Gjermanët folën, vaji i kandilit të Ramës në fund

Gjermanët folën, vaji i kandilit të Ramës në fund

407
0

/FITIM ZEKTHI 

Parlamenti gjerman ka vo tuar që të hapen negociatat për anëtarësim në BE për Shqipërinë, duke vendosur nëntë kushte. Në pamje të parë, ka një lajm shumë të mirë, i cili është votimi për të hapur negociatat, por më në brendësi e gjitha kjo është një mosmiratim i plotë i gjithë gjendjes, në të cilën është sot Shqipëria. Me ato nëntë kushte duket se Parlamenti gjerman mund të votonte hapjen e negociatave edhe për qeverinë e Adil Çarcanit apo Ramiz Alisë në vitin 1989. Hapja e negociatave me ato nëntë kushte është një oksimoron. Hapja e negociatave me ato nëntë kushte thotë se Shqipëria sot nuk kryen zgjedhje të lira, thotë se duhen dënuar ata që blejnë vota (pra, ka pasur blerje të votave nga qeveria), thotë se duhet të ngrihet Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese, se duhet të bëhet një Reformë Zgjedhore, thotë se duhet të ngrihet Prokuroria Speciale, që do të dënojë politikanët e lartë të korruptuar etj.

Edhe qeveria e Adil Çarçanit në vitin 1989, po të ngrinte Gjykatë të Lartë dhe Kushtetuese, të cilat do të mbronin demokracinë kushtetuese dhe të drejtat e njeriut, po të dënonte politikanët e korruptuar dhe ata që kishin bërë krime, po të bënte Reformë Zgjedhore dhe të dënonte ata që kishin manipuluar zgjedhjet, po të hetonte prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që kishin bërë krime, po të merrej në shqyrtim nga një Parlament në Europë, mund t’i hapeshin negociatat.

Me pak fjalë, dy grupet e koalicionit qeveritar CDU-CSU dhe SPD në Bundestag, qeveria gjermane, nuk i kanë hapur negociatat për anëtarësim me Shqipërinë. Vetë grupi CDU-CSU i partisë së Kancelares Merkel tha se negocimi për kapitujt do të bëhet kur të plotësohen këto kushte.

E vërteta e troçtë është se kemi të bëjmë me një lajm shumë të keq për Shqipërinë. Nuk ka negociata. Cilësia e demokracisë, sundimi i ligjit dhe i së drejtës në vend janë në gjendje mjaft të rëndë. Partitë e koalicionit qeveritar kanë bërë një votim taktik dhe shumë të kujdesshëm. Ato, për të mos e ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut, kanë votuar për hapjen e negociatave në mënyrë të tillë, por jo për fillimin e këtyre negociatave të hapura. Maqedonia e Veriut do të marrë hapje të negociatave. Me të, BEja do të nisë procesin e bisedimeve dhe të diskutimit të kapitujve që duhen përmbushur për anëtarësim. Votimi është një goditje e rëndë dhe fakti që aty janë shtuar kushte krahasuar me një vit më parë apo me dy vjet më parë, e bën edhe më të rëndë gjendjen.

Pavarësisht kësaj, pavarësisht se votimi tregon ngecje për të disatin vit të këtij procesi, pavarësisht se kemi të bëjmë me dështim të plotë të vendit për të plotësuar kushtet, qeveria shqiptare dhe Kryeministri Rama po thonë se ky është një sukses, se negociatat u hapën, se u vlerësua puna e madhe e bërë nga qeveria etj.

Shumë e shumë kohë më parë, Hitleri e ka përdorur togfjalëshin ‘gënjeshtër e madhe’ në librin “Mein Kampf”, për të përshkruar propagandën naziste. Hitleri vë përballë gënjeshtrën e madhe me gënjeshtrën e vogël. Për Hitlerin, “masat e gjera të popullit bien më kollaj viktimë e gënjeshtrës së madhe sesa gënjeshtrës së vogël”. Hitleri thotë se vetë njerëzit bëjnë gënjeshtra të vogla dhe ata do të ndiheshin të turpëruar po të bënin nga një gënjeshtër të madhe, sepse është turp të bësh gënjeshtra të tilla të mëdha që “nuk i ha njeri”. Duke qenë se njerëzit mendojnë se është turp të bësh gënjeshtra të mëdha, atëherë, kur dikush bën një gënjeshtër të madhe, ata mendojnë se ajo është e vërtetë, sepse nuk ka mundësi që dikush të guxojë të bëjë një gënjeshtër kaq të përbindshme.

Nisur nga kjo logjikë, Hitleri i fajësoi hebrenjtë se janë mjeshtër të gënjeshtrës së madhe, se ata kanë rrjepur me fajde popullin gjerman, se janë bolshevikë, se janë impotentë, se janë epshpapërmbajtur, se duan të dominojnë botën etj. Pra, ndërsa Hitleri gënjente për hebrenjtë dhe nisi shkatërrimin e botës, akuzonte hebrenjtë se ata donin shkatërrimin e botës. Ky stil i gënjeshtrës së madhe është mënyra që ka zgjedhur Edi Rama për të bërë propagandë, për të mbajtur në këmbë qeverinë e tij edhe pas kësaj goditjeje shkatërruese të Gjermanisë.

Kur dy vite më parë, për Shqipërinë, nga Këshilli Europian u vendos një “hapje negociatash me kushte” a një moshapje e plotë, Kryeministri Rama doli para shqiptarëve dhe tha se ai kishte korrur një sukses të madh, se më në fund u hapën negociatat. Ai tha tekstualisht: “Hapja e negociatave nuk është fitore e partisë, që bëri gjithçka për t’i hapur ato dhe u sulmua deri në kockë për këtë përpjekje dhe as humbje e partisë që la kockat për të penguar hapjen e negociatave…”.

Pra, ai dhe Partia Socialiste kishin bërë gjithçka dhe janë sulmuar deri në kockë, ndërsa Basha dhe PD kishin lënë kockat për të penguar hapjen e negociatave. Rama tha gjithashtu se “u ka ikur koha politikanëve që i kanë ikur me sukses drejtësisë për vite me radhë, një drejtësie të korruptuar e të kapur prej tyre për fyti. Ata duhet të paguajnë njësoj siç kanë paguar e paguajnë fajtorët e të gjitha niveleve, në çdo vend anëtar të Bashkimit Europian”.

Budallallëqe të ngjashme tha dje edhe sekretari i përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla. Ai fajësoi përsëri opozitën dhe tha se Basha u përpoq me çdo kusht të pengojë hapjen e negociatave. Kur Rama të kthehet në Shqipëri, me siguri që do të mbajë një fjalim si ai i dikurshmi, me lëvdata për veten dhe fajësim të opozitës edhe të Bashës. Ky është regjistri i vetëm i Ramës.

Këto marina, megjithatë, vjen një moment dhe nuk kanë më asnjë vlerë. Gjithçka bëhet e qartë. Kushtet e vëna nga Parlamenti gjerman tregojnë një Shqipëri me institucione, cilësi të demokracisë dhe sundim të ligjit si ajo e Ramiz Alisë. Dhe faji për këtë nuk është i PD-së dhe i Bashës, nuk mund të jetë. Zgjedhja që ka bërë Rama për të përdorur mekanizmin hitlerian të rrenës së madhe, të cilën mund ta hanë njerëzit, mund të ketë ecur deri diku, por tani ai ka më asnjë efekt. Vaji i kandilit të qeverisë Rama po mbaron. PD dhe Basha, duke qëndruar përballë kësaj qeverie dhe duke thënë të vërteta të mëdha që sot janë pjesë e nëntë kushteve, kanë treguar se kanë bërë gjënë e duhur dhe të nevojshme për këtë vend.

Thënia e së vërtetës me këmbëngulje dhe me besim nuk mund të mposhtet kurrë edhe kur një pushtet i madh investon gjithçka përmes një rrene e madhe, të vazhdueshme dhe mbytëse. Nuk janë kaq materiale sa i mendon pushteti dhe rrena kurrë gjërat.