Palët politike në Gjermani kanë rënë dakord t’i japin dritën jeshile Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat e pranimit në BE, raporton Deutsche Welle. Vendimi zyrtar do të merret të enjten.
Më herët është raportuar se Gjermania do të mbështesë gjithashtu hapjen e negociatave me Shqipërinë, por vendit do t’i jepen një sërë kushtesh për t’u përmbushur në mënyrë që realisht të fillojë me bisedimet e pranimit. Ndërsa kur bëhet fjalë për Maqedoninë e Veriut, nuk përmendet asnjë kusht.
“Fakti që partitë e koalicionit kanë hapur rrugën për fillimin e negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë është një sinjal i rëndësishëm për integrimin evropian të të gjithë rajonit”, deklaroi anëtari i partisë Socialdemokratike Nezahat Baradari, raporton DW.
Vendimi përfundimtar është në duart e liderëve të BE dhe pritet të merret në një samit të planifikuar më 17 dhe 18 tetor të këtij viti. Liderët e Bullgarisë, Greqisë, Rumanisë dhe Kroacisë tashmë kanë shprehur mbështetjen e tyre gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB, raporton MIA.