Nga Elton Qyno
Disa ditë më parë hodha disa rreshta shkrim, për një personazh i quajtur Agim Çerma, që është kapur nga DEA Amerikane dhe policia kolumbiane, si pjesë e një grupi kriminal që trafikonte kokainë nga Amerikanë Latine në drejtim të Amerikës së Veriut.
I hodha ashtu kot, se më frymëzuan titrat e TV që i jepnin këtij personazhi, një pompozitet mediatik. Një super reklamë kriminale, këtij “Lushnjari”, se medemek ishte “Eskobari” i ri i Kolumbisë.
I hodha por nuk mendova se do vinin ndërhyrje ngado. Dikush anonim shkruante “…Pse tu mbyll goja lali Qyno…”. Ndërsa një tjetër thoshte: “…po ç’ke me ne Lushnjarët, jemi të butë ne, mos na nga…”.
Por vetëm një ndërhyrje ishte ajo që më bëri shumë përshtypje, si të thuash, që më la mbresa. Se më gjetën nga Kolumbia në Shqipëri. Ja pra që rrjetet sociale, “Facebook” dhe aplikacione të tjera, janë ato që bëjnë realitet të pakapshmen dhe botën kaq shumë të vogël.
Nëse ata andej ose unë këtej, duam të gjejmë njëri-tjetrin, mjafton një shkëndije dhe fap, ja u gjetëm.
Personi që telefonoi nëpërmjet aplikacionin messenger në “Facebook”, ishte një Shqiptar. Ai jetonte në Kolumbi. Për të qënë i sigurtë që fliste ose jo nga Kolumbia, i thashë hape kamerën e telefonit të shoh nëse, je realisht në Amerikën Latinë ose jo.
E hap… më pohoi, por kam hallin mos na rregjistrosh.
I’a ktheva: “…Hape të urruarën se nuk kam përgjuar askënd gjatë ushtrimit të zanatit…”. Dhe teksa fliste me mua në audio, hapi dhe kamerën dhe vura re se ai ishte në një vend të Amerikës Latine, pasi ambjenti ishte krejt ndryshëm nga ai Shqiptar dhe Europian.
E pasi bëmë muhabet, si jeni, qysh kaloni, u lodhët apo jo, i them për çfarë u impenjove të më gjesh mua deri në këtë vatanin tonë të vogël?.
“…Po shiko vëlla- tha…na ke rënë në qafë. Ke bërë një shkrim para ca ditësh për “Lushnjarin e Kolumbisë”, Agim Çermën, Eskobari nga Lushnja e kështu gjëra….
Po e kam bërë ia ktheva unë…
Dhe ndërkohë nga matanë “Atlantikut” vjen përgjigjia:“…Po pse na fyen o miku,ç’ne familja jonë me Lushnjën. Ne s’kemi asnjë lidhje me atë qytet. Gimi është miku im, dhe nuk është nga Lushnja, por nga Elbasani. Ka lindur në Peqin dhe rritur në Elbasan. Aty ka ende familjen, çfarë thua ti dhe kolegët e tu, Lushnjari, Lushnjari….”.
Ngela për një moment se s’dija cfarë ti thoja, me zuri mat.
Gimja i Lushnjës, “Lushnjari i Kolumbisë” që mediat Shqiptare i vunë nofkën “Eskobari” Shqiptar i Kolumbisë, qënka natyralizuar dhe na rezulton të jetë bërë Elbasanlli
Vijoi si më poshtë:
”…po jo o vllai se nuk jemi Lushnjarë. Gimi nuk është as i dënuar me burgim të përjetshëm. Jeni gazetarë, investigoni. Ju keni mundësi të pyesi te Drejtësia Shqiptare, me sa është i dënuar Agim Çerma? Nëse nuk jua thonë, ja po ta them unë, që është i dënuar me 11 vite e 8 muaj burgim për vrasje. Ai burgun e ka bërë dhe ka dalë duke i falur gjykata vetëm 1 vit e 9 muaj e 8 ditë burgim…”.
Ndërkohë unë nga Shqipëria:
“…Dakord dakord se këto i verifikoj unë këtej, por mendova mos kishe ndonjë hall më të madh, lidhur me arrestimin e mikut tuaj Agim Çerma nga policia në Kolumbi…”
Dhe sërisht përgjigjia nga Kolumbia:
“…Jo jo këtë kisha hall, të të s’qaroja,që nuk është nga Lushnja por nga Elbasani. Punët me policinë dhe me drejtësinë Agimi, do ti zgjidhë vetë. Ka zënë avokatin dhe meret ai me çështjen. Por doja të sqaroja ty për këtë pjesë se të ndjek…”.
Sërisht unë nga Shqipëria:
“…kjo është punë që rregullohet o shok, se e ndryshojmë e bëjmë “Elbansalliu i Kolumbisë”. Por mendova se mos kishe ndonjë gjë për këtë bashkëpunimin që bënte Agim Çerma, me këto kartelet e fuqishme kolumbiane dhe që Gimja i urdhëronte anëtarët e karteleve, për të trafikuar drogën…”.
Miku nga Kolumbia:
“…Po jo o burrë, çfarë kartele thua… No no, ku di Gimi kartele apo mafie Kolumbiane…”.
Ok, ja ktheva duke i pohuar se do mundohem të rregullojmë origjinën e Agimit tani, s’do e lemë Agimin nga Lushnja, por do e bëjmë nga Elbasani.
Falemindderit, kalofshi mirë ai andej, Faleminderit, kalofshi mirë, unë ketëj.
Me tu mbyllur telefoni, fillova të mendoj dhe kuptova që Gimit të Kolumbisë, i kishte mbetur hatri me ne gazetarët Shqiptarë, dobiçët e opinionit publik, se pse i kemi thënë “Lushnjari i Kolumbisë”, në një kohë kur ai është nga Elbasani. Nga sot e tutje duhet të themi që “Eskobari” i ri i Kolumbisë është “Gimja i Elbasanit”.