Kur në fillimin e nëntorit një tifoz i River Plate, i cili quhet tobipailos17 në Twitter, ka rrëfyer ëndrrën që kishte parë për “Superclasico”-n, shumë duhet të jenë tallur me të. Sigurisht do të kenë menduar se djaloshi (që e përshkruan veten si “i sëmurë me River”) do të kishte ngrënë rëndë para se të flinte gjumë. Nga ana tjetër, mesazhi i tij ishte shumë absurd për të qenë i vërtetë. Mund të pranohet se “Millonarios” ishin në avantazh në skenarin e tij, por parashikimi se finalja e madhe do të luhej në “Bernabeu” dukej një çmenduri e vërtetë. Gjithsesi, duket se ëndrra e tifozit argjentinas ka qenë profetike, sepse finalja e kthimit e Kupës Libertadores do të luhet pikërisht në stadiumin e Real Madrid. Dhe tani gjithë bota ka shkuar në profilin e tij në Twitter për të kuptuar nëse bëhet fjalë për një punim në photoshop të realizuar shumë mirë. Përgjigjja është jo, tobipailos17 e ka postuar mesazhin 3 nëntorin e kaluar (para ndeshjes së parë) dhe tani është kthyer në një legjendë. “Kam ëndërruar se po luanim Super Finalen dhe se po fitonim 1-0 me gol të Pity Martinez. Por stadiumi nuk ishte as “Bombonera”, as “Monumental”. Ishte SANTIAGO BERNABEU”. Magji? Vizion i së ardhmes? Ku i dihet, por ndërkohë gazetat argjentinase nuk e kanë humbur rastin dhe përdoruesi i Twitter është kthyer në një personalitet. Dikush, siç mund të pritej, ka filluar t’i kërkojë të parashikojë edhe numrat e lotarisë, por tani që është realizuar gjysma e parashikimit, mungon gjysma tjetër. Duke parë aftësitë parashikuese të djaloshit, trajneri i Boca-s, Schelotto, mund të përgatisë një mbulim të veçantë për Martinez, lojtari që duhet të shënojë golin e avantazhit, sipas ëndrrës të tifozit të River. Fraza kyçe është “po fitonim”. Boca mund të kalojë në disavantazh, por nuk dihet se në cilën minutë është ndalur ëndrra paralajmëruese!