E vërteta e Vlorës / Si u strehuan anijet në gji. Ngjarje...

E vërteta e Vlorës / Si u strehuan anijet në gji. Ngjarje dhe fakte tronditëse

481
0

Në emisionin “Autokton” të gazetares Anila Ahmataj u trajtua pjesa e parë e emisionit historik për qytetin e Vlorës, përshkruar prej 2500 vjetësh. Ngjarjet, faktet, kthesat historike, epokat dhe  personazhet që kanë lënë gjurmë në jetën e këtij qyteti mijëra vjeçar…

Vlora e vërtetë apo e vërteta e Vlorës?!..

 

Pjesa e parë

 

Furtuna po zgjaste shumë, dhe anijet romake po rrezikoheshin nga dallgët e mëdha. U urdhërua që anijet të strehoeshin duke u futur në gji, por në kohën që anijet ishin duke kaluar mes ishullit dhe bregut u hap një pamje e pabesueshme; Retë ishin larguar dhe një qiell i kaltër nën diell qëndronte mbi ne. Këtë panoramë e plotësonin banesat e bardha në bregun e majtë mes një gjelbërimi të pabesueshëm..

 

Jo pak udhëtarë e dijetarë të lashtësisë e kanë sjellë këtë pamje të qytetit që lindi prej detit, Aulonës antike, gjirit të saj dhe pamjen magjepsëse përreth. Kjo vendosje gjeografike bëri qysh në antikitetin e hershëm ngulimet helene ardhur nga Eubea e largët, ta synonin këtë kryevepër të natyrës dhe të vendoseshin aty në vendin më të mbrojtur të gjirit duke themeluar Orikun, si qytet i njohur në të gjithë Mesdheun, qytetin që jetoi periudhën helene, romake, bizantine, madje edhe atë osmane që e quajti Pashaliman, si portin bazë që do të sulmonte qytetërimet dhe pikërisht atdheun e Rilindjes Europiane, Italinë e sotme.

 

Jul Çezari në kohën që Roma udhëhiqej nga Triumviratet, pra ushtarakisht nga gjeneralët e famshëm, Pompeu, Çezari dhe Kasi, vendos që të asgjesojë rivalin e vet, me qendër në Durrës, duke zbarkuar në vendin e quajtur dhe sot Rrugët e Bardha (disa shtretër përrenjsh që kanë gërryer shkëmbinjtë), dhe duke u ngjitur në një pozicion strategjik në Qafën e Llogarasë. “Kështu me ngadalë Çezari u ngjit në një pllajë, ku shikonte edhe vëndin e zbarkimit, edhe fushën e Dukatit ku ishte Garnizoni Romak i Orikum-it, që nuk duhet ta dinte. Kështu duhej zgjidhur kjo nyje me një herë si vite përpara Aleksandri i Madh me shpatë. Po duheshin bërë hesap edhe Dukatasit si vëndas, se mos tregonin. Çezari u nis vetë i maskuar dhe zbriti me tre vetë të tjerë dhe mezi i gjeti Dukatasit, dhe këta si ishin barinj të tërë, mblodhën të parët e Tyrej. Të ulur të tërë Çezari nuk po fillonte dot të fliste se Dukatasit luanin vëndet, ndaj ky u bërtiti. -Çezarin e dëgjon një Senat e Roma e tërë, nuk doni t’a dëgjoni ju?! Më në fund u ngrit njëri nga të parët e Dukatasve dhe po përpiqej t’i sqaronte atij punën e qoshesë, se miku apo Çezari duhej të ish në krye. Çezari nuk kish kohë të sqaronte Dukatasit, po e zgjidhi këtë gjë si nyjen, po me një fjalë; -Atje ku ulet Çesari, është kreu!”

 

Në çdo vend të civilizuar antik apo modern ky fakt do të kish një trajtesë të veçantë krenarie, por vlonjatët mjaftohen me modestinë, e dinë apo nuk e dinë Romën Antike!

 

Aulona Antike…

 

Por Aulona antike vazhdoi të zhvillohet si konkurente e Orikut bregdetar, Amantias kontinentale dhe kujtdo qytetërimi që u shfaq në zbehjen e kulturës helenistike dhe lulëzimin e asaj të Romës. Ajo u vendos më vonë në një hark përrallor bregdetar, i ngjashëm me Nicën, Marsejën apo Rio de Zhaneiron. Por këtu nga lindja kish mburojë malet.

 

Qytetërimi Bizantin, nga më kompleksët për shkak të jetgjatësisë 1000 vjeçare në periudhën postromake, është i mbushur me ngjarje të pahasura për shkak të dyndjeve të popujve e civilizimeve perëndimorë dhe lindorë.

 

Normanët, disa popuj luftëtarësh të shquar nga veriu i Europës, duke shtrirë sundimin e tyre deri në bregun lindor të Apeninëve më 1071, synojnë tashmë bregdetin bizantin, ku zbarkojnë më 1081 vetë mbreti norman, Robert Guiskardi me të birin Boemund, i pari në Butrint dhe i dyti në Vlorë, duke pushtuar qytetin dhe kështjellën strategjike të Kaninës. Ata vendosin ta zgjerojnë fortifikatën me një kështjellë të re të arkitekturës Normano-Romanik, e përhapur në të gjithë Britaninë, por që nuk la gjurmë. Këtij alarmi bizantin i përgjigjet vetë perandori Aleks Komnen me ushtrinë bizantine, por pas largimit Normanët u dukën përsëri, këto herë me shfaqjen e disa ekspeditave luftarake drejt Lindjes e Varrit të Krishtit, Kryqëzatave.

 

Ato kaluan mbi territoret shqiptare dhe pikërisht në atë ku shtrihet Vlora, dhe prej aty në rrugën perandorake, Egnatia, qysh nga Kryqëzata e Parë, por edhe ajo e tretë e Riçard Pantaxhentit, Mbretit të Anglisë, si dhe Kryqëzata e 4 që dogji dhe rrënoi Kostandinopojën më 1204. Nga ky moment i rënies së Bizantit dhe uzurpimit të fronit të tij nga Latinët, edhe territoret perëndimore perandorake, si ato arbëre e pësuan të parat këtë fat.

 

Martesat ishin deri në këtë moment amortizuese të konflikteve, por jo pak herë ato vinin në pikpyetje edhe ekzistencën e vetë qyteteve e territoreve te tëra të Despotatit të Epirit. Rreziku që po i kanosej atij nga Perandoria e Nikesë, solli aleanca me Manfredit të Siçilisë së Mbretërisë së Napolit, që kurorëzohet me martesë me Helenën bijën e sundimtarit të Despotatit Mihal II Angjelos më 1258, e cila për llogari të pajës kushtuar nga i ati, mori territoret Durrës, Vlorë, Sopot, Butrint dhe kodrat e Spinaricës (grykderdhja e Vjosës)

 

Por më 1320 rivendoset sundimi i shkurtër bizantin, dhe më 1332 shfaqet Principata e Vlorës dhe Kaninës me zotërues Arianitët.

 

Më 1345 pushtimi serb i Simeon Uroshit, vëllait të famëkeqit Stefan Dushan pas vdekjes së tij më 1355, sjell në fronin e qytetit Valona (Vlora) Joan Komnen Asen vëllain e carit Ivan Aleksandër të Bullgarisë, por edhe i Helenës, gruas së Stefan Dushanit. Ky mbiemër perandorak bizantin nga lidhje të largëta, Komnen, është mbajtur vetëm si justifikim i ngritjes së atij të vërtetë bullgar Asen. Joan krijoi marrdhenie te afërta tregëtie më Venedikun, dhe e  ruajti principatën e pavarur me një zhvillim të ri, ku falë regjimit të rreptë ligjor detyroi vendasit vlonjatë në këmbim të një leje martesore, do të mbillnin mbi 25 rrënjë ullinj, duke  krijuar kështu kurorën e qytetit me ullishta shekullorë deri në fund të shekullit XX.

 

Por Joan vdes më 1363 papritur nga murtaja, pasuar në fronin e despotatit nga i biri Aleksandër Komnen Asen. Gjatë kësaj kohe sllavët u kujdesën për vendosjen e toponimeve serbisht, si Drashovicë, Koshovicë, etj, dhe me ato bullgare si Bestrovë, Penkovë, etj. Despoti Aleksandër i Valonas të cilin koha e vuri në një sprovë ekstreme, merr pjesë së bashku me mijra trupa vendas si dhe të tjerë, në betejën e parë pranë lumit Marica, mes koalicionit të krishterë ballkanik, dominuar nga trupat serbe, dhe turqve osmanë që kishin kaluar në zonën europiane të Adrianopojës me pararojën e tyre prej 4000 trupash. Megjithëse me mbi pesëdhjetë mijë trupa në një anarki e mosmarrveshje të plotë mes kombësive, koalicioni i krishterë u thye keqas, ku vetë despoti Aleksandër mbetet në fushën e luftës së bashku me rreth 3 mijë trupa të detashmentit të tij vlonat më 26 shtator 1371.

 

Menjëherë më 1372 territoret e tij, Vlorën, e mori i vjehrri, Gjergj Balsha II, i cili konfliktohet me princin Karl Topia për qytetin e Durrësit, në një kohë kur ky i fundit kish thirrur për ndihmë turqit osmanë dhe mund thyhet në betejën e Savrës, ku mbetet i vrarë më 1385. Ushtria osmane shperblehej me territore, duke parë se mbërriti në bregdet me anë të kënetës, u hakmorr mbi mijrat e robëeve të luftës, ku në një pamje makabër me kokat e prera të tyre ndërtoi një piramidë të madhe tmerri. Megjithë kalimin në fron të vejushës Komita Komneni Muzaka, ky ishte dhe fillimi i fundit të principatave arbëre që lulëzuan me aq mundim pas rënies qëndrore perandorake, dhe që do të pasonte nga një periudhë jo fort e lehtë me një tjetër religion për shekujt e ardhshëm, ajo e Perandorisë Osmane.

 

Rishfaqja e Principatës së Vlorës dhe Kaninës i ka zanafillën qysh më herët në kronikat bizantine, ku gjejmë Guljem Arianitin në një martesë me Irenën, gjak edhe kjo i familjes së perandorit në Kostandinopojë, që bën të kalojnë me këtë mbiemër perandorak, Komnen, deri tek murgu Gjergj Arianit (Komneni) më 1373 qëndisës i Epitafit të Gllavenicës (3 të tillë ekzistojne sot në botë). Por ati i tij, Arianit Komnen, ishte martuar me bijën e Princit Nikola Zaharia, zoti i qytet-portit Budva, ndërsa Gjergj Arianiti dominant në vitet e vështira 1376-1462, ishte i martuar me bijën e Princit Andrea III Muzakajve, princeshën Maria Muzaka, dhe nga bashkimi i zotërimeve arriti të ketë një territor nga Mallakastra deri në det, Vlorën dhe Kaninën. Mes 8 vajzave që i lindën nga kjo martesë spikatin Andronika Arianiti e martuar me Gjergj Kastriotin, Kirana, me Princin Nikoll Dukagjini, Helena, me Gjergj Dukagjini, Vojsava me princin malazez Cërnojeviç si dhe Angjelina me princin Stefan Brankoviçit të Serbisë, e cila është shenjtëuar edhe nga Kisha Ortodokse si Shën Angjelina.

 

Principata e Arjanitëve ishte nga më të fuqishmet në territoret arbëre gjë që e bën heroin tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skënderbeun të lidhte një aleancë pas Kuvendit të Lezhës me anë martese me të bijën, Andronika Arjanitin, duke filluar një qëndresë të jashtzakonshme, me emrin “Epoka Skënderbejane”.

 

Pas vdekjes së Skënderbeut Andronika u largua nga hakmarrja osmane nga ku i biri i heroit, me emrin Gjon Kastrioti dhe i nipi Gjergj, vazhduan luftën ne territoret e të parëve mbi 10 vjet, duke luftuar në zonat e jugut arbër, si Himarë etj. Epoka Skënderbejane e mori emrin të tillë, pasi fenomeni vetë është i papërsëritshëm, ndërsa veprat e birit dhe nipit, qëndrojnë si roje lavdie veprës së paraardhëësit