Ekskluzive/ Viron Bezhani : Infrastruktura sportive në Shqipëri ka çaluar këto 27...

Ekskluzive/ Viron Bezhani : Infrastruktura sportive në Shqipëri ka çaluar këto 27 vite! Për një sport elitar duhet shfrytëzuar çdo terren sportiv!

1001
0

 ‘Rikonfirmimi im në krye të KOKSH-it  një vlerësim për punën që është bërë gjatë mandatit të parë, dhe një besim që më është dhënë për të vijuar në këtë rrugë edhe për 4 vitet në vijim’

 

Viron Berzhani është një ndër figurat më të spikatura të sportit.  Ai ka mbajtur  për katër vite mandatin në krye të KOKSH, por me zgjedhjet e bëra para disa ditësh ai rikonfirmohet sërish presideni I KOKSH . Në një intervistë  për Portalin “vizion.com.al”  Bezhani  flet për punën e mirë të  bërë për katë vite  si dhe për punën që do bëhet për katër vitet e ardhshme dhe sfidat e rea që e presin KOKSH . Gjithashtu ai flet dhe per arritjen e fitores  kundrejt rivalit të tij z Trebicka. Por Bezhani nuk harron pa për mendur dhe objektivat kryesore  që do të arrihen në katrë vitet në vijim të mandatit të tij. Në këtë intervistë, zoti Bezhani rrëfen të gjithë problematikën e sportit shqiptar dhe të infrastrukturës sportive.

Z.Bezhani, sapo jeni rizgjedhur në krye të KOKSH-it. Si do ta vlerësonit këtë besim që ju është dhënë? –

Të rikonfirmohesh në pozicionin e presidentit të KOKSH nuk është një mision i lehtë, përkundrazi, pasi bëhet fjalë për një komunitet si ky i sportit që është shumë i ndjeshëm, që kërkon vëmendje e mbështetje të jashtëzakonshme në çdo kohë. Ndaj këtë rikonfirmim e shoh si një vlerësim për punën që është bërë gjatë mandatit të parë, por dhe një besim që më është dhënë për të vijuar në këtë rrugë edhe për 4 vitet në vijim. Një vlerësim që më jep më shumë kurajo për të vijuar në rrugën e nisur, për të bërë sërish një punë kolosale, për dhe pranë sportit. Gjithnjë, duke bashkëpunuar më të gjithë komponentët e sporti.

Arritët një fitore bindëse në garën për president ndaj rivalit tuaj, z.Trebicka. Si e vlerësoni këtë garë dhe rivalin? –

Një sfidë e fortë, e vlerësuar në maksimum nga ana ime, pasi z.Trebicka është një personalitet i njohur i basketbollit, një biznesmen i suksesshëm dhe që ka dhënë shumë për sportin e baskebollit. Por fakti që ndikimi i tij në sport është fokusuar më shumë në një sport të vetëm besoj ka ndikuar në këto zgjedhje, pasi olimpizmi është më i gjerë, nuk prek vetëm një sport apo Federatë, por të gjitha. Personalisht i kam kaluar një e nga një të gjitha stadet: Sportist e trajner kampion, sekretar e më pas president Federate, anëtar i KOKSH-it e së fundi president i tij. I njoh të gjitha hallkat e të bërit sport, në çdo nivel të tij dhe mbi të gjitha ato të olimpizmit dhe besoj se kjo njohje bëri diferencën edhe në këto zgjedhje.

Duke iu rikthyer mandatit të parë si president, si do t’i vlerësonit 4 vitet e para të punës tuaj, një bilanc të saj?

Në përgjithësi ndihem i kënaqur, pasi mendoj se unë dhe KOKSH kemi dhënë më të mirën e mundshme gjatë këtyre 4 viteve të mandatit të parë, duke i përmbushur ato objektiva që i kemi vënë vetes. Por e di gjithashtu se nuk jemi aty ku kemi synuar, pasi kemi ende shumë punë për të bërë. Këto 4 vite kanë qenë të ngjeshura me aktivitete sportive, ku në fokusin e KOKSH ka qenë përhapja e lëvizjes olimpike në të gjithë Shqipërinë dhe bashkëpunimi me Federatat. Është bërë shumë punë dhe akoma më shumë ka për t’u bërë, pasi asnjëherë nuk do të jem i kënaqur me ato çka kemi arritur. Gjithnjë sporti përballet me sfida të reja dhe ajo që na pret mandatin e dytë është një tjetër punë kosolale për të përmbushur me sukses objektivat.

Cilat janë më konkretisht disa nga arritjet e KOKSH gjatë këtyre 4 viteve?

Bashkëpunimi me Federatat, shtetin dhe ndërkombëtarët ka qenë kryefjala e punës tonë në këto 4 vite, për të ndërmjetësuar e siguruar zhvillimin e sportit në të gjitha hallkat e tij, me trajnime nga më të ndryshmet. Pothuajse të gjitha Federatat kanë përfituar nga seminaret tona të kualifikimit, për një sport më cilësor në të ardhmen, që përkthehet në rezultate më të mira në garë. Jemi munduar që me Federatat të bashkëpunojmë në stërvitjen e sportistëve jashtë Shqipërisë, në kushte sa më optimale, për t’i përgatitur sa më mirë për aktivitet madhore sportive. Dhe unë jam i bindur se ata trajnerë dhe sportistë që përfituan nga këto seminare apo stërvitje do të na nderojnë. Kemi dhënë një ndihmesë të madhe në hartimin e Ligjit të Sportit, me ekspertë vendës dhe të huaj, që kanë asistuar në ndërtimin e një ligji sa më bashkëkohor dhe që i përshtatet kushteve tona. Kemi punuar për barazinë gjinore në sport, në mënyrë që të gjithë të jenë të përfshirë. Kemi bërë një punë të jashtëzakonshme në promovimin e vlerave olimpike përmes ditëve dhe javëve olimpike, ku jemi shtrirë në të gjithë Shqipërinë dhe kemi afruar me mijëra nxënës e të rinj me sportin.

 Cilat kanë qenë sportet ku KOKSH ka hedhur më së shumti vëmendjen e tij gjatë mandatit tuaj të parë?

Për KOKSH të gjitha sportet dhe Federatat janë të rëndësishme, nuk nuk bëjmë kurrë dallime sporte të vegjël apo të mëdhenj, pasi çdo sport ka rëndësinë e tij dhe të gjithë janë në fokusin tonë. Megjithatë, në bazë të rezultateve, disa sporte janë më shumë në fokusin tonë, pasi aty kemi edhe pritshmëritë më të mëdha për medalje. Futbolli, basketbolli, volejbolli, atletika, peshëngritja, noti, boksi, çiklizmi etj., janë disa nga sportet që ne mendojmë se kanë potencialin e duhur për t’u konsideruar si prioritarë dhe që natyrisht kanë edhe mbështetjen më të madhe financiare nga shteti e KOKSH. Megjithatë, sipas mundësive që kemi patur, i kemi mbështetur të gjitha sportet.

Sa efiçente është infrastruktura sportive në vendin tonë?

Janë ndërtuar disa impante të reja sportive, sa ndihmojnë ato në zhvillimin e sportit shqiptar? – Infrastruktura sportive në vendin tonë në këto 27 vite demokraci ka çaluar shumë, është padyshim ndërçi më i madh, pasi ambientet e reja sportive në Shqipëri janë me pikatore. Vitet e fundit diçka ka lëvizur, fakti që kemi 2-3 stadiume të reja, shumë palestra fitnesi, një kompleks të ri olimpik në Tiranë etj., janë tregues se ka projekte konkrete dhe nga ana tjetër konfirmonë se dëshira për të ndryshuar në infrastrukturë nuk mungon. Sa më shumë mjedise të reja sportive, aqë më shumë rezultate do të kemi. Por mjediset e reja sportive duhet të jenë të shumta, në çdo cep të Shqipërisë. Ajo që KOKSH kërkon është se ne duhet të shfrytëzojmë palestrat apo terrenet sportive në shkolla, për të rritur masivitetin dhe patur nesër një sport më elitar.

Disa herë KOKSH është përfshirë në polemika, siç ishte rasti i Olimpiadës së Rios. Përse ka ndodhur kjo gjë?

Është normale që në sport, ashtu si kudo, të ketë debate, por unë dua që ato t’i shërbejnë sportit dhe jo ta pengojnë atë. Shpesh polemikat kanë qenë të nxitura nga persona të tjerë, që kishin si qëllim të sulmonin KOKSH. Dhe mendoj se në fund të gjithë ata që sulmuan me pa të drejtë KOKSH e morën një përgjigje, me fakte konkrete nga ana jonë dhe jo me fjalë në ajër, siç ishin sulmet ndaj nesh. E kam thënë dhe e përsëris, që KOKSH e ka patur derën e hapur për të gjithë, do të mbështesë të gjithë ata që duan të bëjnë sport. Jemi të gatshëm edhe për debate, por që i vlejnë sportit, për debate që kanë si qëllim zhvillimin e tij, ku të flitet me projekte dhe ide e jo me inate, që nuk bëjnë asgjë tjetër veçse pengojnë zhvillimin e sportit. Shpesh në shumë sporte ka fjalë e debate dhe aspak punë e rezultate. Njerëzit duhet të kuptojnë se ku është problemi i vërtetë. Duhet punë dhe ide, më pas asgjë nuk është e pamundur.

Si e bën KOKSH vlerësimin e punës së Federatave, ndarjen e mbështetjes financiare, të trajnimeve etj?

Në sport, “metri” më i mirë matës është rezultati. Në bazë të rezultateteve dhe propozimeve që vijnë nga Federatatat edhe ne si KOKSH bëjmë vlerësimet tona. Natyrisht që ka një komision teknik që analizon me detaje çdo propozim dhe në fund më të mirët trajtohen financiarisht nga ne. Ne mundohemi të ndihmojmë sa më shumë sportistë e trajnerë, por edhe mundësitë tona financiare janë të limituara. Shpesh sportistët më të mirë i trajtojmë me bursë, disa të tjerë duke u ofruar mundësi stërvitje në shtete ku kushtet janë më të mira. Në ndonjë rast i ndihmojmë Federatat me bazë materiale, me seminare kualifikimi me specialistë të huaj. Ne jemi të hapur të ndihmojmë këdo.

Ku do të përqëndrohet më së shumti puna juaj si president dhe e KOKSH në 4 vitet e ardhshme?

Ne si KOKSH synojmë që të forcojmë sa më shumë bashkëpunimin me të gjitha institucionet e tjera sportive në vend. Bashkëpunimi Shtet-Federatë-KOKSH është jetik për zhvillimin e sportit dhe ne duam që ky trinom të jetë në nivele edhe më të larta gjatë mandatit të ri. Duke qenë se ne jemi një institucion olimpik, puna jonë përqendrohet edhe më shumë në përhapjen e frymës olimpike në vend, e cila mbetet prioritet i punës tonë. Po mundohemi të shtrihemi në çdo cep të Shqipërisë, në çdo shkollë, për të afruar sa më shumë të rinj me sportin, për t’i edukuar ata për të ardhmen, për të patur drejtues sa më të mirë në sport përmes kurseve tona. Lufta ndaj dopingut, dhunës në sport, afrimi i sa më shumë femrave me sportin, rritja e frymës së “fair play” janë disa nga objektivat që ne kemi për 4 vitet e ardhshme. Ne duam që sporti të bëhet me punë e jo me fjalë, duke shpresuar që ata që bëjnë sport të orientohen më shumë nga palestra dhe terrenet sportive dhe jo nga kafenetë e thashethemet. Por siç e kam thënë dhe e përsëris gjithnjë, duhet bashkëpunim mes të gjithëve, duke menduar vetëm për zhvillimin e sportit.

 

Shperndaje