Eksperti i BE: Shqipërisë nuk i hapen negociatat në tetor

Eksperti i BE: Shqipërisë nuk i hapen negociatat në tetor

331
0

“Shqipërisë nuk ka të ngjarë t’i hapen negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian as në tetor”.

Ky është paralajmërimi i ekspertit të njohur europian për Ballkanin Perëndimor, Florian Bieber sipas të cilit skenari më i mundshëm është që në tetor negociatat të hapen vetëm me Maqedoninë e Veriut

Në një intervistë me Gazetën Si, eksperti me origjinë nga Luksemburgu shprehet se kriza aktuale politike në vendin tonë po shërben si një argument për vende kritike si Franca dhe Holanda dhe po errëson përpektivën europiane të Shqipërisë.

Bieber është një nga ekspertët me të njohur europianë për Ballkanin Perëndimor dhe është autor i dhjetëra librave dhe artikujve që lidhen me rajonin. Aktualisht Bieber është Koordinator i Grupit Këshillimor të Politikave për Ballkanin në Europë dhe Drejtor i Qendrës për Studimet e Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit, në Austri.

Eksperti fajëson për gjendjen në të cilën ndodhet vendi të gjitha palët politike, duke i thënë Gazetës Si se qeveria nuk ka ditur si ta trajtojë krizën në vend, ndërkohë që sipas tij opozita ka treguar se është e gatshme të rrezikojë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Eksperti europian ka folur me Gazetën Si edhe për dialogun Kosovë-Serbi dhe skenarin për shhkëmbimin e territoreve të cilin e konsideron si ide të tmerrshme.

Gazeta Si–Zoti Bieber, ju keni theksuar shpesh se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me sfida të ngjashme, të tilla si sundimi i ligjit, korrupsioni, kapja e shtetit dhe liria e mediave, sfida që shpesh kanë bllokuar shpresat e vendeve të rajonit për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Çfarë hapash mendoni se duhet të ndërmarrë Bashkimi Evropian për të ndihmuar rajonin në adresimin e këtyre sfidave, dhe a mendoni se qeveritë e Ballkanit Perëndimor kanë vullnetin e nevojshëm për të luftuar fenomen të tilla si korrupsioni apo kapja e shtetit?

Florian Bieber: Komisioni Evropian ka ndërtuar një strategji të mirë vitin e kaluar, por nuk e ka ndjekur sa duhet. BE-ja duhet të ndërmarrë hapa më të qartë dhe kritik drejt qeverive në rajon. Disa prej këtyre qeverie ndoshta janë të interesuara të përballen me kapjen e shtetit, por shumica janë pjesë e sistemit dhe përfitojnë prej tij. Këtu BE-ja mund të bëjë më mirë duke folur me emra konkrentë dhe duke ofruar raporte kritike, përfshirë edhe dërgimin e misioneve të posaçme për sundimin e ligjit

Gazeta Si –Në qershor, Bashkimi Evropian shtyu sërish hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore. A mendoni se vendet anëtare do t’i japin dritë jeshile Shkupit dhe Tiranës në tetor, pavarësisht kundërshtimit të vendeve skeptike si Franca dhe Hollanda?

Florian Bieber: Unë mendoj se dhënia e dritës jeshile për Maqedoninë e Veriut është mjaft e mundur, por jam skeptik për Shqipërinë, pasi rezistenca ndaj Shqipërisë është më e madhe në Francë dhe ne vendet e tjera. Për më tepër, qeveria nuk e ka trajtuar mirë krizën e muajve të fundit, krizë që dëmtoi shpresat europiane për Shqipërinë. Ndërkohë, në fund, edhe qëndrimi i opozitës ka qenë destruktiv, duke treguar se ishte e gatshme të minonte perspektivën europiane të Shqipërisë për hir të turpërimit dhe largimit të qeverisë.

Gazeta Si: Shqipëria së fundmi është zhytur në një krizë të thellë politike pasi opozita bojkotoi parlamentin dhe zgjedhjet lokale të mbajtura në 30 qershor, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar. A mendoni se mosmarrëveshjet dhe çështjet e brendshme midis liderëve politikë në Shqipëri do të reflektohen në vendimin e Bashkimit Evropian në tetor.

Florian Bieber: Sigurisht, bojkoti dhe vendimi i qeverisë për të zhvilluar zgjedhje që nuk ishin serioze minuan shanset e Shqipërisë. Unë mendoj se ka pak shanse që Shqipëria të marrë një datë për hapjen e negociatave, nëse nuk zgjidhet kriza.

Gazeta Si: Pse ka të ngjarë që negociatat do të hapen vetëm me Maqedoninë Veriore? Dhe çfarë këshillash do t’u jepnit politikanëve shqiptarë për të shmangur një skenar të tillë?

Florian Bieber: Skenari më i mundshëm është që negociatat hapen vetëm me Maqedoninë e Veriut. Shpresojmë që ky do të jetë një mesazh i qartë për qeverinë dhe opozitën shqiptare për të mos rrezikuar pranimin në BE për shkak të përplasjeve të brendshme. Ndërkohë që është e vërtetë që kundërshtimi i hapjes së bisedimeve të pranimit në vende si Franca dhe Holanda është në një farë mase i padrejtë dhe i njëanshëm, mënyra më e mirë për t’u përballur me ta është që kritikët të mos japin asnjë arsye për të kundërshtuar ecurinë e vendit. Sidoqoftë, kriza politike në Shqipëri thjesht konfirmoi të gjitha stereotipet negative të këtyre vendeve. Kam frikë se për mungesën e përparimit qeveria do të fajësojë opozitën dhe anasjelltas, opozita do fajësojë qeverinë.

Gazeta Si: Kohët e fundit qeveria shqiptare ka propozuar dy ligje të reja për “shpifjen”. Reporterët pa Kufij (RSF) dhe organizata të tjera ndërkombëtare për lirinë e shtypit i kanë drejtuar një letër të përbashkët të hapur kryeministrit shqiptar Edi Rama duke i kërkuar atij që të tërhiqte amendamentet e propozuara që do të kufizojnë qasjen e publikut në informacion. A besoni se liria e mediave në Shqipëri është në rrezik?

Florian Bieber: Liria e mediave është nën presion në të gjithë rajonin dhe deklaratat e mbikëqyrësve ndërkombëtarë të mediave duhet të merren seriozisht. Në këtë situate duket sikur ligje te tilla nuk do të ishin të dobishme.

Gazeta Si: Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë deklaruar nga ana tjetër se po bëjnë përpjekje për të ndërtuar një rajon të fortë dhe të integruar në BE dhe NATO. A mendoni se angazhimi amerikan do të jetë vendimtar në dialogun Serbi-Kosovë, i cili është në të vërtetë procesi më i rëndësishëm politik që po ndodh në Ballkan?

Florian Bieber: SHBA është e tejet e rëndësishme, por mesazhet e saja kanë qenë më pak të qarta dhe konsistente që nga presidenca e Donald Trumps. Unë mendoj se mënyra e vetme për të pasur aktore të jashtëm sa më efektiv është një koordinim më i mirë dhe ndërmjet BE-së dhe SHBA-së.

Gazeta Si: Çfarë mendoni për mundësinë e shkëmbimit të territoreve ose korrigjimit të kufijve midis Serbisë dhe Kosovës, si një hap për të arritur marrëveshjen përfundimtare? A mendoni se Bashkimi Evropian duhet të vendosë disa vija të kuqe ndërkohë që udhëheq të dyja palët drejt arritjes së një marrëveshjeje?

Florian Bieber: Unë besoj se ndryshimet e kufijve janë një ide e tmerrshme, pasi ato do t’i lënë serbët dhe shqiptarët në “anën e gabuar të kufirit” akoma më të rrezikuar. Për më tepër, ato paraqesin rreziqe të mëdha për rajonin. Unë nuk jam i bindur që qeveria aktuale serbe është e sinqertë për zgjidhjen e problemeve me Kosovën, nëse marrim parasysh gjuhën e urrejtjes të përhapur nga mediat afër qeverisë. Do ta konsideroja retorikën e presidentit Vuçiç thjesht si një sinjalizim të gatishmërisë për arritur një kompromis me BE-në, por si një sinjal për t’i dhënë diçka në shkëmbim Kosovës. Për aq kohë sa nuk ka asnjë mesazh të vetëm nga BE dhe SHBA, për presidentin serb është e lehtë të mos e japë asgjë në shkëmbim. Nga ana tjetër, të gjitha palët politike në Kosovës janë të ndara dhe nuk kanë një platformë të qartë se çfarë janë të gatshëm të ofrojnë në këmbim të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Kjo do të thotë që asnjë palë nuk është aktualisht e gatshme, edhe pse për arsye të ndryshme, të bëjë kompromisin e domosdoshëm për arritjen e një marrëveshjeje.