“E para u izolova unë, por…”/ Flet pas 4 muajsh e mbijetuara...

“E para u izolova unë, por…”/ Flet pas 4 muajsh e mbijetuara Blerta Josifi: Kemi qenë vajza të gëzuara, e donim jetën. Ja si u lidhëm me Kishën

518
0

 

TIRANE- Pas më shumë se 4 muajsh pas ngjarjes së rëndë që shokoi mbarë opinionin publik, Blerta Josifi, rrëfen tragjedinë e madhe, ku humbën jetën nëna dhe motra e saj, Zhaneta dhe Anisa.

 

Në intervistën për “Shqipëria Live”, Blerta ka rrëfyer se nuk kanë treguar se Anisa kishte ndërruar jetë, pasi kishin frikë se do fajësonin atë dhe nënën e saj. Gjithashtu, Blerta tha se kanë besuar deri në moment të fundit se ajo do të rikthehej sërish tek ato. “Kemi besuar deri në fund që ajo mund të rikthehej sërish te ne. Edhe pse duket çmenduri, por ne besuam. Në maj vendosëm që të mos dilnim për të blerë ushqime, në qershor nisëm agjërimin si një lutje që Zoti të na dëgjonte, sepse edhe Anisa kishte shumë dhimbje dhe vuajtje”, rrëfeu Blerta. Kujtojmë se më datë 2 korrik, në një banesë në zonën e Kombinatit u gjetën të pajeta nënë e bijë, Anisa dhe Zhaneta Josifi, ndërsa e mbijetuara e vetme ishte vajza tjetër Blerta Josifi. Viktimat kishin humbur jetën pas ditëve të tëra pa u ushqyer, me arsyen për t’u ringjallur. Anisa kishte 15 muaj që kishte ndërruar jetë, ndërsa për trupin e saj ishin kujdesur që të mos dekompozohej motra dhe nëna, duke e lyer me vaj dhe me vendosjen e një ventilatori që largonte erën e rëndë. Ndërsa Zhaneta Josifi kishte ndërruar jetë nga mosushqyerja, vetëm 2 ditë para se të zbulohej tragjedia.

 

RREFIMI I BLERTES

 

Blerta tregoi çaste nga e kaluara e saj në Përmet, si dhe atë se çfarë bën tani, pasi humbi nënën dhe motrën. “Nuk është e vërtetë që na tërhoqi mamaja, unë dhe Anisa e benim në mënyrë autodidakte, në fillim menduam ta bënim vetëm për pak kohë. Ne lexonim shumë. Unë u izolova e para, por jo aq drastike sa Anisa, Anisa e nisi shumë drastikisht. Gjërat ndodhën dhe s’di ta shpjegoj, kam pyetje dhe vetë që s’di t’i shpjegoj”, ka treguar Blerta.

 

Blerta si është dita jote tani?

 

Dita është normale, dal, jam me të afërmit e mi, po kërkoj për një punë.

 

Po periudha e spitalit?

 

U gjenda mes njerëzish që u kujdesen mirë për mua, ndenja rreth një muaj në spital, tani vazhdoj akoma me kurim. Dita ime tani, bëj punë shtëpie, rri me të afërmit, po mësoj anglishten.

 

Çfarë kujton nga e kaluara?

 

Ne kemi qenë vajza të gëzuara, e donim jetën, çfarë ndodhi më pas ishte fatkeqësi. Me kishën u lidhëm 13-14 vjeç, kemi pasur përkushtim të madh, e kishim marrë seriozisht, nuk shkonim sa për të kaluar kohë. Pastori i Kishës Ungjillore në Përmet dhe të tjerë, si dhe shoqja ime e ngushtë, ishim një grup i mirë.

 

Kur erdhët në Tiranë?

 

Isha 18 vjeç, kur humbëm babin, këtu nuk na pëlqeu, Tirana kishte shumë zhurmë, edhe këtu shkuam në një Kishë Ungjillore. Unë tani bëj 20 vjet si besimtare që në vitin 2001. Ne u izoluam se do donim të ndiqnim besimin për pak kohë.

 

Kur ka ndërruar jetë Anisa?

 

Më 27 mars 2019. Ne nuk e pranuam dot humbjen e saj dhe menduam se Zoti do të na ngushëllonte duke na e kthyer përsëri në jetë, por nuk ndodhi ashtu.

 

A menduat në një moment që t’u tregonit të afërmve se çfarë kishte ndodhur?

 

I druheshim kësaj, sepse mendonim se nuk do të na kuptonin, do të na fajësonin për vdekjen e saj.

 

Çfarë ndodhi pastaj?

 

Kishim pak vështirësi, por ne ishim shumë të vendosura dhe kishim një besim të palëkundur. Kemi besuar deri në fund që Anisa do na kthehej përsëri. Edhe pse duket çmenduri, po ne e besuam.

 

Kur vendosët që të merrnit edhe ju vendimin që morët?

 

Kjo ndodhi muajin e fundit, në maj. Vendosëm që s’do dilnim më për të blerë ushqime, edhe pse kishim lekë. Pastaj në qershor filluam agjërimin si një lutje drejtuar Zotit. Thoshim që ky agjërim do të jetë i fuqishëm, që Zoti të na dëgjojë.

 

Ky lloj agjërimi ishte edhe shkaku që Anisa humbi jetën?

 

Po. Një lutje drejtuar Zotit, sepse edhe ajo kishte shumë dhimbje dhe vuajtje dhe nuk po e kuptonte pse Zoti po e lejonte.

 

Kur ishte momenti që u shkëputët nga pjesa tjetër e shoqërisë?

 

Nuk është e vërtetë që na tërhoqi mami. U izoluam unë dhe Anisa bashkë. Donim të ndiqnim në mënyrë autodidakte Zotin. Të mësonim vetë për pak kohë, menduam ne. Por pastaj, koha po kalonte dhe ne s’po ktheheshim më në kishë. Nuk na vinte për t’u kthyer më.

 

Formuat librat tuaj fetarë…

 

Jo, jo, thjeshtë kishim nja dy libra të krishterë. Ata lexonim. Kalonim kohë duke lexuar Biblën dhe libra të tjerë, romane që mund të gjenim. Anisa lexonte shumë romane.

 

Është përfolur që Anisa u tërhoq e para në dhomën e saj dhe ishte e izoluar edhe nga ju.

 

Jo, unë u izolova e para, por nuk e bëra në mënyrë aq drastike sa Anisa. Anisa e bëri në një mënyrë më drastike. Por, gjërat ndodhën kështu dhe tani as vetë nuk di t’i shpjegoj. Kap pyetje plot që nuk di t’i shpjegoj as vetë.