshen në udhëkryq qetësisht. Eksperiencë 360 gradë prej hapsirës ,aq të madhe por edhe të bukur ,që ka mësimdhënia në Diasporë, mbi të gjitha dashuria dhe dedikimi , që u kushtohet dhe përkushtohet fëmijëve tanë në mësimin e gjuhës shqipe ,janë veçanti që përmblidhen në katër shkronjat e KMSHD-së. Nuk ka limit kohe kur ZOOM -min e nisin kryesisht në orën 21.00 dhe vazhdon biseda e shtruar deri në orët më të vona! Shpesh bëhet shaka edhe mbi këtë veçanti lidhje, me orarin e ndryshëm por me gadishmëri që të jenë të gjithë të pranishëm. Dikush në Kanada e dikush në Itali, Greqi, Londër, New York, Zvicër, Austri, Gjermani, Kroaci, Sllovani, Turqi, duket sikur harta e botës është fokusuar mbi një pikë të vogël kuq e zi dhe flet vetëm shqip në të njëjtin moment. Nuk ka tencione apo konflikte interesash, sepse ky grup pune, i bashkuar pak për rastësi dhe pak për njohje, është personifikimi i punës vullnetare ,në shërbim të komunitetit shqiptar dhe në dobi të mësimit të gjuhës shqipe përtej vendit mëmë. Këto ditë ,më shumë se asnjëherë, nuk mendohet më për hapje dyersh shkolle dhe përqafime fëmijësh. As nuk po e mendojmë më atë të shkruarën në tabelë : “ Mirë se erdhët , në shkollën tonë!” Përshëndetje aq të dashur,e cila gjithmonë ka qënë përçuese e entuziazmit, në ditën e parë të shkollës. Sot , “ zjarri” në vatër po ndizet më shumë ,koha e vështirë e izolimit ta imponon preokupimin se si do të vazhdojnë mësimet online. Diskutohet për metodat më efikase dhe për mënyrat më të mira , të cilat i përvetësuam si mësues këto muaj, kudo që ne ndodhemi, për t’ua përcjellur nxënësve tanë. Jemi të shqetësuar por me besimin, gjithmonë punët e mira dhe bashkëpunimi i sinqertë jep rezultate edhe se ka plot vështërsi për të cilat jemi të ndërgjegjshëm. Rrugë të mbarë,fëmijë kudo që jeni, në mësimin e gjuhës shqipe! Gjuhën me të cilën nëna na e rrëfen aq bukur jetën si ta duam dhe ta çmojmë atë! Ky urim vjen nga Këshilli i Mësimit Shqip në Diasporë.
Përgatiti: Anila Kadija