Një grup prej 20 gazetarësh, redaktorësh dhe ekspertësh të medias morën pjesë në një fushatë publike ndërgjegjësimi për të dërguar te publiku mesazhe për rolin e gazetarëve dhe sfidat me të cilat ata përballen çdo ditë në punën e tyre. Mesazhet përqendrohen te gazetaria investigative, transparenca dhe financimi i mediave, prirjet e dezinformimit, interesi publik në gazetari, teknologjia dhe informacioni, etj. Fushata përpiqet të ndërgjegjësojë qytetarët për atë që ka me të vërtetë rëndësi në profesionin e gazetarit dhe mënyrën se si ky profesion ndikon te shoqëria. Mesazhet janë ndërtuar si ura të thjeshta komunikimi nga gazetarët dhe profesionistët e medias drejt publikut, duke prekur tema të tilla si cili është roli i gazetarëve në shoqëri, për çfarë shërben gazetaria, si të ankohemi për mungesën e etikës në media, çfarë është një intervistë e mirë, si na ndikon teknologjia në informacion e të tjera çështje të ngjashme. Mediat dhe gazetarët kudo në botë po bien pre e sulmeve verbale nga politika apo aktorë të tjerë, me dhe pa të drejtë. Besimi i publikut te gazetarët po lëkundet dita ditës. Kjo fushatë ndërgjegjësimi përpiqet të rivendosë një marrëdhënie besimi dhe dialogimi mes medias dhe qytetarëve, duke u mbështetur te profesionistë të medias dhe te përvoja e tyre e përditshme në këtë profesion.
Fushata është përgatitur nga Instituti Shqiptar i Medias, si pjesë e një fushate rajonale për të rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e mediave të lira dhe profesionale. Fushata është pjesë e projektit “Media për qytetarët – Qytetarët për Median” që po zbatohet në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Mal të Zi, Maqedoni dhe Serbi me mbështetje financiare nga Bashkimi Evropian. Videot dhe mesazhet mund të shihen në faqen e Facebook të Institutit Shqiptar të Medias: https://www.facebook.com/albanianmediainstitute/