Gazetari i News24 Erjon Skëndaj ka bërë një rrëfim tronditës sot në emisionin “Të paekspozuarit” në News24. Ai tregoi se në protestën e 16 marsit të opozitës ku raportonte nga terreni, policia i ka hedhur granatë zhurmuese tek këmbët që i ka shkaktuar probleme me dëgjimin. Duke u interesuar për këtë armë, Skëndaj tha se kishte mësuar se përdorej nga forcat speciale për neutralizimin e personave me rrezikshmëri të lartë. “Në protestën e 16 prillit, më hodhën një granatë taktike zhurmuese, isha i vetëm. Sapo kishin kaluar mjetet e ujit me presion dhe nuk kishte njerëz. Jam 30 metra larg nga parlamenti. Isha i identifikuar pasi kisha dhe xhupin e News dhe me kartë. Kam pasur dhe kundragaz. Nuk kishte njerëz ndonjë kalimtar tek-tuk. Të gjithë largohen, jam vetëm unë që filmoj forcat e FNSH dhe më hidhet një granatë zhurmuese që mua më ka shkaktuar dhe një dëm në veshin e majtë. Nuk jam konsultuar duke qenë se jam dhe gazetar i shëndetësisë, do pres 30-40 ditë mos ka rikuperim gradual. Atë ditë dhe dy-tre ditë më pas veshi më oshëtinte.
Unë kam pyetur ish-drejtues të lartë të forcave RENEA, kjo armë është në dispozicion të forcave speciale, përdoret për neutralizimin e personave me rrezikshmëri të lartë. Nga informacionet që kam, kjo armë përdoret për këtë gjë. Kjo është përdorur në protestën e 16 shkurtit. Përveç se bën zhurmë shurdhuese, lëshon dhe gaz CS, neutralizues ose lotsjellës”, deklaroi Skëndaj. Ai tregoi detaje të tjera për këtë lloj gazi kur u pyet nga gazetari Ylli Rakipi nëse është i certifikuar për t’u përdorur kundër qytetarëve.
“Nga drejtues të RENEA-s mësova se gazi përdoret i komanduar, tek personat me rrezikshmëri maksimale, jo në masë. Më është thënë që përmbajtja e piperit kur hyn në sistemin e frymëmarrjes, në indet e buta dhe bllokon frymëmarrjen. Duhet paralajmëruar që përdoret”, tha gazetari Skëndaj.
Për gazetarin Skendaj, është fat që nuk ka patur asnjë viktimë gjatë këtyre protestave nga përdorimi i gazit. “CS dhe CN përdoren por në mënyrë të kufizuar. Duhet paralajmëruar që do përdoret ky gaz dhe për personat që vuajnë nga insufiçenca kardiake. E shikoni makinën e ujit, edhe uji ka përmbajtje piperi. Unë mund t’ju them me besim të plotë atë që kam parë te porta sekondare e parlamentit. Protestuesit e mbyllin vetë portën.
Portën e hapën protestuesit dhe e mbyllën po vetë. Në të dyja protestat gazi është përdorur edhe kur nuk ka patur njerëz apo rrezikshmëri për t’iu afruar Kuvendit. Gazi më i rrezikshëm është ai që pompohet në sasi të madhe. Mund të shkojë në 500 metra lartësi. Është fat që nuk ka vdekur ndonjë i sëmurë me zemër.”-u shpreh gazetari Skendaj.