Edlira Çepani, Tiranë: Një cikël vicioz të dhunës

Edlira Çepani, Tiranë: Një cikël vicioz të dhunës

448
0

Kalimi në heshtje për vite me rradhë ka zbehur njohurinë dhe kufijtë e përcaktimit të një sjellje abuzive, ndaj është i rëndësishëm ndërgjegjësimi për ta njohur, për ta luftuar dhe për ta denoncuar këtë formë të dhunës.

 

Edlira Çepani

 

Në vitet fundit shohim se ka një valë diskutimi, denoncimesh dhe lëvizjesh në lidhje me ngacmimin seksual, që sipas definicionit ligjor është kryerja e sjelljeve me natyrë seksuale, që cenojnë dinjitetin e një personi, me çdo mjet ose formë, duke krijuar një mjedis kërcënues, armiqësor, degradues, poshtërues e ofendues.

Jo shumë vite më parë, ngacmimi seksual ishte një formë sjellje thuajse e pranuar në heshtje nga shoqëria dhe jo e rregulluar në mënyrën e duhur nga legjislacioni. Falë fuqizimit të lëvizjes për të drejtat e njeriut dhe veçanërisht lëvizjes feministe, kjo formë e dhunës, filloi të bëhej pjesë e diskutimit social. Disa lëvizje ndërgjegjësuese, veçanërisht të kohëve të fundit, si për shembull #metoo, nxorrën në pah problematika të fshehura dhe të patrajtuara ndër vite të ngacmimit seksual si një formë e rrezikshme e dhunës, e cila ka ndikuar në jetët e miliona njërezve në heshtje që nga nivelet më të ulëta deri në ato më të larta, në çdo fushë.

Ngacmimi seksual nuk ka vetëm lidhje më aspektin seksual të dhunës, por ka lidhje me disbalancën e pushtetit dhe me abuzimin e pushtetit, për të nënshtruar, ofenduar, manipuluar dhe përdorur dikë (në rastet më të shpeshta gra, por edhe burra). Duke qënë një sjellje e kaluar për vite të tëra në heshtje nga shoqëria dhe e patrajtuar në mënyrën e duhur, kjo sjellje abuzive është e përhapur në masë dhe në çdo fushë, në shkolla, në ambjentin e punës, në familje, në rrugë, qoftë në mënyrë verbale apo fizike, ndaj mund t’i ndodhë kujtdo dhe kudo.

Tre janë aspektet kryesore në të cilat duhet të merren masa serioze në lidhje me ngacmimin seksual. Hapi i parë dhe ai që jep efekte më të qëndrueshme, është parandalimi. Në rradhë të parë nëpërmjet informacionit, duke bërë të njohur aspektet, hapat që duhet të ndërmerren, ndikimin, por dhe rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe krijimin e marrëdhenieve të shëndetshme. Kalimi në heshtje për vite me rradhë, siç u përmend pak më lart, ka zbehur njohurinë dhe kufijtë e përcaktimit të një sjellje abuzive, ndaj është i rëndësishëm ndërgjegjësimi për ta njohur, për ta luftuar dhe për ta denoncuar këtë formë të dhunës.

Në momentin që flasim për denoncimin, kalojmë në aspektin e dytë për të cilin duhet të merren masa serioze, që është trajtimi në mënyrën e duhur nga ana e institucioneve përgjegjëse të një rasti të denoncuar. Megjithë vështirësitë e këtij procesi (si psh barra e provës), duhet një ndjekje efikase e procedurave insitucionale për të mbrojtur viktimën dhe për të garantuar sanksionimin e duhur të personit ose grupit të personave që kanë kryer agresionin.

Aspekti i tretë i sanksionimit lidhet më dy të parët duke e mbyllur ciklin dhe duke e kthyer dënimin për këtë vepër penale, edhe në një formë efektive parandalimi. Ka ende shumë për të përmirësuar në këtë fazë edhe përsa i përket legjislacionit, edhe zbatimit të duhur të tij, por është e rëndësishme të theksohet se për pak vite ka një sërë ndryshimesh pozitive.

Në bazë të studimeve, kjo formë dhune, ashtu si të tjerat, nuk ndikon vetëm viktimën, por edhe këdo që bashkëjeton më të, që nga familja, miqtë e kolegët e punës e deri tek shoqëria në tërësi, duke krijuar një cikël vicioz të dhunës i cili bëhet çdo herë e më shumë i vështirë për t’u thyer, nëse nuk trajtohet me seriozitetin e duhur. Ndaj përtej aspekteve të lartpërmendura, ajo që është e rëndësishme është që, jo vetëm insitucionet, por edhe media e shoqëria, të jenë më të ndërgjegjësuara dhe t’i luftojnë më shumë shkeljet e të drejtave të njeriut dhe krime të tilla si ngacmimi seksual, të cilat rrezikojnë mirëqënien, jo vetëm të vikimave të tyre, por të një shoqërie të tërë.

 

Edlira Çepani është juriste me profesion dhe aktiviste per të drejtat e njeriut. Aktualisht udhëheq Rrjetin “Barazi në Vendimmarrje” dhe është eksperte gjinore, në fushën e qeverisjes, vendimmarrjes dhe politikës. 

 

“Fqinjësia është një platformë e hapur, e disponueshme për të gjithë personat e rajonit, ose Ballkanit Perëndimor, zëri i të cilëve ka nevojë të amplifikohet, dhe që janë të etur të shprehin perspektivën e tyre kritike, idetë dhe këndvështrimet e reja për çështjet aktuale.

Fqinjësia është një inisiativë e përbashkët e Fondit Europian për Ballkanin Fondit dhe Europian në Serbi.”